Politikë

Sterilizimi/ Ish-ministri Beqaj thirret sot për të dëshmuar në Komisionin Hetimor

Me leje të posaçme, Beqaj do të lërë qelinë mëngjesin e sotëm  dhe do të rikthehet në Kuvend për të shpjeguar rolin e tij si ministër në të dy koncensionet. 

k.m.
Sterilizimi/ Ish-ministri Beqaj thirret sot për të dëshmuar
Ilir Beqaj

TIRANË- Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është dëshmitari që do të merret në pyetje sot në Komisionin Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-Up në Shëndetësi. Dëshmia e Beqajt pritet që të nisë në orën 10:00, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, pasi ish-ministri ka marrë leje nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Me leje të posaçme, Beqaj do të lërë qelinë mëngjesin e sotëm  dhe do të rikthehet në Kuvend për të shpjeguar rolin e tij si ministër në të dy koncensionet. 

Lidhur me këtë çështje, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është vënë nën hetim nga SPAK prej më shumë se një viti. Beqaj është i dyshuar për shpërdorim detyre lidhur me 2 tendera të firmosura, për sterilizimin dhe check up. Këto 2 çështje janë duke u hetuar nga 3 prokurorë. Koncensionin e sterilizimit po e hetojnë prokurorët Edvin Kondilli dhe Ened Nakuçi, ndërsa atë të 'check up' po e heton prokurorja Elida Kaçkini.

Më 18 mars, SPAK njoftoi mbylljen e hetimeve, ndërsa iu komunikoi akuzat 8 personave të tjerë të përfshirë në dosjen e 2 koncensioneve. Por aktualisht, Beqaj është në burg që prej datës 4 korrik, pasi akuzohet për abuzim me fondet e BE-së gjatë kohës së mbante postin e drejtorit të Agjencisë Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC). Detyrë që e ka mbajtur pasi liroi postin si ministër i Shëndetësisë./ZËRI

Poll

MOS HUMB