TIRANË- Një orë para nisjes së seancës plenare kanë nisur tensionet në Kuvend. Garda ka kontrolluar të gjithë deputetët e PD për të shmangur futjen e sendeve të paligjshme. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi kërkon që të lëvizë në sallë, punonjësit e Gardës nuk e lejojnë. Ndërkohë Bardhi ka shpërthyer ndaj kryeparlamentares Lindita Nikolla, duke e quajtur mashtruese.
“Ja e shikoni si kontrollohen deputetët e opozitës, na kanë hequr edhe rripat e pantallonave”, shprehet në një video që ka postuar në rrjetet sociale deputeti Asllan Dogjani.
Në seancën e sotme në Kuvend, punonjësit e Gardës janë bërë mburojë para deputetëve të opozitës në mënyrë, që të shmangen konfliktin fizik. Për herë të parë pas një muaji në sallën e Kuvendit pritet që të jetë i pranishëm dhe vetë kryeministri Edi Rama, makina e të cilit u pa në oborr rreth orës 09:00 të mëngjesit.
Gjatë ditës së sotme në axhendën e seancës plenare të Kuvendit, që nis në orën 10:00 parashikohet diskutimi dhe votimi në parim i projektbuxhetit të vitit të ardhshëm. Një seancë që do të ishte maratonë, në rast se opozita nuk ia del me skenarin e saj për bllokimin e foltores së Kuvendit. Prej disa ditësh opozita ka paralajmëruar se do të shkaktojë kaos në sallë, pavarësisht masave të shtuara që sipas tyre do të ndërmerren nga Garda e Republikës.
Ishte kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, ai që publikoi gjatë ditës së shtunë një foto, ku sipas tij punonjësit e Gardës po merrnin udhëzime për të bllokuar deputetët e opozitës. Fotoja u përgënjeshtrua në disa media, nga Kuvendi, edhe pse jo zyrtarisht, ku u tha se Lindita Nikolla nuk kishte dhënë asnjë urdhër për shtimin e masave. Të njëjtën qëndrim mbajti gjatë ditës së diel dhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili tha se Rama i ka kërkuar madje dhe RENEA-s që të ndërhyjë për të shtypur deputetët e opozitës.
/Zëri.ai