
TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka mbështetur aksionin e opozitës në Kuvend, dhe tha se kriza e rëndë që ka përfshirë institucionet nuk mund të zgjidhet duke përdorur Gardën e Republikës. Në postimin e tij, Meta deklaron se “asgjësimi i të drejtave kushtetuese të opozitës është sulm ndaj pluralizmit politik dhe llogaridhënies para qytetarëve”.
Sipas Metës, opozitës duhet t'i garantohet e drejta për ngritjen e Komisioneve Hetimore në Kuvend, të zgjedhë përfaqësuesit e saj në Komisionin për Reformën Zgjedhore, si dhe të shqyrtohen të gjitha projektligjet e propozuara prej saj.
Reagimi i Metës:
Dënoj me ashpërsi militarizimin e institucionit më të rëndësishëm të Republikës, Kuvendit të Shqipërisë. Asgjësimi i të drejtave kushtetuese të opozitës është sulm ndaj pluralizmit politik dhe llogaridhënies para qytetarëve. Partia e Lirisë mbështet vendosmërisht qëndrimin e opozitës e në veçanti: Garantimin e ngritjes të komisioneve hetimore në Kuvend; Të drejtën e opozitës për të zgjedhur përfaqësuesit e saj në Komisionin e Reformës Zgjedhore; Garantimin e shqyrtimit të të gjitha projektligjeve që opozita ka depozituar në Kuvend dhe që bllokohen prej vitesh. Deputetët e opozitës përfaqësojnë zërin e mbi 700 mijë qytetarëve të cilët kanë të drejtë të dëgjohen. Kjo krizë e rëndë nuk zgjidhet me Gardën e Republikës por me respektimin e Kushtetutës dhe Rregullores të Kuvendit, si baza e funksionimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Çfarë ndodhi sot në Kuvend:
Deputetët e PD-së kishin njoftuar se do të mblidhnin grupin parlamentar në ambientet e Kryesisë së Kuvendit në orën 10:15 të paradites së sotme, ndërkohë që Garda kishte marrë urdhër që të mos lejonte 8 deputetët e përjashtuar që të hynin në godinë. Deputetët e PD-së që janë përjashtuar për 10 ditë: Gazmend Bardhi, Bledion Nallbati, Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi, Saimir Korreshi dhe Lefter Geshtenja. Deputetët e PD-së u –përplasën me punonjësit e Gardës, ndërkohë që një pjesë e tyre hipën në dritare në mënyrë që të futeshin në ambientet e brendshme të Kryesisë. Nga aty ata bllokuan punën e disa komisioneve hetimore, të cilat mazhoranca i vijoi online. Prej disa javësh Kuvendi nuk është në normalitet, me opozitën që ka radikalizuar qëndrimet e saj.