
TIRANË- Prej disa muajsh, është rritur tatimi për profesionet e lira në Shqipëri, duke e çuar në 30% të fitimit, gjë që ka çuar në pakënaqësi të shumta, por edhe në disa padi në Gjykatën Kushtetuese. Shumë profesionistë janë shprehur që të shpërngulen në vende të tjera, përfshirë edhe Kosovën, ku tatimi është shumë më i ulët. Këto debate janë zhvendosur dje në sallën e Kuvendit, ku deputeti socialist Erion Braçe ka replikuar me Jorida Tabakun.
Braçe tha se kush dëshiron le të largohet në Kosovë, pasi për Shqipërinë nuk ka asnjë problem.
“Kush janë këta që të paguajnë zero, ndërkohë që pastruesi i Kuvendit paguan tatim? Duan të ikin në Kosovë? Po patjetër të ikin, se ua mat kokën me pe ai atje matanë”, deklaroi Braçe duke iu referuar Albin Kurtit.
Ky ligj që rëndon barrën e të regjistruarve si profesionistë të lirë në Tatime, aktualisht është në Gjykatën Kushtetuese pas kallëzimit që ka bërë opozita por edhe disa shoqata. Vendimi final nuk është marrë ende, ndërkohë që ndikimi pritet të transferohet te qytetarët, për shkak të rritjes së çmimit për disa shërbime./ZËRI