POGRADEC-Pas një takimi 7 orësh me drejtuesit politikë të qarqeve ditën e djeshme, sot kryeministri Edi Rama do të rikthehet në vilën qeveritare në Pogradec. Këtë herë takimi do të zhvillohet me ministrat e kabinetit. Secili nga ministrat pritet të paraqesë prioritetet e vitit të ri politik.
Në takimin e mbajtur një ditë më parë 23 gusht, në fokus të diskutimeve ka qenë dokumenti “Besa”, ndërsa të pranishmit kanë paraqitur sugjerime lidhur me përmbajtjen dhe zbatimin e tij. Rama u ka kërkuar drejtuesve të 12 qarqeve një mendim se çfarë mendojnë për bashkëqeverisjen dhe bashkërendimin mes pushtetit qendror e lokal për ritëm më të shpejtë pune.
Në mbyllje të mbledhjes vetë kreu i qeverisë deklaroi se kryefjalë e takimit ishin dy dokumentet ‘Besa’, ‘Prania Besnike’. Po ashtu Rama prezantoi dhe ‘Pasqyrë Albania’, platforma ku çdo shqetësim i qytetarëve do të reflektohet dhe ndiqet në kohë reale. Në javën e parë të shtatorit pritet të mblidhet edhe Asambleja Kombëtare e PS-së. Mbledhja pritet të përcaktojë axhendën politike të partisë për periudhën në vijim./ZËRI
