TIRANË- Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një prononcim për mediat, tha se partitë politike duhet të vendosin tani për votën e emigrantëve.
Celibashi deklaroi gjatë konferencës se partitë politike dhe Kuvendi duhet të zbatojnë urdhrin e Gjykatës Kushtetuese, që urdhëroi politikën në dhjetor 2022, që të garantojë ndryshimet ligjore, me qëllim që të mundësohet vota e emigrantëve.
‘Kuvendi dhe partitë politike duhet të vendosin tani në lidhje me votën e emigrantëve. Jemi në dijeni të faktit të Gjykata Kushtetuese ka prodhuar një realitet të tillë që udhëzon Kuvendin në lidhje me këtë çështje. Nëse ky urdhërim i Gjykatës Kushtetuese nuk do të përmbushet, nuk hezitoj ta them që për zgjedhjet 2025, votuesit e diasporës nuk do të mund të votojnë atje ku kanë vendbanimin”, tha Celibashi.
Po ashtu, Celibashi shtoi se po tani, partitë politike duhet të vendosin për votimin elektronik.
“Partitë politike dhe aktorë të tjerë duhet të vendosin tani në lidhje me të ardhmen e votimit elektronik. Nëse kanë interes ta shtrinë do të duhet të vendosin tani dhe do të duhet që fondet të vihen në dispozicion të KQZ-së sa më shpejt të jetë e mundur. Ka qenë një sfilitje nga çdo pikëpamje përgatitja e votimit elektronik për zgjedhjet e fundit lokale.'- u shpreh Celibashi.
Gjithashtu, Celibashi vlerësoi se votimi elektronik ka një kosto jo të vogël financiare.
“Kemi bërë llogari në disa prej bashkive kryesore, ku është numri më i madh i mandate që shpërndahen. Janë 5 qarqe, Tiranë LEZHË, Durrës, Fier, Elbasan. Kemi bërë një vlerësim që shkon rreth gati 37 mln euro, që shkon në mënyrë të përafërt nëse shtrihet në gjithë territorin e vendit, me mundësitë financiare dhe sa vlerë ka që tri shpenzosh për votimin elektronik. Jemi neutral për këtë çështje dhe pa ndonjë konkluzion apo rekomandim. Partitë politike duhet ta marrin këtë vendim tani,. Nëse vendosin qoftë edhe për një qark duhet shumë kohë dhe duhet të trajnohen një kategori e caktuar personash në lidhje me implementim.’- deklaroi Celibashi.
Kryetari i Komisionit Shtetërore të Zgjedhjeve e bëri të qartë se gjithçka duhet zbatuar brenda janarit 2024. Kjo do të thotë se Kuvendi parimisht ka tre muaj kohë, për të mundësuar ose jo votën e emigrantëve./Zëri.ai/