
GREQI- Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit me emigrantët shqiptarë në Athinë, ka përmendur ligjin e luftës që është ende në fuqi, duke e konsideruar si absurde. Ai tha se nëse do ishte vullneti i mirë mes 2 palëve, atëherë kjo çështje do duhet të ishte zgjidhur pa kaluar dhe shumë vite të tjera, siç ka ndodhur deri më tani.
“Rri akoma në fuqi ligji i luftës se Greqisë me Shqipërinë, ai ligj i 10 nëntor 1940, përcakton c’bëhet me pronat dhe me shtetasit e vendeve në gjendje lufte, në 1947 Greqia ratifikon traktatin e paqes me Italinë ndërsa me Shqipërinë dekreti i ligjit të luftës dhe pasojat e ligjit të luftës mbeten në fuqi, sot e gjithë ditën, edhe pse në 1998 kanë miratuar traktatin e miqësisë, po si ka mundësi mes 2 shteteve që kanë nënshkruan një traktat miqësie, që janë bashkë në NATO të mos jetë shfuqizuar gjendja e luftës bashkë me pasojat e një ligji lufte të shfuqizuar 84 vite më parë. Në këto vite unë dhe qeveria jonë jemi përpjekur që ky absurditet të largohet nga tryeza e marrëdhënieve tona, gjithashtu jemi përpjekur që t’i adresojmë sa më drejtë, me mirëkuptim të gjitha çështjet e mbetura mes 2 shteteve sepse unë jam i bindur se nëse kanë vullnet të mirë të gjitha çështjet mund të zgjidhen pa kaluar 84 vite të tjera”, tha Rama.
Sa i takon mosmarrëveshjeve të fundit mes dy vendeve tona, Rama tha se ato nxiten nga politikat nacionaliste, që iu shërbejnë fushatave të ndryshme në mes dy vendeve tona.
“Duket sikur mes Shqipërisë dhe Greqisë ka pasur vetëm probleme, por jeta jashtë kafenesë së zhurmshme vazhdon normalisht, aktive dhe produktive. Eksportet shqiptare në Greqi janë rritur me 1,4% krahasuar me një vit më parë. Shqiptarët janë prej kohës të dashuruar me brigjet e magjisë së Greqisë, por anasjelltas gjithmonë e më shumë grekë po eksplorojnë Shqipërinë, ku ndjehen si në shtëpinë e tyre të dytë. Grekët do të jenë të mirëseardhur në Shqipëri, jo vetëm për të pushuar, por edhe për të punuar, hapur dyqane, e kompanie, për të përfituar nga një regjim taksash shumë më i ulët sesa ky në Greqi. Madje, Shqipëria është kaq mikpritëse për grekët sa nuk i krijon asnjë telash, përkundrazi i krijon të gjitha kushtet edhe ndonjë politikani të keqkuptuar grekë që vjen të protestojë atje dhe vjen humb zgjedhjet këtu. Bujrum”, u shpreh mes të tjerave Rama në fjalën e tij.
/ZËRI