
TIRANË- Deputetët e opozitës kanë kërkuar interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama, pas deklaratave nga arratia të bëra nga ish-numri 2 i qeverisë Arben Ahmetaj. Kërkesa është dorëzuar në Kuvend nga deputeti i PD-së Arbi Agalliu.
“Partia Demokratike kërkon interpelancë urgjente me Edi Ramën për akuzat e Arben Ahmetaj. Arbi Agalliu, sekretari i grupit të PD, depoziton kërkesën në Kuvend për interpelancë urgjente. Ahmetaj deklaroi se pronarët e vërtetë të inceneratorëve janë Edi Rama dhe Erjon Veliaj", thuhet në njoftimin e PD zyrtare.
Të enjten e kaluar, ish-numri 2 i qeverisë Arben Ahmetaj, në një intervistë televizive hodhi akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama, për të cilin tha se donte që ta bënte kokë turku, për t’i shpëtuar përgjegjësisë për inceneratorët.
Ahmetaj tha gjithashtu se Erion Veliaj është pronari faktik i inceneratorit të Tiranës. Vetë ai dyshohet se po qëndron në Zvicër ku ka nisur dhe procedurat për marrjen e azilit. Pavarësisht se akuzat e tij ishin direkte dhe të forta, e madje hodhi dhe dyshime se ishte kërcënuar me jetë, nga socialistët në pushtet nuk ka pasur deri tani asnjë reagim. Mbetet të shihet nëse Rama do ta pranojë apo jo kërkesën e opozitës për interpelancë në Kuvend. /ZËRI