
TIRANË-Në konferencën me gazetarët, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta tregoi arsyet se pse u thirr sot në Prokurorinë e Posaçme. Kreu i PL-së u pyet edhe për gruan e tij Monika Kryemadhi që ishte dje në Prokurorinë e Posaçme. Meta tha se Kryemadhi ka pronat e saj, edhe prej familjes dhe nënës me të cilat ai vetë nuk është marrë kurrë, pasi ka bërë vetëm politikë.
Ndër të tjera ai u pyet nëse ka frikë nëse mund të arrestojnë bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, pas hetimit pasuror që ka nisur ndaj tyre. Meta u shpreh se nuk merret me parashikime.
"Nuk po merrem me parashikime... mund të arrestojnë edhe Sashën, macen tone që më mungon shumë. Beteja ime nuk ka kthim pas dhe të gjithë shqiptarët do të hedhin Katicat e ramaformës,"- tha Meta.