Politikë

Faza 2 e 'Territoriales'-PD largohet nga Konferenca e Kryetarëve: Tallje! Balla i fton të bashkohen: Bujrum...reflektoni

Partia Socialiste ka kërkuar të ngrihet një Komision i Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale, ndërsa demokratët janë shprehur kundër.

F.I
Faza 2 e 'Territoriales'-PD largohet nga Konferenca e Kryetarëve:
foto ilustruese

TIRANË-Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve lidhur me fazën e dytë të Reformës Territoriale po zhvillohet mes debateve nga përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës. Partia Socialiste ka kërkuar të ngrihet një Komision i Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale, ndërsa demokratët janë shprehur kundër. 

PS ka propozuar që komisioni të ketë 16 anëtarë dhe një mandat 9-mujor për të shqyrtuar kuadrin ligjor, hartuar ndryshimet e nevojshme dhe ndjekur zbatimin e ndarjes së re territoriale, në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Në shenjë kundërshtimi ndaj vendimmarrjes në Kuvend, opozita ka braktisur mbledhjen.

Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka akuzuar mazhorancën, se po i trajton në mënyrë të papërgjegjshme kërkesat e opozitës. Sipas saj synimi i Reformës nuk ishte përmirësimi i qeverisjes vendore, por krijimi i një harte elektorale. 

Jorida Tabaku: Të jemi seriozë për rolin tonë si deputetë. Nuk besoj se ka vlerë të diskutojmë për të bërë një punë që e kishim për detyrë ta bënim, por që nuk u bë. Tani po ngrihet një komision tjetër, pasi komisioni i parë shërbeu vetëm për të vizatuar hartën. Kjo kërkesë është kopje e asaj që parashikohej në objektin e vendimit të Kuvendit të tetorit të vitit të kaluar. Atëherë ju votuat kundër, ndërsa tani e sillni sërish për votim dhe jeni pro. Kjo nuk është serioze. E keni kthyer Kuvendin në tallje. Kërkesat që keni refuzuar tre muaj më parë, i sillni këtu copy-paste dhe kërkoni t’i votoni.

Ndërkohë, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh se përfaqësuesit e opozitës u larguan nga salla pa dëgjuar asgjë. Balla në përfundim të mbledhjes ftoi Partinë Demokratike, që të bëhet pjesë e Komisionit të Posaçëm për fazën e dytë të Reformës Territoriale.

Taulant Balla: Nuk e kuptova qëndrimin e PD-së. Ishte një deputete aty që parashtroi qëndrimin e PD-së. Uroj që deri të enjten të ketë reflektim. Kolegia iku pa dëgjuar përgjigjen për diskutimin që është bërë në korrik. Në korrik kërkesa u parashtrua gabim, pasi nuk u parashtrua në momentin e duhur. Edhe në 2014-ën në fillim kemi votuar hartën, pastaj kemi punuar për 4 shtyllat e tjera, përfshi kuadrin ligjor dhe financat vendore. Kur këta të PD-së nuk kanë qenë në Parlament në vitin 2020, ne kemi votuar një ligj për rajonet dhe në bazë të atij ligji kemi ngritur edhe shërbimet për rajonet. Ka pasur propozime nga deputetë që kjo nuk ka qenë produktive, hajde ta diskutojmë. Opozita, edhe për të qenë koherente me ato që kanë kërkuar e propozuar, duhet ta vazhdojë. Që ditë më parë, në emër të mazhorancës, si kryetar i Grupit unë u kam thënë që ‘ne do të vijmë me propozimin për të vijuar punën. Bujrum, hajdeni, mos e lini karrigen bosh.

Propozimi për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar vjen pas miratimit të Reformës Territoriale në Kuvend, në seancën maratonë që zgjati deri në orët e para të 9 nëntorit. Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 85 vota pro reformën e re territoriale, për uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46./ZËRI

Poll

MOS HUMB