Politikë

Berisha ‘live’ në ‘Facebook’: Linda Rama solli pallat në pajë, Garda të vetëpërmbahet

Berisha ka hyrë live në rrjetet sociale, ku ka denoncuar ndërhyrjen e Gardës përpara deputetëve të opozitës, për të shmangur incidentet

E.K
Berisha ‘live’ në ‘Facebook’: Linda Rama solli
Sali Berisha nga Kuvendi

TIRANË- Shumë minuta para nisjes së seancës plenare, ish-kryeministri Sali Berisha ka mbajtur një fjalim në rrjetet e tij sociale, ku ka akuzuar Edi Ramën dhe bashkëshorten e tij për korrupsion. Berisha tha se Linda Rama, solli “pallat në pajë”, që sipas Berishës është ndërtuar me vjedhje dhe korrupsion.

“Zonja Rama, solli pallat në pajë, për atë pallat nuk ekziston asnjë faturë. Ajo u shpreh në media thjesht që është ndërtuar me para gjaku. E vërteta është që ajo është ndërtuar me vjedhje dhe korrupsion. Për të shpëtuar nga krimi, janë të gatshëm të paraqesin çdolloj preteksi”, tha Berisha.

Ai ka shtuar se parlamenti është shndërruar në një repart ushtarak për shkak të numrit të lartë të gardistëve dhe kontrolleve të ushtruara ndaj deputetëve të opozitës.

“Ja si e shndërruan parlamentin në një repart ushtarak. Vetë është strukur dhe ka ardhur herët nga frika të mos i bllokohet dera”, shtoi ish-kryeministri, ndërkohë që pati dhe një këshillë për punonjësit e Gardës.

“Ju këshilloj që të vetëpërmbaheni dhe të mos zbatoni asnjë urdhër që është në një proces hetimor ndërkombëtar”.

Në seancën e sotme në Kuvend, punonjësit e Gardës janë bërë mburojë para deputetëve të opozitës në mënyrë, që të shmangen konfliktin fizik. Për herë të parë pas një muaji në sallën e Kuvendit pritet që të jetë i pranishëm dhe vetë kryeministri Edi Rama, makina e të cilit u pa në oborr rreth orës 09:00 të mëngjesit.

Gjatë ditës së sotme në axhendën e seancës plenare të Kuvendit, që nis në orën 10:00 parashikohet diskutimi dhe votimi në parim i projektbuxhetit të vitit të ardhshëm. Një seancë që do të ishte maratonë, në rast se opozita nuk ia del me skenarin e saj për bllokimin e foltores së Kuvendit. Prej disa ditësh opozita ka paralajmëruar se do të shkaktojë kaos në sallë, pavarësisht masave të shtuara që sipas tyre do të ndërmerren nga Garda e Republikës./Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB