
TIRANË- Deputetët e PD dhe PS kanë mbërritue në sallën e Kuvendit një orë para nisjes së seancës, e cila pritet që të shoqërohet me tensione, ndërkohë që në rendin e ditës parashikohet diskutimi dhe votimi në parim i projektbuxhetit për vitin e ardhshëm. Për herë të parë pas një muaji, Kryeministri Rama i është drejtuar godinës së Kuvendit, ndërkohë që ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar trazira.
“Zbatojnë urdhra të Ramës, marrin pushtetin parlamentit. Rama nuk njeh ligj dhe as moral”, u shpreh Berisha, duke iu referuar punonjësve të gardës që po kontrollon deputetët e opozitës.
Do ia thoni në sy Ramës që qëndron pas vendosjes së masës së arrestit ndaj jush?
“Nëse nuk ia mbath, do ia them”, u përgjigj ai.
Gjatë ditës së sotme në axhendën e seancës plenare të Kuvendit, që nis në orën 10:00 parashikohet diskutimi dhe votimi në parim i projektbuxhetit të vitit të ardhshëm. Një seancë që do të ishte maratonë, në rast se opozita nuk ia del me skenarin e saj për bllokimin e foltores së Kuvendit. Prej disa ditësh opozita ka paralajmëruar se do të shkaktojë kaos në sallë, pavarësisht masave të shtuara që sipas tyre do të ndërmerren nga Garda e Republikës.
Ishte kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, ai që publikoi gjatë ditës së shtunë një foto, ku sipas tij punonjësit e Gardës po merrnin udhëzime për të bllokuar deputetët e opozitës. Fotoja u përgënjeshtrua në disa media, nga Kuvendi, edhe pse jo zyrtarisht, ku u tha se Lindita Nikolla nuk kishte dhënë asnjë urdhër për shtimin e masave. Të njëjtën qëndrim mbajti gjatë ditës së diel dhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili tha se Rama i ka kërkuar madje dhe RENEA-s që të ndërhyjë për të shtypur deputetët e opozitës.
/Zëri.ai