
TIRANË- Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka sulmuar prokurorët e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Sipas tij, një prokurori të SPAK (Altin Dumani) një organizatë fetare i ka falur banesën ku jeton, ndërsa një prokuror tjetër (Arben Kraja) ka një vilë si e tija, që u sekuestrua në Gjirin e Lalzit, por që e ka marrë me gjysmën e çmimit. Po ashtu, ndër të tjera ai deklaroi se është nxjerrë në “pritë” nga Kryeministri Edi Rama, si dhe ka pasur presion ndaj prokurorëve që të nxjerrin dosjet. Gjatë intervistës së tij, në “Çim Peka Live”, ai u ndal tek kanabizimi i vendit dhe investimi në portin e Durrësit.
Pyetje: Kanabizmi ishte krimi i ekonomisë?
Arben Ahmetaj: Unë e kam shprehur, e kam kërkuar me forcë heqjen e kanabisit sepse do fuqizojë krimin. Pse Kolumbia ku është?
Pyetje: Buka në Dubai, ajo që ndodhi me portin e Durrësit, a ishte aferë?
Arben Ahmetaj: Alabar nuk pastron paratë e askujt. A duhet të zhvillohet ajo zonë, unë mendoj që po. Unë do kisha zgjedhur një formulë tjetër. Kur bëhet llogaria që do sjelli 10 mld, nuk gjykohet kështu. Unë në përgjegjësi jam një njeri i qetë, por brenda vetes në lëvizje. Unë preferoj ta them atë që mendoj, kam folur gjithmonë dhe tek ajo që kam besuar, kam ngulur dhe këmbë. Ka shumë debate, nuk mbarojnë debatet, pse nuk u bë koncesioni i TVSH? Pse nuk u bë? Unë personalisht kam qenë kundër. Në fund, Rama ra dakord që nuk duhet bërë.
Pyetje: Ecopark, duhej bërë?
Arben Ahmetaj: Mendoj që duhej bërë por ju si gazetar, e keni investiguar? Se këtu janë përmendur 350 emra, Keilis Ahmetaj, 3 vjeç, është përmendur 30-40 herë. Cilët janë gurët e këtij investimi? Pse një privat ka bërë projekt, pse është një nga njerëzit e afërt të kryeministrit?Në fillim u bë si projekt privat dhe më pas e morën njerëz të lidhur me kryeministrin. Pse budalla ka qenë Alqi Bllako që nuk e firmosi? Vetëm budalla që nuk është. Më pyete për Ecoparkun, ndërkohë që në rrethin tim janë masakruar të gjithë. Familja e Erjolës i ka shitur një shokut tim shtëpinë, e di që SPAK kërkoi të merrte çarçafët që të bënte analiza a kam fjetur unë apo jo. Një prokurori i ka falur shtëpi një organizate fetare. Është Altin Dumani. Një prokuror e ka të njëjtën vilë me gjysmën e çmimit. Arben Kraja. Këta i ka turrur Ed Rama kundër meje. I bindur? Jam përtej bindjes! Jam nxjerrë në pritë është organizur presion ndaj prokurorëve që të lëshonin dosjet. Ç'do bëja? Një nga akuzat për korrupsion, e cila është? Që unë kam bërë rialokime si ministër financash. Ej, a je jurist? Është proces, ka rialokime. Pse këtu, ai thotë që ky është korrupsion. I bie që të marrë këdo nga ministrat. Kjo është akuza për korrupsion./ZËRI