
TIRANË- E hëna e parë e muajit Nëntor, është dhe dita kur GJKKO ka urdhëruar ish-kryeministrin Sali Berisha që të paraqitet përpara oficeres së policisë gjyqësore pranë SPAK-ut, Adelajda Metaj. Pra sot!
Vetë Berisha në të gjitha daljet e tij për mediat e ka konsideruar antikushtetues vendimin e GJKKO-së, duke mos e njohur rrjedhimisht detyrimin që sot duhet të paraqitet në SPAK, e duke ngritur një sërë pikëpyetjesh proceduriale se si do të duhet që të veprohet në rastin e tij, edhe për shkak të imunitetit të deputetit që ai gëzon.
Por çfarë parashikon ligji një rastet kur personat nën hetim nuk i binden urdhërit të Gjykatës për t’u paraqitur? Duke iu referuar nenit 231 të Kodit të Procedurës Penale, në rast që shkelet masa e sigurimit, gjykata mund të vendosë një masë më të rëndë në drejtim të personit nën hetim.
“Në rast shkelje të detyrimeve që lidhen me një masë sigurimi, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me një masë tjetër më të rëndë, duke mbajtur parasysh rëndësinë, motivet dhe rrethanat e shkeljes. Për shkeljen e detyrimeve që lidhen me një masë ndaluese, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me një masë shtrënguese”, thuhet në nenin 231 të Kodit të Procedurës Penale. Në rastin e Berishës një masë sigurie më e rëndë, padyshim që do të kërkonte një miratim më parë nga Kuvendi, për shkak të imunitetit të tij. E gjithë çështja në ngarkim të Berishës është shoqëruar me përplasje të forta proceduriale, pasi sipas ish-kryeministrit çdo masë sigurie ndaj tij duhej të ishte konsultuar më parë në Kuvend.
Çfarë parashikon Kushtetuta, ku Berisha ka bazuar mbrojtjen e tij:
Neni 73, pika 2
Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit.
Neni 72, pika 3
Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Prokurori i Përgjithshëm ose Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës.
Berisha zgjodhi që as në seancën që u mbajt në GJKKO për masën e tij të sigurisë të mos ishte i pranishëm, ndërkohë që pas përplasjeve me të zgjedhurit e tij për mbrojtjen, atij iu caktuan avokatë kryesisht nga ana e Gjykatës.
Berisha është vënë nën hetim nga SPAK nën akuzën e korrupsionit, ndërkohë që ndaj dhëndrit të tij u caktua masa e sigurisë “arrest me burg”. Ata janë hetuar për privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani, ku sipas SPAK Berisha ka favorizuar dhëndrin e tij, si një nga ish-pronarët e truallit./Zëri.ai