
GREQI- Në një takim që zgjati pak më shumë se një orë, në një sallë të mbushur me shqiptarë dhe flamuj kuqezi, kryeministri Edi Rama, nuk i shpëtoi komentin për situatën në të cilën ndodhet sot Shqipëria dhe Greqia. Edhe pse pa e pëmendur në mënyrë direkte, Rama komentoi çështjen Beleri, ku tha se asnjë anëtari të komunitetit grek në Shqipëri, nuk i janë shkelur të drejtat për shkak të përkatësisë etnike.
“Duhet të bëjmë ende më shumë për ta, por e vërteta e madhe jashë lojërave politike me topin katror ballkanik, është se asnjë hall i tyre nuk i ndryshëm nga hallet dhe problemet shqiptare. Ama kurrë asnjë rast një grek etnik në shqiptarinë e 10 viteve të fundit nuk ka pasur asnjë hall apo problem për shkak të kombësisë së tij, kurrë. Në asnjë rast grekëve etnik nuk i është mohuar e drejta e tyre e besimit, e gjuhës, e pronës, kurrë. Asnjëherë në asnjë rast, qytetarëve grek të Shqipërisë nuk i është mohuar e drejta e votës apo e zgjedhjes. Nuk i është mohuar as e drejta e pronës. Prona është një problem për shqiptarët e Shqipërisë dhe jo vetëm për grekët në Shqipëri”, tha Rama, teksa iu përgjigjej të gjithë atyre që ishin treguar skeptikë mbi arsyet e vizitës së tij në Greqi.
Sa i takon çështjes së emigrantëve shqiptarë në Greqi, Rama tha se janë çelur negociatat në nivel ekspertësh për njohjen e pensioneve. Po ashtu, Rama ai foli edhe për marrjen e shtetësisë me natyralizim.
“Më në fund me qeverinë aktuale, se me ato më përpara, as bëhej fjalë, kemi çelur negociata në nivel ekspertësh për marrëveshjen e pensioneve me Greqinë, ndërsa deri dje nuk kishte asnjë dritë në fund të tunelit. Ajo marrëveshje me Italinë dhe kjo me Greqinë, janë dy marrëveshjet më komplekse për shkak të peshës që kanë. Po ashtu dhe besoj se kjo ju intereson shumë, kemi hapur edhe dialogun dypalësh në nivel teknik, për problematikën e lejeve të qëndrimit dhe për procedurën e marrjes së shtetësisë me natyralizim. Ka goxha progres dhe unë jam besimplotë se shumë shpejt, ju do të merrni lajme shumë të mira”, tha Rama.
Më tej, kryeministri Rama theksoi se është besimplotë se marrëdhëniet mes dy vendeve do të ecin përpara.
“Unë kam besim, se më e mira mes Greqisë dhe Shqipërisë është e gjitha përpara. Duhet t’i zgjidhim të gjitha çështjet mes nesh si europianë largpamës të shekullit të 21, por jo si ballkanas sylesh të shekullit të vjetër, për t’i kthyer sa herë hapen tezat e pazareve elektorale”, tha Rama.
Ndërkohë në disa raste gjatë fjalës së tij, Rama e vuri theksin te marrëdhënia e mirë që qeveria e tij ka pasur me Mitsotakis, përpara se mes dy vendeve të shtrohej çështja Beleri. Në përmbyllje të fjalimit, Rama la një mesazh për Mitsotakis, ku tha se Shqipëria do marrëdhënie normale me të gjithë fqinjët e saj, dhe nuk kërkon nxitjen e problemeve.
/ZËRI