LIVE UPDATES

'Snajperisti i Metamorfozës' përplas Ramën me Prokuroren Gjeli, Prekë Kodra rezulton pronar i bujtinave në Theth

➤ Kabinat pa leje në Theth në pronësi të Prekë Kodrës kanë nisur një përplasje mes kryeministrit Edi Rama dhe Prokurorisë së Shkodrës. ➤ Sot kreu i qeverisë, Edi Rama diskutoi vendimin e marrë nga Prokuroria e Shkodrës për të mos nisur hetimet. ➤ Rama tha se për vendimin kishte vënë në dijeni Ministrinë e Drejtësisë. Madje kërkoi edhe ndërhyrjen dhe hetimet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për prokuroren që mori vendimin, Elsa Gjelin. ➤ Disa orë më vonë, pas denoncimit të Ramës, kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci ndau pamjet nga shembja dhe shkulja e kabinave. ➤ Një reagim erdhi dhe nga Prokuroria e Shkodrës, e cila mbrojti prokuroren Elsa Gjeli. ➤ Po sot, u zbulua se pronari i këtyre bujtinave ishte një person i shpallur në kërkim nga SPAK për disa ngjarje kriminale në vendin tonë. ➤ Tashmë që kabinat nuk janë më, përplasja ende vazhdon dhe kryeministri Edi Rama vijon me deklaratat për këtë çështje në rrjetet sociale.

7 artikuj për këtë temë.
11 ORE ME PARE

DOSJA- Prekë Kodra përdori të moshuar për kabinat në Theth, Prokuroria nuk nisi hetime sepse… s’kishte themele

'Snajperisti i Metamorfozës' përplas Ramën me
Foto ilustruese

TIRANË- Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me ndërtimin pa leje të 10 kapanoneve në fshatin turistik të Thethit, të denoncuara më parë në prokurori nga autoritetet lokale, por që kjo e fundit nuk nisi asnjë hetim. Burime bëjnë me dije se ka dyshime të forta se shtetasja Lene Prroni, e cila është pronarja e tokës ku janë vendos kapanonet, është përdorur nga i kërkuari i drejtësisë Prek Kodra.

Ky i fundit dyshohet se ka investuar për vendosjen në mënyrë të paligjshme të këtyre objekteve që përdoren për turizëm me qëllim përfitim monetar, por në letra rezulton emri i të moshuarës. Ndërkohë që ky biznes turistik i ngritur kundër ligjit, administrohet nga djali i saj. Sipas dosjes së prokurorisë, e cila ka dhënë vendim për të mos nisur hetimet për këto objekte, e moshuara ka kërkuar leje në bashki por nuk ia kanë dhënë pasi nuk ka të drejtë ta përfitojë. Edhe pse objektet sipas autoriteteve vendore janë pa leje, prokuroria e Shkodrës me në krye prokuroren e çështjes Elsa Gjeli, thotë ndër të tjera se nuk ka nisur një hetim, pasi objektet janë pa themele.

Prek Kodra, është një emër i njohur për botën e krimit i cili ka dalë në dosjen ‘Metamorfoza’, ku nga hetimet ka rezultuar se ky i fundit kishte planifikuar vrasjen e Albin Kurtit dhe dy politikanëve të tjerë nga Kosova.

Në arsyetimin e saj për mosnisje të hetimeve, Prokuroria e thekson:

Në nenin 199/a të Kodit Penal është parashikuar figura e veprës penale “Ndërtim i paligjshëm”. Në këtë dispozitë ligjore parashikohet në mënyrë qartë se:

“1. Ndërtimi i kryer pa leje, në shkelje të rëndë të lejes ose në kushtet e një lejeje të shfuqizuar në tokën në pronësi të vet, dënohet me burgim deri në një vit.

2. Po kjo vepër, e kryer për plotësimin e nevojave për strehim sipas ligjit, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.

3. Po kjo vepër, e kryer në tokën publike ose shtetërore apo në tokën e tjetrit, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

4. Po kjo vepër, kur ka sjellë pasoja të rënda apo e kryer për qëllime fitimi, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet.”.

Në lidhje me objektin e veprës penale, theksohet se vepra penale objekt hetimi është parashikuar nga Kodi Penal në pjesën e posaçme të tij, në Kreun II, Seksioni XI, të titulluar “Vepra penale që cënojnë regjimin juridik të tokës”.

Objekt i këtyre veprave janë marrëdhëniet juridike të vendosura për të mbrojtur regjimin juridik të tokës, paprekshmërinë e saj, si edhe destinacionin e përcaktuar dhe mënyrën e menaxhimit të tokës. Në mënyrë të posaçme, neni 199/a, si pjesë e këtij seksioni, synon të mbrojë paprekshmërinë e tokës, nga ndërtimet e paligjshme të kryera në tokën e të pandehurit apo të personave të tjerë.

