
TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në rrjete sociale në lidhje me aksionin e ndërmarrë për lirimin e hapësirave publike. Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Theth ku 10 kabina për të cilat ishin pa leje, tashmë janë hequr, kreu i qeverisë u shpreh se Ministria e Drejtësisë po bën gati dokumentet që të kërkojë në KLP hetim për prokuroren Elsa Gjeli, por edhe për të gjithë Prokurorinë e Shkodrës.
Edi Rama: Është shqetësuese ajo që ka ndodhur në Theth, ku strukturat e shtetit që kanë vepruar janë lënë në baltë nga një prokurore dhe Prokuroria e merr edhe në mbrojtje. Këta njerëz në shkollë bëjnë edhe një lëndë që quhet logjikë, në arsyetimet e tyre vetëm logjikë nuk ka. Ajo mungesë logjike në një organ themelor të zbatimit të ligjit, përkthehet në dëme shumë të mëdha për komunitetin, individët, për pasurinë tonë të përbashkët, për imazhin e vendit. Çfarë imazhi është ky në sytë e atyre qindra turistëve që dje edhe sot në Theth shikojnë fadromat, që shkojnë atje për të pastruar plagën e hapur nga një individ totalisht i papërgjegjshëm, që ka kryer krim të shumëfishtë atje dhe që ende tani që flasim nuk dihet kush është sepse prokurorja Gjeli, e ka lënë të lirë duke mos vendosur mosfillimin e çështjes, dmth ka vendosur të mos bëjë asnjë hetim.
Duke u ndalur në problematikat e Vlorës dhe aksionin për pastrimin dhe lirimin e hapësirave publike, Rama u shpreh se ky aksion nuk do të ndalet vetëm në Vlorë, por do të shtrihet në qytete të tjera si Tirana, Shkodra, Durrësi dhe Fieri. Kreu i qeverisë njoftoi se këtë pasdite do të jetë në Fier dhe në Durrës, dy qarqe për të cilat thotë se vetëpastrimi i brendshëm është domosdoshmëri.
Edi Rama: Është e papranueshme që hapësirat publike të pushtohen, që trotuaret të kthehen në territor për përfitim personal, apo që të paguhen lekë për hapësira publike të përdorura si parkim privat. Vlora nuk duhet të vuajë më për furnizimin me ujë, problemi nuk është mungesa e ujit, por paaftësia dhe paturpësia që e ka penguar këtë proces. Sot pasdite jemi në Fier dhe pastaj në Durrës, ku do të vazhdojmë të njëjtën përpjekje. Një vetëpastrim dhe vetëlehtësim i brendshëm i strukturës. Domosdoshmëri pas një periudhe të gjatë qëndrimi në të njëjtat pozicione të të njëjtëve njerëz, por edhe si rrjedhojë e domosdoshmërisë për ta parë realitetin e qyteteve tona të mëdha një realitet në transformim të vazhdueshëm. Duhen sy të freskët, duhet një përpjekje shtuar, një hov i ri, sepse 12 mandate në Fier, janë histori, e shkruar nga dhjetëra mijëra mbështes tanë në zonë, diasporë, që kërkon të vazhdojë të shkruhet si një kapitull i ri, që kanë nevojë për më shumë cilësi jete.
Vlora ishte i pari qytet ku nisi puna për pastrimin dhe lirimin e hapësirave publike të lëna porosi nga kryeministri. 21 drejtues të drejtorive të varësisë lokale në Bashkinë e Vlorës kanë paraqitur dorëheqjen pranë Kryebashkiakut Ermal Dredha. Rama ka kërkuar që deri më 15 korrik të përfundojë analiza për të gjithë drejtuesit, si dhe të jenë gati emrat konkretë për zëvendësimet, duke u bazuar edhe në propozimet që do të vijnë nga strukturat e Partisë Socialiste në Vlorë. Një aksion nisi edhe në kryeqytet pas takimeve të njëpasnjëshme në selinë e PS. Aksioni tashmë është shtrirë në gjithë Shqipërinë, ku Policia dhe IKMT është ngritur në këmbë, duke evidentuar rastet./ZËRI