
TIRANË-Mbledhjen e Edi Ramës me deputetët socialistë, Sali Berisha e krahasoi me takimet e Byrosë Politike të Ramiz Alisë në fund të pushtetit komunist. Berisha akuzoi Ramën për fshehjen e një “pazari” politik, ku shkëmbimi i kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj me Olsi Ramën është përdorur si një marrëveshje që Rama ka bërë me Altin Dumanin. Berisha gjithashtu komentoi mënyrën se si Rama ka menaxhuar çështjen e pasurisë së Veliajt, duke u përpjekur të mbulojë një dyshim të madh për shpenzimet e mëdha të kryebashkiakut dhe bashkëshortes së tij.
Ndër të tjera Berisha ka dënuar ashpër edhe deklaratën e Ramës ndaj ish-presidentit Ilir Meta në burg, duke e quajtur një akt banditesk dhe hakmarrës nga ana e kryeministrit. Rama deklaroi se emërimin e zv.ministres Gentjana Sula ia ka kërkuar kryetari i Kuvendit gjatë kohës kur PS ishte në koalicion me LSI. Berisha paralajmëroi Ramën se çdo pasojë e këtij veprimi do t’i kthehet atij personalisht. Berisha thekson se kontrollet mbi burgjet janë nën autoritetin e Ramës dhe Ulsi Manjës, duke sugjeruar se kërcënimi ndaj Metës është një akt i drejtpërdrejtë hakmarrës.
"Sot qytetarët shqiptarë ndoqën LIVE mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të partisë dhe dëgjuan një fjalim copy-paste me atë që mbante Ramiz Alia kur drejtësia e Sigurimit të Shtetit filloi t’i dalë nga duart. Sot, Edi Rama ishte më i dystuar se kurrë në jetën e tij. Nga njëra anë donte me çdo kusht të mbulonte pazarin që kishte bërë me Altin Dumanin, shkëmbimin e Erion Veliajt me Olsi Ramën. Besoj se nuk mbeti njeri pa e kuptuar që Erion Veliaj ishte çmimi që u pagua për Olsin. Dhe, në fjalimin anatemik të tij, të mallkimit universal, njeriu i vetëm që tregoi se ishte aleat i tij, ishte Altin Mercenari, Altin Dumani. Fjala e Edi Ramës në aspekte të tjera ishte fjala e një njeriu që e di se e presin ndëshkime të rënda për krimet që ka kryer. Ai bëri gjithçka të sfumojë vjedhjen e tmerrshme të Erion Veliajt dhe bashkëshortes së tij. Sipas Edi Ramës, 870 mijë euro fustane, të brendshme dhe të jashtme, nuk duheshin bërë publike. Në një kohë kur kishte urdhëruar të bëhen publike emrat e 3 fëmijëve me autizëm që mbrohen nga çdo konventë ndërkombëtare, vetëm e vetëm se ata u sponsorizuan, u ndihmuan nga dhëndri dhe vajza ime për t’u trajtuar në qendrën rajonale të autizmit. Kurse tani të brendshmet dhe të jashtmet 870 mijë euro të Velicës nuk duheshin bërë publike. Edi Rama deklaroi se ka krijuar Republikën e Prokurorëve. Jo. Është narkodiktaturë, ata nuk janë gjë tjetër vetëm mercenarë. Se padrino, se arkitekt i kësaj është Edi Rama,"-u shpreh Sali Berisha.
Nga arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, kryeministri Edi Rama ka kundërshtuar hetimin pasuror ndaj Erion Veliajt. Rama ka kritikuar veprimet e fundit të institucioneve të drejtësisë dhe kërkon të tregojnë provat dhe faktet. Kreu i qeverisë ka kërkuar që seancat e marrjeve në pyetje nga Prokuroritë të regjistrohen.
Ndërkohë kryebashkiaku Erion Veliaj do të njihet sot në GJKKO me masën e sigurisë. Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në “arrest shtëpie”. Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, ndërsa Xoxa për korrupsion në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie./ZËRI