
TIRANË- Kryetarja e Komisionit për Çështjet Europiane, Jorida Tabaku, ka ngritur disa pyetje në lidhje me takimet që zhvilloi kryeminsitri Edi Rama me diasporë, duke e quajtur atë një fushatë elektorale. Ajo tha se në këto takime ka pasur përfshirje të ambasadorëve në takimet politike dhe kanë sulmuar opozitën pa asnjë arsye. Tabaku tha se përfaqësuesit e ambasadës nuk duhet të jenë pjesë e fushatës elektorale dhe i kërkoi shpjegime ministrisë së Jashtme në lidhje me pjesëmarrjen e tyre.
“Disa ambasadorë shqiptarë, pjesë e shërbimit diplomatik, kanë qenë të pranishëm në aktivitete politike të organizuara nga qeveria shqiptare me qëllime partiake. Duke qenë se ju jeni një diplomat me përvojë, i cili e njeh shumë mirë shërbimin diplomatik, a ka ndonjë koment Ministria e Jashtme në lidhje me përfshirjen e ambasadorëve në procesin elektoral? Në të paktën 48 raste, ambasadorët kanë shoqëruar ministrin, kryetarin e bashkisë ose kryetarin e shtetit në aktivitete ku është sulmuar opozita, pa asnjë arsye të ligjshme për praninë e tyre. Për mua, ka një kufi që nuk duhet kaluar, dhe përfaqësuesit diplomatikë nuk duhet të jenë pjesë e aktiviteteve partiake. Kemi numëruar 48 raste që lidhen me këtë problem”, tha Tabaku.
Ndërsa ministri i Jashtëm Igli Hasani, tha se nuk u zhvillua asnjë fushatë elektorale dhe këto kanë qenë takime të kryeministrit me përfaqësuesit e diasporës. Hasani tha se fushata elektorale hapet më vonë, dhe gjatë takimeve nuk u përdor asnjë parullë apo thirrje për të votuar Partinë Socialiste. Përsa i përket përfaqësueve diplomatikë, ai tha se është detyra e tyre të shoqërojnë kryeministrin.
“Nuk jemi në fushatë elektorale, hapet më vonë, s’ka pas aktivitet partiak apo politik. Kanë qenë takimet e kryeministrit me përfaqësues të diasporës, në vendet e BE apo SHBA dhe Angli, por s’është përdorur parullë, postera apo batuta politike dhe thirrje. Kanë qenë takime me diasporën, për të ardhmen, europën, progresin dhe të mirat për shqiptarët. Për asnjë moment s’është folur për pjesë programi partiak. Ata kanë shoqëruar kryeministrin dhe kanë detyrim si ambasadorë. Nuk jemi në fushatë elektorale. Ju e dini më mirë se unë fushata hapet shumë më vonë. Së dyti për asnjë moment nuk ka pasur takim partiak apo politik, por kanë qenë takime të kryeministrit me përfaqësues të diasporës në qytete të rëndësishme nëpër botë. Nuk është përdorur asnjë logo, asnjë flamur, asnjë batutë që kanë të bëjnë me partinë që ai drejton. Është folur për Shqipërinë, e shqiptarët, e luftën kundër korrupsionit e të mirave që duam ti japim shqiptarëve. Në asnjë moment nuk është folur për pjesë të programeve partiake. Më e rëndësishmja diplomatët kanë detyrimin që të shoqërojnë kryeministrin e vendit të tyre, në ato aktivitete ku marrin pjesë. Nuk kanë mbajtur flamur apo parrulla, por kanë shoqëruar kryeministrin. E kanë detyrim edhe për liderin e opozitës, sipas ceremonialit shtetëror. Të mos keqintepretojmë asnjë moment", tha Hasani.
Gjithashtu, Tabaku ngriti pyetje në lidhje me rihapjen e ambasadës shqiptare në Indi, e cila u mbyll në vitin 2013. Tabaku kërkoi informacione rreth procedurave dhe ndikimin që do të ketë hapja e saj në ekonomi.
“Sa i përket diplomacisë ekonomike, a ka ndonjë strategji të veçantë që po ndiqni? Dëgjova për ambasadën në Indi, e cila është një prioritet për periudhën e ardhshme, edhe pse më parë kemi pasur një përfaqësi në Indi që është mbyllur. Prandaj, jam e interesuar të kuptoj se si është procedura për hapjen e ambasadave dhe si lidhet kjo procedurë me prioritetet e diplomacisë ekonomike dhe me bordin e eksporteve”, tha Tabaku.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm Hasani tha se hapja e ambasadës në Indi ka si qëllim forcimin e marrëdhënieve diplomatike dhe ekonomike, pasi vendi renditet në vendin e 5-të si fuqi ekonomike në botë. Po ashtu, ai tha se gjithashtu me hapjen e ambasadës pret që të negociohet për njohjen e Kosovës, pasi India është një nga shtetet që nuk e njeh dhe nuk ka marrëdhënie miqësore me Prishtinën.
“Siç e dimë India është fuqia e 5-të ekonomike në botë dhe me trajektore për tu bërë vendi i tretë. E vërtetë ajo që thatë ju zonja kryetare se është hapur dhe mbyllur dhe me arsye banale në atë kohë, por duam të forcojmë marrëdhëniet, diplomatike dhe ekonomike, në të mirë të vendit, ndaj edhe po hapet përsëri. Edhe në Indonezi i njëjti qëllim, ai është një vend i organizuar, me nivel ekonomik të lartë dhe duam qasje edhe për faktin se ka një marrëdhënie jo miqësore me Kosovën, për të negociuar për njohjen e Kosovës. Ka munguar përfaqësimi diplomatik shqiptar edhe në Nairobi dhe Kenia dhe ka arsye për hapjen e tyre. T‘i përgjigjemi gjithë zhvillimeve nevojave dhe kërkesave që vendi ka dhe ky është qëllimi”, tha Hasani.
Ambasada me Indinë u mbyll në vitin 2013, për shkak të vështirësive financiare që kaloi vendi por dhe shërbimi diplomatik. Njoftim për mbylljen e disa ambasadave shqiptare në botë u bë nga ministri i Jashtëm i atëhershëm Ditmir Bushati. /ZËRI