Politikë

Nën hetim nga SPAK, Klotilda Bushka: Më kanë futur emrin në dosje pa më thirrur asnjëherë

Pasi u përball me akuzat e opozitës në mëngjes në Komisionin që ajo drejton, kësaj here Bushka ka zgjedhur rrjetet sociale për të bërë një reagim.

k.m.
Nën hetim nga SPAK, Klotilda Bushka: Më kanë futur emrin në
Klotilda Bushka

TIRANË- Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka ka bërë për herë të parë një reagim zyrtar për përfshirjen e emrit të saj në dosjen e SPAK për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj. Pasi u përball me akuzat e opozitës në mëngjes në Komisionin që ajo drejton, kësaj here Bushka ka zgjedhur rrjetet sociale për të bërë një reagim.

"Pyetja ime është ku hyj unë në këtë mes dhe pse duhet të më takonte sipas SPAK-ut balta që i shoqëron këto goditje të tij, për të cilat më shpejt vihen në dijeni disa gazetarë “specialë”, se sa kush përgojohet pa u pyetur fare?,"-shkruan ajo. Ndërsa shton se ka marrëdhënie të afërta si me kryebashkiakun Veliaj; ashtu edhe me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxën. Madje shton se me Xoxën ka komunikuar edhe për çështjen që ishte marrë në pyetje nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

"Thënë sa më lart, kam kërkuar të dëgjohem nga grupi parlamentar. Kjo është vërtetë e tepërt dhe mezi pres të dëgjohem edhe nga ata që kanë futur edhe emrin tim në një akt-hetimi, pa më thirrur asnjëherë,"-shkruan Bushka ndër të tjera.

POSTIMI I PLOTË:

Jam “pa fjalë” prej 24 orësh që figurokam edhe unë në listën e gjatë të emrave që ka grumbulluar SPAK-u për të lënë Tiranën pa kryetar bashkie, bazuar në dyshime të lidhura me njëra-tjetrën si në një film, për të cilat maksimumi i akuzave për Erjon Velinë dhe Ajola Xoxën, mund të ngrihej në gjendje të lirë. Por kjo është një temë tjetër. Pyetja ime është ku hyj unë në këtë mes dhe pse duhet të më takonte sipas SPAK-ut balta që i shoqëron këto goditje të tij, për të cilat më shpejt vihen në dijeni disa gazetarë “specialë”, se sa kush përgojohet pa u pyetur fare? A jam unë shoqe që nga fëmijëria me Ajola Xoxën? Po, dhe s’kam për ta mohuar, as harruar kurrë. A jam unë edhe shoqe me Erjonin? Po, që në rininë e parë dhe jam krenare edhe për miqësinë me Erjonin dhe për gjithçka ai ka bërë për Tiranën. A kam folur me Ajolën gjatë këtyre muajve të ferrit që ajo po kalon, duke u gjendur nën një presion të frikshëm mediatik, përveçse në një proces që për mua ka shumë pikëpyetje? Po, kam folur dhe do flas sa herë të më kërkojë apo ta kërkoj. Por kurrë për të mbuluar të vërtetën, sepse halli s’ka qenë asnjëherë se si e vërteta që Ajola ka ndarë me mua të mbulohet. Halli ka qenë dhe sot është edhe më i madh, se si e vërteta e Ajolës të mos mbulohet. Thënë sa më lart, kam kërkuar të dëgjohem nga grupi parlamentar. Kjo është vërtetë e tepërt dhe mezi pres të dëgjohem edhe nga ata që kanë futur edhe emrin tim në një akt-hetimi, pa më thirrur asnjëherë.

Bushka po hetohet nga SPAK për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Sipas SPAK, Bushka ka ndërhyrë në hetimet e SPAK ndaj Erion Veliaj në dhjetor të vitit 2024. Ende nuk bëhet me dije në cilën formë ka ndërhyrë deputetja në hetimet që janë kryer për kryebashkiakun./ZËRI

Poll

MOS HUMB