Politikë

"Prerje e hartës pa asnjë analizë", Kryebashkiakët e PD takim me përfaqësuesit e KiE për 'Territorialen'

Gjatë takimit të zhvilluar online, krerët demokratë të bashkive ngritën shqetësimin lidhur me draftin e propozuar nga Partia Socialiste mbi mënyrën e zhvillimit të procesit dhe kërkuan vlerësimin e KiE-së, sipas standardeve europiane.

l.k
"Prerje e hartës pa asnjë analizë", Kryebashkiakët
Pamje nga takimi

TIRANË- Përfaqësuesit e Shoqatës së Bashkive dhe të Zgjedhurve Vendorë në PD zhvilluan sot një takim me përfaqësues të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës lidhur me Reformën Territoriale. Gjatë takimit të zhvilluar online, krerët demokratë të bashkive ngritën shqetësimin lidhur me draftin e propozuar nga Partia Socialiste mbi mënyrën e zhvillimit të procesit dhe kërkuan vlerësimin e KiE-së, sipas standardeve europiane.

Shoqata theksoi se nuk kërkon mbështetjen e një harte të caktuar, por që ndryshimi territorial të mbështetet në konsultim të plotë, evidencë të qartë dhe konsensus të gjerë. Presidenti i Shoqatës, Fisnik Qosja i cili njëkohësisht është edhe kryebashkiak i Kavajës, tha se PD kërkon të mbrojë interesat e qytetarëve duke ngritur këto qëndrime.

 “Po mbrojmë interesat e qytetarëve dhe jo të politikës”, deklaroi Qosja, duke shtuar se një proces i plotë konsultimi nuk e pengon reformën, por i jep asaj legjitimitet, besueshmëri dhe qëndrueshmëri.

Zv.presidenti i Shoqatës, Albert Malaj, paraqiti tre shqetësime kryesore: përmbylljen e procesit parlamentar pa u realizuar të gjitha fazat e parashikuara, mungesën e konsultimit konkret për propozimin e shkrirjes së 15 bashkive dhe mungesën e një konsensusi të gjerë në nivel vendor.

“Ne nuk u kërkojmë partnerëve ndërkombëtarë të mbështesin një hartë të caktuar, por të ndihmojnë që procesi të respektojë standardet evropiane të konsultimit, pjesëmarrjes dhe demokracisë lokale”, tha Malaj.

Eksperti i nivelit të lartë për Reformën Territoriale-Administrative, Ylli Asllani, e cilësoi procesin të njëanshëm. Ai tha se opozita kishte kërkuar një Komision të Posaçëm Parlamentar bipartizan dhe se kjo kërkesë u pranua pas presionit ndërkombëtar. Sipas Asllanit, pavarësisht kërkesave të opozitës dhe ekspertëve, jo të gjitha aktivitetet e parashikuara u zhvilluan. Ai përmendi si shembull Bashkinë e Tiranës, duke deklaruar se nuk u zhvilluan dëgjesat me qytetarët e kryeqytetit.

“Po bëhet një reformë pa pyetur qytetarët. Është një prerje e hartës pa asnjë analizë”, deklaroi Asllani, duke ngritur edhe shqetësimin për mungesën e ekspertizës ndërkombëtare dhe akademike në proces.

Kryetari i Bashkisë Fushë-Arrëz, Hilë Curri, solli në vëmendje qëndrimin e komunitetit ndaj propozimit për shkrirjen e bashkisë. Curri tha se Fushë-Arrëzi ka votuar kundër shkrirjes dhe kërkoi që Kongresi t’i tërheqë vëmendjen qeverisë për mosdëgjimin e komunitetit.

“Ne komunikojmë me deputetë dhe përfaqësues të mazhorancës dhe na thonë: nuk është reformë e mirë, por jemi të detyruar ta votojmë”, deklaroi Curri.

Shoqata kërkoi nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të shqyrtojë dokumentacionin, konsultimet e zhvilluara dhe qëndrimet e bashkive e komuniteteve, si dhe të vlerësojë përputhshmërinë e procesit me standardet evropiane të autonomisë vendore.

Propozimi i PS për ndarjen e re territoriale parashikon riorganizimin e hartës së pushtetit vendor dhe uljen e numrit të bashkive në 15 të tilla, nga 61 në 46. Në listën e bashkive që propozohet të shkrihen janë: Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas, të cilat do t’i bashkohen bashkive më të mëdha. Sipas propozimit, struktura e re do të përbëhet nga 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative, ndërsa 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike në draftin e saj propozon rritjen e numrit të bashkive nga 61 qe janë aktualisht në 100 bashki. Drafti i PD parashikon ndarje me 100 bashki, 12 qarqe dhe 6 rajone. Sipas demokratëve, shtimi i numrit të bashkive do të mundësojë ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët dhe një menaxhim më efikas të territorit./ZËRI

Poll

MOS HUMB