
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka shkuar sot në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë. Edhe pse priten përplasje në ambientet e Kuvendit, sërish kreu i qeverisë ka shkuar për të votuar projektligjin e buxhetit për vitin 2024. Por menjëherë me mbërritjen e tij, opozita, më konkretisht Flamur Noka kanë nisur me ndezjen e flakadanëve në sallë. Për t'u ndjekur më pas edhe nga kolegët e tij. Të gjithë, vetëm pak më herët, kishin kthyer përmbys karriget duke e bllokuar ambientin e Foltores së Kuvendit.
Kjo ishte paraqitja e parë e Ramës në Kuvend që pas seancës së 12 tetorit, ku pati një interpelancë me opozitën lidhur me qëndrimin e mbajtur për sulmin e ndodhur në Veri të Kosovës, ku edhe u vra një polic shqiptar në Banjskë.
Ndërsa sot, mes tymueseve, karrigeve të mbledhura në Foltoren e Kuvendit, PS miratoi projektligjin më të rëndësishëm atë të pr/buxhetit 2024. Seanca ka zgjatur më pak se 5 minuta për shkak të skenarit të kaosit që deputetët e opozitës edhe kësaj here ishin të vendosur për të mos lejuar zhvillimin normal./Zëri.ai