Politikë

‘Është kërcënuar me jetë’, Meta për intervistën e Ahmetajt: S’pranoi të bëhet ‘kokë turku’

Kreu i PL Ilir Meta ishte në Korçë, ku foli për akuzat e Arben Ahmetajt ndaj qeverisë Rama.

D.XH
‘Është kërcënuar me jetë’, Meta për
Ilir Meta

KORÇË – Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka komentuar deklaratat e ish-zv kryeministrit të vendit, Arben Ahmetajt, për inceneratorët dhe akuzat që hodhi në drejtim të kryeministrit Edi Rama. Nga Korça, Meta deklaroi se Ahmetaj nuk pranoi që të jetë një ‘kokë turku’ dhe prandaj zgjodhi që të largohet, pasi kjo ishte rruga e duhur. Meta u shpreh se Ahmetaj është kërcënuar me jetë. “Ahmetaj nuk pranoi që të ishte kokë turku dhe prandaj zgjodhi atë rrugë, por në mendimin tim ishte e gabuar, por është kërcënuar me jetë”, u shpreh Meta.

Kreu i PL theksoi se nuk ka pasur ndonjë raport të veçantë me Arben Ahmetajn, duke shtuar se kryeministri Rama ka pasur në të shkuarën raport të afërt me të. Meta tha se ish-zv kryeministri nuk është nën akuzë për shkeljet që ka bërë, por shtoi se është dënuar në Mbledhjen e Kryesisë të PS-së me një shprehje tejet banale. Kryetari i PL iu referua deklaratës së Ahmetajt, se Rama i kishte thënë se “do ta çonte në të s*mës”. Për Metën, Ahmetaj e tha saktësisht se çfarë fjalësh janë thënë nga kryeministri, për të shprehur të vërtetën që ka ndodhur në mbledhjen e Kryesisë të Partisë Socialiste.

“Është në traditën e partisë të Dushan Mugoshës dhe Ballkanit të Hapur që armiqtë e brëndshëm t’i shpalli duke i damkosur në shërbim të dikujt tjetër. Nga ajo intervistë u kuptua qartë që nuk është akuzuar Ahmetaj nga shkeljet që ka bërë në një mënyrë të pavarur, por që e ka dënuar në radhë të parë në mbledhjen e kryesisë së partisë me atë shprehjen që këtu nuk e them dot, por ai e tha për të qëndruar besnik i të vërtetës që ka ndodhur në mbledhjen e kryesisë.

Unë nuk kam patur asnjë raport të vecantë me këtë zotëri. Për inceneratorët se çfarë thotë sot Ahmetaj ju e dëgjuat vetë, por unë për inceneratorët kam folur prej kohësh, kam bërë kallëzime, disa prej atyre që janë dënuar janë pikërisht nga ato fakte. Ahmetaj nuk pranoi që të ishte kokë turku dhe prandaj zgjodhi atë rrugë por që më mendimin tim ishte e gabuar, por është kërcënuar me jetë. Nuk është gjë e re ajo që ka thënë, por vjen si e re, pasi dëshmoi nr 2 i qeverisë për 10 vite, i cili bëri të qartë që nuk kishte rol edhe në mendimin tim për këtë çështje ai mund të jetë i fundit, kryeministri dhe kryetari i bashkisë janë të parët”, u shpreh Meta.

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka qenë sot për një vizitë në Korçë, ku ka shprehur mendimet e tij, për situatën në vend./ZËRI/

Poll

MOS HUMB