
TIRANË- Është zhvilluar protesta e radhës për vrasjen e 14-vjeçarit, Martin Cani. Tubimi i sotëm përkon edhe me 1 mujorin e ndarjes së tij nga jeta. Prindër, nxënës dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë marshuar nga shkolla "Fan Noli", ku edhe ndodhi ngjarja deri tek Ministria e Arsimit. Mes shumë kërkesave të tyre, protestuesit kërkojnë edhe dorëheqjen e ministres së Arsimit dhe Sporteve, Ogerta Manastirliu.
Në tubim, sot ka qenë edhe e ëma e të ndjerit, e cila disa herë ka bërë thirrje për drejtësi. Në fjalën e saj, edhe pse e mbushur me lot, ajo kërkoi dorëheqjen e të gjithë personave që duhet të kishin marrë masa për të ruajtur sigurinë në shkolla.
Mamaja e Martinit: Kam ndenjur pa punë vetë vetëm që të rris dhe të edukoj Martinin. Por ja, ma morën, ja morën ëndrrat dhe jetën. Kërkojmë me thellësinë e shpirtit që të japin të gjithë dorëheqjen. Edhe ministres që nuk ia di emrin dhe nuk dua t'ja di. Kush ishte ai që nuk e mbrojti Martinin, dua të japin të gjithë dorëheqjen, ishte një fëmijë i buzëqeshurm e kam në çdo moment buzëqeshjen e Martinit. Ai ishte i përpiktë, nuk jam fjalë, nuk jam vetëm nëna e Martinit sot, të mbrohen të gjithë Martinët e tjerë, zemra ime është e thyer. Thoshte 'Ma do të bëhem futbollist i madh'. Nuk kam fjalë vetëm lot kam. Vetëm qaj dhe rënkoj. Ku janë nënat? Të mbrohen fëmijët tanë. Martini iku, por të mbrohen të gjithë Martinët e tjerë.
Dua dorëheqjen e ministres me çdo kusht, drejtoria e shkollës, mësuesja kujdestare se nuk më tha asnjë fjalë, ku ishte ajo që nuk më telefonoi dhe më thoshte se Martini është shembullor. Nuk po them asnjë për atë bashkëmoshatarin se ishte më fëmijë se Martini im. Por kishte një parandalim për ata dy fëmijë. Parandalimi vjen tek dera e shkollës. Nuk bënë asnjë për Martinin dhe Marion që nuk i ndanë. Dua dorëheqje me çdokusht nga dera e shkollës deri në ministri. Faleminderit nga zemra. Këto janë fjalë zemre dhe unë nuk kam asgjë në dorë. Drejtësi për Martinin dhe për Luisin. Shyqyr që ma fali Luisin, vëllain e Martinit. Sepse Luisi është fëmija dhe djali im tani. Më falni se nuk e thashë pak më parë. Faleminderit të gjithëve. Drejtësi për Martinin dhe Luisin.
Para protestës, babai i 14-vjeçarit, Angel Cani në një intervistë të dhënë për TCH, zbuloi se ende nuk e kanë videon e momentit të sherrit ku humbi jetën i biri. Sipas tij, nga Policia e Shtetit kanë marrë vetëm çantën e të birit, jo telefonin e tij, ndërsa zbuloi se ngjarjen e rëndë ende nuk ia kanë thënë djalit tjetër. Në fund, edhe njëherë bëri thirrje për drejtësi duke shpjeguar edhe arsyet se përse dje iu drejtua për ndihmë Ambasadës Amerikane në Shqipëri.
“Vëllai i Martinit ende nuk e di për humbjen e tij. Në ditën e varrimit e patëm dërguar te mitë tanë dhe nuk e ka marrë vesh akoma. Asnjëri nuk i tregon dhe rri i heshtur. Nuk e bëjmë dot, nuk kemi guxim. Diçka po përpiqet të kuptojë, pse nuk vjen Martini babai, është shumë e rëndë. Nuk kam fjalë që ta përshkruar. Përveç miqve dhe shqiptarëve, nuk ka pasur ofrim tjetër për ndihmë. Jemi shumë të rënduar psikologjikisht. E shkruam letrën sepse besojmë në drejtësinë e tyre që kanë të shenjtë demokracinë, duke shpresuar mos na ndihmojnë. Nga shkolla e me radhë nuk janë marrë masa. Unë do bëja dorëheqje të moralshme që te dera e shkollës e me radhë zinxhiri. Jo nuk e kam parë videon. Avokati pret informacione dhe asnjë detaj nuk kemi. Mora çantën e shkollës, akoma nuk kam marrë telefonin. Nusja ime akoma nuk ka marrë veten, i rrinë 4 veta mbi kokë që t’ja humbin sado pak mendjen. Këtu në shtëpi nuk jetohet më. Dua që Martini të jetë shembull e mburojë për të gjithë martinat e tjerë. Gofoundme po e drejton nusja e vëllait tim, është doktoreshë atje. Mesazhi im është të kemi sa më shumë harmoni me njerëzit, mos paçin fatin e Martinit. Ai ishte humori jonë, ai ishte drita e syve tanë,”- u shpreh babai i Martinit.
Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 nëntorit pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Sherri mes të miturve kishte nisur që të premten. Të hënën ishin riparë dhe ishin zënë gjatë orarit të pushimit të gjatë në oborrin e shkollës. Pas përfundimit të mësimit, të dy kishin mbledhur shokët për t'u përballur, por situata ka agravuar në përdorimin e thikës. Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës.
Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. Ndërsa shoku i tij, Luis Meçe, mori 4 goditje me thikë, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën dhe ka lënë spitalin. Autori gjithashtu mbeti i plagosur në dorë, por kjo nuk e pengoi që pak çaste pas krimit të rëndë autori të pozonte për "Snapchat". Sipas Policisë, fotoja i është bërë nga një shok i papërfshirë në përplasje teksa ishin duke shkuar me taksi për në spital. Pas ngjarjes, pasi mori mjekimin në një spital privat, 14-vjeçari është shoqëruar në institucionin për të miturit në Kavajë, në pritje të verdiktit për dënimin e tij./ZËRI