
TIRANË- Plani i opozitës për të bllokuar jetën parlamentare duket se nuk është realizuar plotësisht këtë të hënë, pasi shumica e mbledhjeve të Komisioneve Parlamentare u zhvendosën online pas tensioneve. Zëri.ai ka raportuar prej mëngjesit mbi axhendën e ngjeshur të Kuvendit këtë të hënë, e cila kulmoi me përplasjet ndërmjet deputetëve të Partisë Demokratike dhe punonjësve të Gardës në hyrje të Kryesisë së Kuvendit. Shkaku?
Një interpretim i ndryshëm që secila palë i bën rregullores së Kuvendit. PD kishte thirrur mbledhjen e grupit të saj parlamentar në ambientet e Kryesisë, në të njëjtën kohë kur aty zhvilloheshin mbledhjet e dy komisioneve, fillimisht ai i Ligjeve dhe më pas ai i Shëndetësisë. Garda kishte marrë urdhër nga Kuvendi që të mos lejonte futjen në Kryesi të 8 deputetëve që ishin përjashtuar për 10 ditë nga seancat por edhe nga mbledhjet e Komisioneve, mes tyre dhe vetë kreun e grupit në PD Gazment Bardhi.
Ky i fundit tha se vendimi nuk e ndalonte atë që të hynte në Kryesi për të mbledhur grupin e PD. Dhe në mesin e këtyre përplasjeve, disa deputetë zgjodhën të gjenin rrugë alternative për të hyrë në Kryesi, Flamur Noka, njëherë nga kangjellat dhe herën e dytë nga dritarja, njësoj si dhe kolegu i tij Salianji, por edhe disa deputetë të tjerë. Sapo hynë në ambientet e Kryesisë, deputetët e PD shkuan drejt sallave ku po zhvilloheshin Komisionet Parlamentare, ku nuk munguan përplasjet dhe akuzat e ndërsjella me kolegët socialist, që çoi në ndërprerjen e dy komisioneve.
Ndërkohë paralelisht Komisioni për Politikën e Jashtme vendosi që të pezullonte mbledhjen e parashikuar për sot. Nëse mazhoranca ka si plan B kalimin e mbledhjeve të Komisioneve online, dhe votimin e ligjeve në seancë përmes flakadanëve, opozita ka shpalosur si plan B dhe grevën e urisë në parlament, e cila deri tani nuk ka një datë si nisje.
Çfarë ndodhi me 5 komisionet:
Komisioni i Ekonomisë dhe Financave- Online
Komisioni i Ligjeve, u bllokua fizikisht, u kalua online
Komisioni i Shëndetësisë, u bllokua fizikisht, kaloi online
Komisioni i Jashtëm u anulua mbledhja
Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, u bllokua hyrja e mbledhjes, kaloi online
Edhe pse opozita e quan të paligjshme mbajtjen e mbledhjeve të Komisioneve online në kohë normale, mazhoranca duket e vendosur që jeta parlamentare të vijojë, gjithmonë nëse mund të quhet normalitet, kur në diskutime dhe votime merr pjesë vetëm njëra palë. Radikalizimi i opozitës, që vijon prej më shumë se 3 javësh në Kuvend, lidhet me disa kërkesa të tyre që nuk janë realizuar nga Partia Socialiste.
E para është kërkesa për ngritjen e Komisioneve Hetimore Parlamentare, caktimi i Oerd Bylykbashit si bashkëkryetar i Komisonit për Reformën Zgjedhore, dhe marrja parasysh e iniciativave ligjore që janë propozuar nga demokratët. Vetë kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që të injorojë totalisht këtë nismë të një pjese të konsiderueshme të opozitës, e cila drejtohet nga Berisha, dhe nuk njihet prej tij.
/Zëri.ai