
TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha u ka bërë thirrje që të gjithë qytetarve që të dalin dhe të protestojnë përballë Kuvendit. Nga dritarja e shtëpisë ku është mbyllur me urdhër të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Berisha ftoi edhe socialistët që të bashkohen në protest, duke marrë si pikënisje intervistën e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, i cili akuzoi kryeministrin Edi Rama nga arratia. Berisha tha se Ahmetaj është kërcënuar nga Rama, njësoj siç kërcënonte diktatori Enver Hoxha armiqtë e tij. Kryetari i PD-së Sali Berisha akuzoi sërish Altin Dumanin se po përpiqet që të mbyllë aferën Rama-McGonigal.
Pjesë nga fjala e Sali Berishës:
Sonte përsëri ftoj demokratët kudo që janë të bashkohen me ju në këtë mision të madh, të bashkohen me ju në këtë betejë historike për shpëtimin e Shqipërisë. Të sigurt se fitorja është fati ynë, destinacioni ynë. Protesta juaj, fjalët tuaja më përfaqësuese se askund tjetër nga kjo tribunë, me dhjetëra e dhjetëra drejtues dhe anëtarë të PD, por edhe qytetarë, mbështetës së saj, intelektualë të shquar, mjekë, artistë, inxhinierë, të rinj, vajza, nëna, motra, kanë ngritur zërin, kanë denoncuar më shumë se nga çdo platformë tjetër në 30 vite. Kjo protestë është frymëzim për çdo shqiptar që e ndjen veten të tillë, pa parti, të bindjeve të ndryshme, por që beson se Shqipëria është dheu i tij, dheu i dashur i tij. Se Shqipëria është dhe i bekuar dhe jo tokë e mallkuar siç e ka shndërruar Edi Rama. Ndaj i ftoj ata të bashkohen në këtë betejë për dinjitet, në këtë betejë për liri, në këtë betejë për Shqipëri, të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë. Socialistë të ndershëm, e keni mision të ngriheni kundër tij. Se Edi Rama nuk është gjë tjetër veçse një padrino, i cili kur kërcënon zëvendësin e tij, ndihmësin, bashkëpunëtorin e tij kryesor, imagjinoni se çfarë mund të bëjë me ju. Të dashur fermere dhe fermerë, Europa sot po zien nga zëri u fuqishëm i fermerëve europianë. Fermerët e Gjermanisë, Francës dhe vendeve të tjera po mbushin me traktorë dhe mjetet e tyre rrugët dhe sheshet e qyteteve evropiane. Kur shoh ata në protestë dhe mendoj për gjendjen tuaj, ju garantoj se ju sot jeni skllevërit e vërtetë të Europës. Ju jeni qytetarët, fermerët që jetoni në skllavërinë e këtij regjimi. Jetoni në një skllavëri shkatërrimtare për ju. Fermat tuaja falimentojnë çdo ditë. Prodhimet tuaja shkatërrohen çdo ditë. Mjerimi, disfata troket çdo ditë në vatrat tuaja, pavarësisht se ju derdhni djersën lumë për veten dhe familjet tuaja. Ju rikujtoj se ata fermerë që shihni në Paris, në Berlin, për çdo kokë lopë, marrin 4 euro. Për hektar tokë marrin më së paku 1500 euro. Subvencionohen në çdo gjë. Por ata janë ngritur sepse çmimet e tregut, inputet që blejnë, shpenzimet që bëjnë ua kanë ulur në maksimum fitimet. Krahasoni ju veten sot. Ju blini me çmime edhe më të shtrenjta se ata, kurse prodhimet për shkak të mollëve që vijnë nga Serbia apo patateve që vijnë nga Maqedonia, frutave të tjera, ju kalben. Ndaj dhe bashkohuni në këtë protestë, merrni traktorët, merrni veglat tuaja, sfurqet dhe çdo gjë, merrni lopët, merrni gjithçka keni, dilni në rrugë, dilni në protestë, dilni të fitojmë. Dilni se po nuk protestuat ju, toka juaj në shkretëtirë do kthehet ose do merret nga klanet e drogës të Edi Ramës. Dilni në protestë sepse shkatërrimi juaj është shkatërrimi i Shqipërisë. Askush të mos mendojë se Dumani do të hetojë, përkundrazi Dumani është bashkautor me mbrojtjen që i bën në të gjitha krimet Edi Ramës. Para dy javësh deklaroi se po heton skandalin McGonigal, e vërteta është se po bën gjithçka të mbyllë superskandalin e shekullit. Asnjë nga ata që kanë denoncuar publikisht gjobëvënësit Edi Rama-McGonigal-Duçka e Neza e kompani, nuk janë thirrur për t’u pyetur. Skapi nuk do dëshmitarë kundër Edi Ramës. Skapi nuk do dëshmitarë kundër Erion Veliajt. Arben Ahmetaj u deklaroi shqiptarëve se ndërsa merrej me laminatet dhe pllakat në banjon dhe kuzhinën e tij, nuk merrej me zhdukjen e 60 milionë eurove në Dubai, para të paguara nga taksapaguesit për ndërtimin e djegësit të Tiranës. A ka dëgjuar ndonjë prej jush se çfarë u bë me 30 milionë euro që u faturuan në sipërmarrje të të moshuarve në azil të pleqve? Çfarë u bë me to? Dumani i partisë merret me pllakat dhe laminatet, por nuk merret me 130 milionë euro të zhdukura për ndërtimin e djegësit të Tiranës, për të cilin nuk ekziston asnjë gjurmë.