Aktualitet

Arrestimi i Veliajt/ SPAK: Po hetojmë Klotilda Bushkën, ka kryer veprime për të penguar hetimin

Bushka ka ndërhyrë në hetimet e SPAK ndaj Erion Veliaj në dhjetor të vitit 2024.

I.F
Arrestimi i Veliajt/ SPAK: Po hetojmë Klotilda Bushkën, ka kryer
Klotilda Bushka

TIRANË- Jo vetëm kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj por edhe deputetja socialiste Klotilda Bushka është nën lupën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Mësohet se Bushka po hetohet nga SPAK për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Bushka ka ndërhyrë në hetimet e SPAK ndaj Erion Veliaj në dhjetor të vitit 2024. Kjo vepër penale përfshin kryerjen e veprimeve për të ndryshuar vendin e kryerjes së veprës penale duke prishur, ndryshuar apo fshirë gjurmët e saj ose duke lëvizur, fshehur, asgjësuar, vjedhur, falsifikuar një send apo një dokument me qëllim për të vështirësuar dhe penguar zbulimin e veprës penale dhe të autorit të saj.

Kjo vepër penale dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Ende nuk bëhet me dije në cilën formë ka ndërhyrë deputetja në hetimet që janë kryer për kryebashkiakun. Sakaq nga ana e saj nuk ka ende një reagim për hetimet që po zhvillohen. 

Më 27 dhjetor 2024, Veliaj u paraqit në Prokurorinë e Posaçme ku dëshmoi lidhur me hetimet e regjistruara nga organi i drejtësisë për veprën penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”.

“Përveç sa është përmendur mësipër, Prokuroria e Posaçme po kryen hetime paraprake ndaj deputetes së Kuvendit të Shqipërisë, shtetases K. B. Emri i kësaj të fundit është regjistruar në regjistrin përkatës të njoftimeve si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal. Deri në këtë fazë konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete të cilat të çojnë tek dyshimi i arsyeshëm se personi nën hetim K. B. ka kryer veprime aktive të kundërligjshme të cilat kanë interferuar me hetimin e organit procedues në lidhje me procedimin penal nr. 27 të vitit 2024.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar falenderon Policinë e Shtetit për bashkëpunimin në fazën e ekzekutimit të masave të siguris”, njofton SPAK.

Ndërsa sot, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masë sigurie "arrest me burg" për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Ndërkohë bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në "arrest shtëpie".

Mësohet se GJKKO ka lëshuar dhe tre masa detyrim me paraqitje. Sipas SPAK, kryebashkiaku Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa kanë ideuar dhe vendosur nën funksion një mekanizëm për përfitime të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë. /ZËRI

Poll

MOS HUMB