TIRANË- Gjashtë punonjës të Policisë së Shtetit kanë mbetur të plagosur gjatë protestës së studentëve para Ministrisë së Arsimit. Për incidentet ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme Ervin Demo i cili dënoi dhunën ndaj efektivëve dhe u bëri thirrje protestuesve të shmangin përshkallëzimin e tensioneve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Demo theksoi se e drejta për të protestuar nuk mund të përdoret si justifikim për sulmet ndaj punonjësve të policisë të cilët po kryenin detyrën për garantimin e rendit dhe sigurisë.
“Gjashtë efektivë të Policisë së Shtetit mbetën të plagosur ndërsa kryenin detyrën për garantimin e rendit dhe sigurisë. E dënoj pa asnjë rezervë dhunën ndaj tyre. Goditja e një punonjësi policie nuk është ushtrim i së drejtës për të protestuar”, tha ministri.
Demo u bëri thirrje pjesëmarrësve që të ruajnë qetësinë dhe të mos ndërmarrin veprime që mund të shtojnë tensionet gjatë protestës.
“U bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësve të ruajnë qetësinë. Dhuna nuk justifikohet. Në këto momente, përgjegjësia e secilit është të kontribuojë në uljen e tensioneve”, tha ai.
Ministri shprehu gjithashtu solidaritetin me efektivët e plagosur, duke u uruar atyre shërim të shpejtë dhe duke theksuar mbështetjen për familjet e tyre.
“U uroj shërim të shpejtë efektivëve të plagosur. Ata dhe familjet e tyre kanë mbështetjen dhe solidaritetin tim të plotë”, shkroi Demo.
Në reagimin e tij, ai nënvizoi se Policia e Shtetit do të vijojë të garantojë rendin dhe sigurinë publike, duke respektuar të drejtën e qytetarëve për të zhvilluar protesta paqësore dhe duke vepruar në përputhje me ligjin.
“Policia e Shtetit do të vijojë të përmbushë detyrën e saj për garantimin e rendit dhe sigurisë, duke respektuar të drejtën për protestë paqësore dhe duke vepruar me profesionalizëm, përmbajtje dhe në përputhje me ligjin”, tha ministri./ZËRI