
TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë një deklaratë për mediat, pas tensioneve që u shkaktuan sot në Kryesinë e Kuvendit, ku një pjesë e deputetëve që nuk u lejuan nga Garda të hynin nga dera, u ngjitën nga dritarja.
Berisha tha se deputetët u detyruan që të bënin Tarzanin duke u ngjitur nëpër mure për të hyrë në zyrat e tyre. Ish-kryeministri theksoi se situata kritike në vend tregon “lepurin e madh që i ka hyrë në bark Ramës dhe organizatës së tij kriminale”.
“Situata kritike që ndodhet në vend tregon frikën e tmerrshme, lepurin e madh që i ka hyrë në bark Ramës dhe organizatës së tij kriminale. Kurrë s’mundet një roje të ndalojë një deputet të hyjë në institucion, jo më në zyrën e tij. Deputeti ka të drejtë të hyjë në çdo institucion. Kjo ndodhi sot me Ramën, i cili në përpëlitjet e tij përpiqet të mbahet zvarrë në pushtetin e tij të krimit.
Sot për herë të parë në historinë e parlamentit, një grup deputetësh të PD u detyruan të bëjnë Tarzanin, për të hyrë në zyrën e tyre në Parlament, të ngjiten mbi mure, është skenë unike në mediat e huaja, po qarkullon në të katërt anët e botës. Dëshmi e narkoshtetit dhe regjimit të Ramës të bazuar në krim e drogë”, tha Berisha.
I pyetur nga gazetarët nëse i druhej ashpërsimit të masës së sigurisë ndaj tij, për shkak se vendosi të mos paraqitej në SPAK, Berisha këmbënguli se vendimi nuk i ishte paraqitur zyrtarisht, dhe se vendi i tij i punës është Kuvendi.
“Për ditën e sotme nuk kam asnjë njoftim. Unë kam një institucion, vendi im i punës është Parlamenti i Shqipërisë. Mos ia lejo vetes këtë gjuhë, nuk është korrekte ajo gjuhë. Ta sjell shkresën në Kuvend, nuk guxon njeri që ta bëjë këtë. Ju nuk duhet të bëni avokatinë e një banditi. Opozita nuk përjashton asnjë hap, beteja e opozitës po bën që Kuvendi të mbahet në zoom. Betejën tonë do ta vazhdojmë me regjimin e Edi Ramës, gardistët bëjnë gabimin më të madh që zbatojnë urdhërin antiligjor të Edi Ramës”, tha më tej Berisha.
Gjatë kësaj të hëne, kryedemokrati Sali Berisha duhej të paraqitej në SPAK për të zbatuar vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), dhënë ndaj tij, por ish-kryeministri refuzoi. Ligji parashikon që në rastet kur masa e sigurisë shkelet, Prokuroria, në këtë rast SPAK, mund të kërkojë një masë më të ashpër sigurie për Berishën. Në kushtet kur ai gëzon mandatin e deputetit, kërkesa për një masë më të ashpër sigurie do të duhej që të kalojë nga Kuvendi. /Zëri.ai