
BERAT- Një ngjarje e rëndë ndodhi dje në Berat, ku një punëtor 47-vjeçar humbi jetën pasi u zu poshtë nga një masiv shkëmbor. Lidhur me këtë ngjarje, Policia lajmëron se ka arrestuar një 45-vjeçare, e cila ishte investitorja, ndërsa ka shpallur në kërkim administratorin dhe drejtuesen e firmës që kryente rikonstruksionin.
Mësohet se viktima nuk ishte i regjistruar në organet tatimore, ndërsa drejtuesja, administratori dhe investitorja u përpoqen të fshehin ngjarjen.
“Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për shtetasin G. S., i cili humbi jetën gjatë punës për rikonstruksionin e një objekti në lagjen “13 Shtatori”, ku e zuri poshtë një masiv guri që u shkëput nga zona e kalasë, informojmë se Komisariati i Policisë Berat kreu të gjitha veprimet procedurale për rastin.
Në përfundim të tyre arrestoi në flagrancë investitoren e objektit, shtetasen V. S., 45 vjeçe, si dhe shpalli në kërkim administratorin dhe drejtuesen teknike të firmës së ndërtimit që kryente rikonstruksionin, përkatësisht shtetasin Ç. H., 53 vjeç dhe shtetasen I. Ç., 41 vjeçe. Nga hetimet e deritanishme rezulton se shtetasi G. S. punonte i paregjistruar në organet tatimore. Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim”, njofton policia.
Ngjarja ndodhi dje rreth orës 11:30 në rrugën e Kalasë së Beratit, ku 47-vjeçari u zu poshtë nga një masiv gurësh. Edhe pse u dërgua me urgjencë në spital, punonjësi ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra. /ZËRI