TIRANË- Policia e Tiranës ka dalë me një reagim zyrtar lidhur me dëmtimin e Gjykatës së Apelit nga protestuesit. Sipas njoftimit të policisë, 5 persona kanë rënë në pranga, mes tyre edhe njw i mitur, dërsa 15 të tjerë janë në kërkim. Të arrestuarit janë Ardit Plaku, Sebastian Rizvani, Lefter Deda dhe Pashk Paluca, të moshave 20 deri në 37 vjeç, si dhe një 16-vjeçar.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/ Dëmtuan me sende të forta, dyert dhe dritaret e godinës së Gjykatës së Apelit, vihen në pranga 5 shtetas, shpallen në kërkim 15 të tjerë.
Sekuestrohet një sasi lëndësh piroteknike. Në vijim të veprimeve hetimore të kryera përgjatë tubimit të sotëm, te Gjykata e Apelit, u identifikuan 20 shtetas që dëmtuan me sende të forta, dyert dhe dritaret e këtij institucioni.
Në vijim, u arrestuan 5 prej tyre, konkretisht shtetasit: A. P., 37 vjeç, S. R., 32 vjeç, L. D., 20 vjeç, P. P., 24 vjeç dhe një i mitur 16 vjeç.
16-vjeçarit, gjatë kontrollit, iu gjetën lëndë piroteknike. Gjithashtu, u shpallën kërkim 15 shtetas të tjerë. Punohet për kapjen e tyre. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.