Politikë

Opozita për takimin e Ramës në Athinë: Nacionalizëm shterpë, u tha, ju dua por jo në Shqipëri

Sipas Berishës, ai është vetë njeriu që nuk u ka lënë rrugë tjetër shqiptarëve, vecse të emigrojnë dhe tashmë shkon e i takon.

F.m
Opozita për takimin e Ramës në Athinë: Nacionalizëm
Sali Berisha dhe Lulzim Basha

TIRANË- Opozita nuk e ka mirëpritur takimin që kryeministri Edi Rama zhvilloi me emigrantët shqiptarë në Athinë. Kryedemokrati Sali Berisha, në daljen e tij të përnatshme nga dritarja e shtëpisë u shpreh se Rama praktikisht u ka thënë emigrantëve se i do, por jo në Shqipëri. Sipas Berishës, ai është vetë njeriu që nuk u ka lënë rrugë tjetër shqiptarëve, vecse të emigrojnë dhe tashmë shkon e i takon.

“Të dashur miq, emigracioni shqiptar në Greqi neveriti takimin e sotëm të Ramës në Athinë. Nga 1 milion shqiptarë në vendin fqinj, asnjë emigrant nuk pranoi të përshëndesë në takimin e Ramës për interesat dhe menderen e tij. Ky refuzim total do regjistrohet në muret e historisë si një refuzim epik nga shqiptarët e vërtetë që kanë emigruar në Greqi. Nuk t’i nxjerr zemra fjalët për atë që me të gjithë qënien e tij ju thotë: ju dua shumë, por jo në Shqipëri. Nderim emigrantëve dhe diasporës shqiptare në Greqi dhe kudo që ndodhet”, tha Berisha.

Lulzim Basha nga ana tjetër e ka konsideruar takimin ‘nacionalizëm shterpë’.

“Kthim të mbarë administratës shtetërore të shpërngulur në Athinë për këtë ekskursion të shtrenjtë të kryeministrit që shpopulloi vendin dhe pengon votën e atyre që degdisi rrugëve të botës për shkak të keqqeverisjes dhe korrupsionit. Nacionalizmi shterpë është gjethja e fikut pas të cilës fsheh premtimet e pambajtura ndaj bashkëqytetarëve tanë në emigrim, të cilëve u kemi borxh të drejtën e votës një orë e më parë”, shkruan Basha.

 

Poll

MOS HUMB