Pra, objekti i kësaj vepre është toka si një send i veçantë në qarkullimin civil si dhe regjimi i ndërtimeve. Sikurse do të analizohet edhe në anën objektive të kësaj figure penale, nuk rezulton që ky objekt të jetë cënuar nga veprime të kundraligjshme të personave të caktuar.

Në lidhje me anën objektive (actus reus), ajo është element i domosdoshëm për përgjegjësinë penale sepse, nëse nuk ka veprim ose mosveprim të dënueshëm nuk ka vepër penale.

Pra, nga përmbajtja e nenit 199/a të Kodit Penal rezulton se një element i domosdoshëm i figurës së veprës penale është ndërtimi pa leje si dhe vendi ku ndërtohet, që lidhet domosdoshmërisht me tokën. Qëllimi i ligjvënësit nëpërmjet kësaj figure të veprës penale ka qenë të mbrojë regjimin juridik të tokës dhe ndërtimeve, nga ndërtimet pa leje.

Neni 199/a i Kodit Penal është një dispozitë blankete, që të referon në ligje të tjera, për të kuptuar nocionet “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Tokë”. Po ashtu, për të përcaktuar nëse ligjvënësi nëpërmjet kësaj dispozite ka si qëllim të penalizojë çdo ndërtim pa leje, si shtesa pa leje, ndërtime jashtë projektit, shtesa katesh pa leje apo ka për qëllim të mbrojë vetëm ato ndërtime që ndërtohen mbi tokë, vlerësohet se duhet të japë kuptimin e ndërtimit të paligjshëm dhe kuptimin e tokës.

Koncepti i ndërtimit pa leje jepet në ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar. Në nenin 3, nën titullin “Përkufizime” të këtij ligji, parashikohet shprehimisht se: “…a) “Ndërtim pa leje” është objekti, për të cilin është përfunduar konstruksioni dhe mbulesa, i destinuar për banim, veprimtari ekonomike dhe/ose funksione të tjera (si për shembull, social-kulturor, arsim, shëndetësi e të tjera të këtij lloji), për të cilin nuk janë respektuar procedurat e përcaktuara në ligjin nr. 8405, datë 17.9.1998 “Për urbanistikën”.

Më tej Prokuroria thekson:

Si pasojë, këto punime, kategorizohen si ndërhyrje të cilat nuk kanë domosdoshmëri për t’u pajisur me leje ndërtimi, por me deklaratë paraprake punimesh, të normuara dhe të disipinuara me anë të nenit 7, pika 3 të VKM nr. 408, datë 13.05.2015, e ndryshuar “Punime të tjera”: i. struktura që instalohen për nevoja të çastit dhe/ose të përkohshme, pa themele, me materiale të çmontueshme, pa përdorur struktura beton-armeje, blloqe betoni, muratura e soleta dhe që hiqen në çdo rast, brenda një afati kohor maksimal 12-mujor nga momenti i lëshimit.

Vetë Policia Gjyqësore në informacion e referuar nga ana e saj ka theksuar se edhe Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit Shkodër në shkresën e dërguar Komisariatit të Policisë Shkodër, ka përcaktuar se fakti përbën kundravajtje administrative, pra nuk e ka kallëzuar si një krim.

Pra, në analizë të legjislacionit të përmendur më lart veprimet e kryera, nuk janë veprime të cilat cënojnë anën objektive të veprës penale “Ndërtim i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a të Kodit Penal. Në këto kushte, kur mungon pasoja si element i domosdoshëm i anës objektive të kësaj vepre penale (nuk kemi ndërtim të paligjshëm), kryerja e këtyre punimeve nuk përbën objekt material të kësaj vepre penale dhe për rrjedhojë fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale.

Në lidhje me subjektin (aktiv) të veprës penale, vlerësohet se në rastin konkret plotësohet ky element, patur parasysh nenin 12 të Kodit Penal ka parashikon se “Ka përgjegjësi penale personi që në kohën e kryerjes së një krimi ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç. Personi që kryen një kundërvajtje penale ka përgjegjësi kur ka mbushur moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç”.

Përsa i përket anës subjektive të kësaj figure krimi, fillimisht evidentohet se ky element i figurës së veprës penale lidhet me qëndrimin psikik që mban personi kundrejt veprës së kryer prej tij. Ana subjektive karakterizohet nga dy elementë përbërës: Faji, pa të cilin nuk mund të ketë përgjegjësi penale “nullum crimen, nulla poena sine culpa ” (neni 4 i Kodit Penal), në dy format e tij dashjen dhe pakujdesinë, si dhe nga motivet dhe qëllimet.

