TIRANË- Vendimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor për përcaktimin e pagave të gjyqtarëve ka shkaktuar reagimin e menjëhershëm të kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Bardhi e ka cilësuar vendimin e KLGJ-së si një “akt të paprecedentë”, duke ngritur pikëpyetje mbi kompetencat e këtij institucioni për përcaktimin e pagave të trupës gjyqësore.
Sipas Bardhit, përcaktimi i pagave është një kompetencë që i takon Kuvendit dhe jo KLGJ-së. Ai e ka lidhur situatën me përplasjen e krijuar prej muajsh rreth zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së akuzon mazhorancën dhe qeverinë se kanë refuzuar të zbatojnë vendimet e Kushtetueses, duke e cilësuar këtë si shkakun e ngërçit institucional që ka sjellë situatën e krijuar së fundmi.
Reagimi i Bardhit vjen pak orë pasi KLGJ miratoi rritjen e pagës referuese të gjyqtarëve me 65.600 lekë, me efekt nga 1 gushti 2026, duke e çuar atë në 222.425 lekë, pa përfshirë shtesën për nivelin e kualifikimit.
Vendimi i KLGJ pritet të sjellë debat të ri mes institucioneve, ndërsa mbetet për t’u parë nëse çështja do të pasohet nga përplasje të tjera ligjore dhe institucionale.
Reagimi i plotë:
"Refuzimi i vazhdueshëm i Qeverisë dhe i mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese ka vënë seriozisht në rrezik funksionimin demokratik të shtetit dhe respektimin e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
Që nga 1 gushti 2026, sistemi gjyqësor në vend ka mbetur pa një bazë të qartë ligjore për të justifikuar trajtimin financiar të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës. Dispozitat ligjore përkatëse janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese me efekt nga 31 korriku 2026.
Sot, me një akt të paprecedentë, sistemi gjyqësor, përmes Këshillit të Lartë Gjyqësor, ka përcaktuar pagën e vet, duke marrë përsipër kompetenca që i takojnë ligjvënësit. Ky akt ngre pikëpyetje serioze mbi kushtetutshmërinë e tij dhe mbi ekzistencën e një baze të ligjshme për një vendimmarrje të kësaj natyre.
Krijimi i këtij ngërçi institucional dhe përplasja ndërmjet kompetencave kushtetuese të pushteteve jo vetëm që mund, por edhe duhet të shmangen. Rruga e vetme për ta zgjidhur këtë situatë është respektimi dhe zbatimi i plotë, i menjëhershëm dhe pa ekuivok i vendimeve të detyrueshme të Gjykatës Kushtetuese.
Kuvendi i Shqipërisë duhet të veprojë menjëherë dhe pa asnjë vonesë për ta trajtuar dhe zgjidhur këtë çështje. Kjo është edhe më e domosdoshme përballë refuzimit të Këshillit të Ministrave për të përmbushur përgjegjësinë e përcaktuar nga Këshilli i Legjislacionit të Kuvendit të Shqipërisë që më 4 maj 2026.
Mosveprimi i Kuvendit dhe moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese përbëjnë një shkelje të rëndë të parimeve kushtetuese dhe të shtetit të së drejtës, me pasoja serioze për funksionimin e institucioneve dhe besimin e qytetarëve te demokracia. Ky qëndrim dëmton rëndë edhe frymën e luajalitetit kushtetues që duhet të udhëheqë marrëdhëniet ndërmjet pushteteve në një shoqëri demokratike.
Nuk mund të ketë shtet të së drejtës kur vendimet e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen të zbatohen sipas interesit politik. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë rekomandime dhe as mundësi për t’u zbatuar kur i leverdis mazhorancës. Ato janë detyruese. Respektimi i tyre është detyrim kushtetues, jo zgjedhje politike.", u shpreh Bardhi./ZËRI