
TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë një deklaratë të fortë gjatë ditës së sotme, kur ka sulmuar prokurorin, ish-kreun e SPAK, Arben Krajën, në mënyrë indirekte duke e konsideruar bandit. Teksa foli për gazetarët, Berisha la të kuptonte se po sfidonte kreun e SPAK që urdhërin për një masë sigurie më të ashpër ndaj tij ta dërgonte në Kuvend. Kreu i PD, Berisha tha se nëse një kërkesë e tillë do ti drejtohej Kuvendit, ai vetë do të shprehej në favor të heqjes së imunitetit për veten e tij. Berisha u tregua i ashpër dhe me gazetarët, të cilët i kujtuan se urdhëri për t’u paraqitur në SPAK, i ishte dorëzuar në banesë.
Që prej vendosjes së tij nën hetim nga SPAK, Berisha ka hedhur vazhdimisht akuza në drejtim të Prokurorisë së Posaçme. Sipas Berishës prokurorët e SPAK janë në shërbim të Edi Ramës.
“Ditën e sotme unë nuk kam asnjë njoftim, përveç njoftimeve publike. Ato nuk kanë asnjë vlerë. Unë kam një institucion, dhe institucioni zyrtar i punës për mua është parlamenti i Shqipërisë. Çdo njoftim, kushdo që të ketë nga institucionet, për deputetin, e sjell në parlament. Këtu nuk ka ardhur asnjë gjë. Asnjë njeri nuk ka marrë asnjë dokument.
...Ai nuk guxon ta bëjë këtë se duhej të sillej jo si bandit, por si zyrtar dhe të kërkonte që Sali Berisha të paraqitet, këto dhe këto... dhe ta vendoste parlamenti, do ta votonte edhe Sali Berisha vetë.
Por ai nuk e bën këtë se do të sillet si bandit. Dhe ju dhe askush nuk duhet të bëjë avokatinë e një banditi. Se avokatia e një banditi nuk i shërben askujt”, tha Berisha.
Gjatë ditës së sotme, Berisha duhej të paraqitej në SPAK për të zbatuar vendimin e GJKKO-së, dhënë ndaj tij, por ish-kryeministri refuzoi. Ligji parashikon që në rastet kur masa e sigurisë shkelet, Prokuroria, në këtë rast SPAK, mund të kërkojë një masë më të ashpër sigurie për Berishën. Në kushtet kur ai gëzon mandatin e deputetit, kërkesa për një masë më të ashpër sigurie do të duhej që të kalojë nga Kuvendi./Zëri.ai