TIRANË-Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe me një postim të fundit në rrjete sociale ka shprehur sërish ambicien e tij për të garuar për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore të vitit 2027. Nga lagjia e Kombinatit, Braçe deklaron se gjatë ditëve të fundit ka marrë mesazhe nga qytetarë që i kanë treguar se persona të ndryshëm në PS janë duke u orientuar drejt kandidaturës për kryetar bashkie, ndërsa disa prej tyre kanë nisur tashmë punën në terren.
Ky fakt sipas deputetit të PS është diçka e mirë, pasi nënvizon se kandidati për Tiranën duhet të zgjidhet përmes një procesi ku të ketë garë, punë në terren dhe diskutim për problemet e qytetit. Socilaisti shton se po përpiqet të kuptojë nevojat e Tiranës dhe qytetarëve, duke u shprehur se nuk ka pritur një konfirmim për të nisur punën apo për të ndjekur nga afër shqetësimet e banorëve të kryeqytetit.
Postimi i plotë:
Nga mesi i Kombinatit:
Unë nuk besoj se socialistët duan një njoftim, por duan të vendosin.
Unë nuk besoj se socialistët duan të votojnë një njoftim, por duan të zgjedhin kandidatin e tyre për Bashkinë e Tiranës!
Më kanë shkruar plot njerëz të mirë nga territori këto ditë.
I kanë thënë dikujt: “Ti do të jesh, fillo puno”, dhe ai ka nisur punën fort. I kanë konfirmuar dikujt tjetër: “Ty të kam, merru me njerëzit”, duke e lënë të kuptohet se “mund të jesh ti”.
Shikoni, kjo është shumë mirë. Ka gjallëri, edhe pse e padukshme, edhe pse “nuk është momenti”.
Mua më pëlqen të ketë garë, punë konkrete në territor, diskutime për zgjidhje.
Jam edhe unë një nga të gjithë dhe nuk prita të më thotë dikush: “Do të jesh ti, puno tani”. Jo. Ndjeva njerëzit në rrugët dhe lagjet e Tiranës, pashë çfarë nuk ecën dhe krijon probleme. Po kuptoj qytetin dhe nevojat e tij rrugicë më rrugicë. Po flas me shumë njerëz për atë që duhet të ndryshojë rrënjësisht në këtë qytet, për ta rikthyer që të bëhet sërish i jetueshëm.
Po pres garën dhe do t’i shkoj deri në fund, si gjithmonë, për ta fituar këtë punë, sepse punë është!
Nuk pres një njoftim në mur apo në eter. Nuk vlen njoftimi, është i vjetër. Kriza që po jetojmë ka në thelb mënyrën se si vendosim, dhe njoftimi, përjashtues në përgjithësi, nuk është më element i vendimmarrjes.
Socialistët, para së gjithash, por edhe njerëzit më gjerë - sidomos në këtë qytet - duan të jenë pjesë e vendimmarrjes, jo të marrin dhe të votojnë njoftime si produkt i një vendimmarrjeje që po bëhet gjithnjë e më e ngushtë dhe që nuk i përfshin.
Kjo duhet të ndryshojë dhe Tirana e meriton!
Deputeti socialist Erion Braçe gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS në njësinë numër 5, 28 mars, njoftoi se do të kandidojë për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore që do të mbahen vitin e ardhshëm. Madje, Braçe i ka dërguar një shkresë KQZ, ku kërkon t’i vihen në dispozicion të gjitha rezultatet e marra prej tij si deputet, duke nisur nga zgjedhja si deputet për herë të parë në qarkun Berat në vitin 1996.