
TIRANË- Deputetja demokrate, Dhurata Çupi ka kërkuar që socialistja Klotilda Bushka të japë dorëheqjen nga posti i kryetares së Komisionit të Ligjeve, pasi është duke u hetuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Emri i Bushkës përmendet në dosjen që çoi në arrestimin e Erion Veliajt. Çupi shprehet se Komisionet janë keqpërdorur nga socialistët për të mbuluar veprimet e paligjshme të kryeministrit Edi Rama. Nënkryetjarja e Komisionin të Ligjeve bëri thirrje që Bushka të japë dorëheqjen menjëherë, duke u shprehur se Komisioni i Ligjeve nuk duhet të merret zvarrë për të mbuluar korrupsionin e mazhorancës.
"Si nënkryetare e Komisionit të Ligjeve, jam shumë e keqardhur për qëndrimin antishtet të mbajtur nga Kryetarja e Komisionit të Ligjeve gjatë hetimit të miqve të saj politikë dhe të biznesit, Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa. Pengimi i hetimeve, duke ndihmuar në shkatërrimin e telefonit si mjet për provat e korrupsionit të çiftit Veliaj-Xoxa; Pengimi i hetimeve duke orientuar dëshmitarët të japin dëshmi të rreme; Pengimi i hetimeve për të mësuar se kompania guackë e Ajola Xoxës kishte adresën e shtëpisë së Kryetares së Komisionit të ligjeve; Të gjitha këto akte janë të dënueshme moralisht, politikisht dhe penalisht.
Komisioni i Ligjeve, Këshilli i Mandateve, Sekretariati për procedurat votimet dhe etiken, është keq përdorur këto vite për të mbrojtur paligjshmërinë e Edi Ramës përmes ligjeve me porosi, dënimit me porosi të opozitës apo mbrojtjen me porosi të mandateve antikushtetuese. Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, duhet të japë dorëheqjen! Komisioni i Ligjeve nuk duhet të merret zvarrë nga prangat e Erion Veliajt dhe pafuqia e Edi Ramës për të mbuluar korrupsionin e tmerrshëm të mazhorancës dhe qeverisë që drejton”, deklaroi Çupi.
Deputetja socialiste Klotilda Bushka është nën lupën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bushka po hetohet nga SPAK për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Bushka ka ndërhyrë në hetimet e SPAK ndaj Erion Veliaj në dhjetor të vitit 2024. /ZËRI