
TIRANË- Gjatë ditës së sotme në axhendën e seancës plenare të Kuvendit, që nis në orën 10:00 parashikohet diskutimi dhe votimi në parim i projektbuxhetit të vitit të ardhshëm. Një seancë që do të ishte maratonë, në rast se opozita nuk ia del me skenarin e saj për bllokimin e foltores së Kuvendit. Prej disa ditësh opozita ka paralajmëruar se do të shkaktojë kaos në sallë, pavarësisht masave të shtuara që sipas tyre do të ndërmerren nga Garda e Republikës.
Ishte kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, ai që publikoi gjatë ditës së shtunë një foto, ku sipas tij punonjësit e Gardës po merrnin udhëzime për të bllokuar deputetët e opozitës. Fotoja u përgënjeshtrua në disa media, nga Kuvendi, edhe pse jo zyrtarisht, ku u tha se Lindita Nikolla nuk kishte dhënë asnjë urdhër për shtimin e masave. Të njëjtën qëndrim mbajti gjatë ditës së diel dhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili tha se Rama i ka kërkuar madje dhe RENEA-s që të ndërhyjë për të shtypur deputetët e opozitës.
“Edi Rama është i tmerruar nga mosbindja civile e deputetëve të opozitës. Ai ka urdhërua forcat speciale të gardës, policisë, Renean që të shtypin ditën e hënë revoltën e deputetëve të opozitës që protestojnë për të drejtat kushtetuese të popullit opozitar dhe përfaqësuesve të tij në parlament”, shkruante dje Berisha në një postim në rrjetet sociale.
Projektbuxheti është një prej ligjeve më të rëndësishme që kalon në Kuvend, dhe mbetet për t’u parë nëse votimi i tij gjatë ditës së sotme do të ketë të njëjtën fat si diskutimet nëpër komisione, të cilat u mbajtën online, pa debat dhe pa praninë e deputetëve të opozitës. Bardhi dhe Berisha nuk kanë dhënë detaje se si do të jetë aksioni i tyre, mirëpo në seancat e fundit i kemi parë deputetët e PD të ndezin tymuese në sallën e Kuvendit, duke e pamundësuar zhvillimin normal të diskutimeve.
Prej seancës së datës 19 Tetor, opozita ka radikalizuar aksionin e saj parlamentar, me pretendimin se do të rikthejnë parlamentarizmit, pas refuzimit që i ka bërë PS disa prej kërkesave të tyre, që është ngritja e komisioneve hetimore, si dhe zgjedhja e bashkëkryetarit të komisionit për Reformën Zgjedhore. Në seancën e datës 19 Tetor, opozita u ngujua në sallë për disa orë, ku mungonte energjia elektike, pasi fillimisht kishin zaptuar karriget e ministrave.
Ndërkohë që në seancën e datës 30 Tetor, pati dhe përplasje fizike mes palëve, ku Bledion Nallbati tentoi të godiste me grusht deputetin Vullnet Sinaj, çështja mes të cilëve është marrë nën hetim nga SPAK. Aksioni i opozitës në Kuvend, nisi vetëm 2 ditë përpara se Sali Berisha të merrej nën hetim nga SPAK për korrupsion, ndërkohë që u vu në pranga dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. Maxhoranca nga ana e saj ka kaluar ligjet në Kuvend, mes tymit dhe tensioneve, ndërkohë që vetë kryeministri Edi Rama nuk ka qenë i pranishëm në asnjë prej seancave që janë zhvilluar./Zëri.ai