Politikë

Pagat e gjyqtarëve/ KLGJ zbaton vendimin e Kushtetueses, rritje me 65 mijë lekë

KLGJ vendosi këtë të mërkurë, me 9 vota pro dhe asnjë kundër, që paga referuese e gjyqtarëve të rritet me 65.600 lekë, duke nisur nga 1 gushti 2026.

M.K.
Pagat e gjyqtarëve/ KLGJ zbaton vendimin e Kushtetueses, rritje me 65
KLGJ

TIRANË- Përplasja për pagat e gjyqtarëve rikthehet në qendër të vëmendjes, këtë herë pas vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor për rritjen e pagës referuese të magjistratëve.

KLGJ vendosi këtë të mërkurë, me 9 vota pro dhe asnjë kundër, që paga referuese e gjyqtarëve të rritet me 65.600 lekë, duke nisur nga 1 gushti 2026. Paga referuese do të shkojë në 222.425 lekë, nga 156.800 lekë që ishte më parë, pa përfshirë shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit.

Në të njëjtin vendim është parashikuar edhe kompensimi i diferencave të pagave për periudhën nga 1 prilli 2023 deri më 31 korrik 2026.

Vendimi i KLGJ vjen disa muaj pas atij të Gjykatës Kushtetuese, e cila në shkurt shfuqizoi ndryshimet ligjore të vitit 2023 për pagën referuese të gjyqtarëve, duke vlerësuar se ato cenonin parimin kushtetues që paga e gjyqtarit nuk mund të ulet.

KLGJ argumenton se vendimi i Kushtetueses është i detyrueshëm dhe se rritja e miratuar synon rikthimin e standardit të pagës dhe kompensimin e diferencave të krijuara ndër vite.

“Të miratojë pagën referuese bazë për magjistratin (gjyqtar), sipas arsyetimit të vendimit nr. 15/2026 dhe vendimit nr. 35/2022, të Gjykatës Kushtetuese, referuar përcaktimeve në VKM-në nr. 325/2023, të ndryshuar, kategoria e lartë drejtuese “Kategoria I”, klasa e pagës “Klasa 1-2”, të përbërë nga paga për pozicion (në shumën 222,425 lekë, sipas klasës) plus shtesa e nivelit të kualifikimit “Grupi i diplomës 1” (në shumën 14.000 lekë), për periudhën nga data 01 gusht 2026 e në vazhdim”.

Pagat e gjyqtarëve/ KLGJ zbaton vendimin e Kushtetueses, rritje me 65

Kushtetuesja ka pranuar pjesërisht kërkesën duke sqaruar se pagat nuk mund të ulen, pasi në vendim shfuqizoi si të papajtueshëm me Kushtetutën, ndryshimin ligjor të vitit 2023, për pagën referuese të gjyqtarëve, që speficikohej sa 36% e pagës së Presidentit të Republikës. Në argumentim, Gjykata Kushtetuese, përmend nenin 138 të Kushtetutës, sipas të cilit “Paga dhe përfitimet e tjera të gjyqtarit nuk mund të ulen."/ZËRI

Poll

MOS HUMB