TIRANË- Është mbyllur për 5 minuta seanca e sotme në Kuvend, ku socialistët kaluan me shumicë kartonash, të gjithë projektligjet, përfshirë edhe projektbuxhetin e vitit të ardhshëm. Pavarësisht se opozita ndezi tymuese, e madje edhe zjarr në sallën e Kuvendit, socialistët me shumicën e kartonave kaluan me shpejtësi të gjitha projektligjet që ishin në axhendën e seancës së sotme.
Në seancën e sotme në Kuvend, punonjësit e Gardës janë bërë mburojë para deputetëve të opozitës në mënyrë, që të shmangnin konfliktin fizik. Për herë të parë pas një muaji në sallën e Kuvendit ishte i pranishëm dhe vetë kryeministri Edi Rama, makina e të cilit u pa në oborr rreth orës 09:00 të mëngjesit.
Rama nuk mbajti asnjë fjalim në Kuvend, për shkak të kohës së shkurtër që zgjati seanca. Ishte drejtuesja e Kuvendit Lindita Nikolla ajo që i komunikoi përjashtimin nga seanca deputetit Flamur Noka, pas ndezjes së tymuesve në sallë.
Ndërkohë që zjarrin në një prej tavolinave të deputetëve të opozitës, mësohet se e ka vendosur deputeti Bledion Nallbati, i cili ka një process të hapur në SPAK, pas përplasjes në një prej seancave me deputetin socialist Vullnet Sinaj./Zëri.ai