LUKSEMBURG-Sot, në Luksemburg, zhvillohet Konferenca e 10-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE, ku pritet të formalizohet mbyllja e negociatave për Kapitullin 20, “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”. Takimi do të mbahet në orën 17:00, ku delegacioni shqiptar do të kryesohet nga kryeministri Edi Rama.
Vetë kreu i qeverisë ka njoftuar takimin, me anë të video në rrjete sociale, ku shprehet se Shqipëria hedh një tjetër hap drejt Bashkimit Europian, duke mbyllur Kapitullin 20 në Konferencën e 10-të të negociatave të Anëtarësimit në BE.
View this post on Instagram
Kapitulli 20 përqendrohet te politikat për zhvillimin e sipërmarrjes dhe industrisë. Në fokus të tij janë mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përmirësimi i klimës së investimeve dhe forcimi i aftësisë së ekonomisë për t’u integruar në Tregun e Vetëm Evropian.
Ky kapitull përfshin gjithashtu masa për inovacionin, digjitalizimin, tranzicionin e gjelbër, zhvillimin e aftësive sipërmarrëse dhe rritjen e produktivitetit të sektorit privat, në përputhje me politikat dhe praktikat më të mira evropiane.
AXHENDA
16:40 – Nisja drejt Qendrës Europiane të Konventave.
16:45 – Doorstep.
16:50 – Fotografi e përbashkët e Kryeministrit Edi Rama, Komisioneres Marta Kos dhe Ministrit Thomas Byrne.
17:00 – Hapja e Konferencës së 10-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE dhe miratimi i agjendës.
17:45 – Përfundimi i Konferencës Ndërqeveritare dhe vijimi i konferencës për shtyp; Kryeministri Edi Rama, Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos dhe ministrin irlandez, Thomas Byrne./ZËRI