Figura e veprës penale “Ndërtim i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a i Kodit Penal kërkon si formë faji dashjen e drejtëpërdrejtë. Gjithashtu, vlerësohet se, ana subjektive e figurës së veprës penale zbulohet dhe qartësohet nëpërmjet anës objektive, sepse proceset e brendshme psikike dhe psikologjike jo vetëm që ngacmohen nga faktorë të jashtëm, por edhe materializohen në veprimtarinë kriminale gjatë dhe nëpërmjet procesit të zhvillimit të anës objektive.

Në këto kushte, përderisa nuk provohet se ka fakt penal, atëherë nuk kemi as faj, pasi mungon si elementi intelektual ashtu dhe ai volutiv, që të ekzistojë faji si element thelbësor i përgjegjësisë penale.

Për të pasur një figurë konkrete të veprës penale është e domosdoshme ekzistenca e të gjithë elementëve përbërës të saj të marra së bashku, të cilët janë: a) objekti i veprës penale; b) ana objektive; c) subjekti dhe ç) ana subjektive. Provueshmëria e elementëve objektive dhe subjektive të figurës së veprës penale, shërben si bazë për të vënë një person përpara përgjegjësisë penale. Gjithashtu, vepra penale e kryer në mënyrë të plotë, atëherë kur ekzistojnë të katër elementët e saj: objekti, ana objektive, subjekti dhe ana subjektive.

Nëse mungon njëri prej këtyre elementëve, vepra penale nuk ekziston./Top Channel

13 ORE ME PARE

"Paratë i mora borxh"/ Dëshmia e "pronares" së kabinave në Theth: Shita 300 krerë bagëti, ngrita kapanonet

'Snajperisti i Metamorfozës' përplas Ramën me
Foto ilustruese

TIRANË- Lene Prroni është zonja, e cila raportohet se është pronare e tokës ku Prekë Kodra kishte ngritur 10 kabinat e tij. Në rrëfimin që ajo ka bërë në Prokurorinë e Shkodrës, deklaron se kabinat i ka ngritur vetë, duke marrë para borxh nga të afërmit e saj. Gazetarja Anila Hoxha ka zbuluar detaje nga rrëfimi i saj. Sipas saj, zonja Prroni, ka deklaruar se kabinat i ka ngritur pa leje sepse objektet nuk kanë themel dhe nuk ka pasur nevojë për "aprovim" nga instancat për të ngritur kështu biznesin e saj.

"Kapanonet e gjetura janë të vendosura ne pronën time, është një pronë që e kam të trashëguar nga paraardhësit e mi. Deklaroj se jam interesuar pranë Bashkisë për të marrë leje ndërtimi për vendosjen e tyre, por më thanë se nuk japin leje, pasi duhen dokumente pronësie që të përfitosh. Dhe unë nuk kam dokumente pronësie, por e kam të trashëguar pronën brez pas brezi. Gjithashtu deklaroj se në dijeninë time, për objektet që janë pa themele, pa betone, nuk ka nevojë për të marrë leje. Paratë për ndërtimin e këtyre kapanoneve i kam marrë borxh, tek të afërmit e mi, për të ndërtuar këta kapanone. Kam patur rreth 300 krerë bagëti në Dukagjin, por duke qenë se nuk kisha çoban për t'u kujdesur për to, i shita të gjitha,"-mësohet se ka thënë Lene Prroni.

Por në fakt, pronari i vërtetë i këtyre kabinave është Prekë Kodra, i cili është shpallur në kërkim nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar./ZËRI

14 ORE ME PARE

"Shkulen" kabinat e Prekë Kodrës në Theth, Rama: Do i marrë shteti!

'Snajperisti i Metamorfozës' përplas Ramën me
Pamje nga aksioni i IKMT

TIRANË- Menjëherë pasi Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit nisi heqjen e disa kabinave të vendosura në Theth, Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish. Në rrjetet e tij sociale, Rama ka deklaruar se pasi këto kabina të hiqen nga aty, do t’i kalojnë në administrim shtetit. Edhe pse Prokuroria e Shkodrës pretendon se çështja u pushua për shkak se kabinat nuk kanë themele, Rama shton se Ministria e Drejtësisë po përgatit denoncimin e çështjes në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

POSTIMI I PARË I RAMËS:

Kjo është fusha e mrekullueshme e Thethit, ku një kriminel - që as nuk ka kurajon të shfaqet ndërkohë që IKMT po zbaton ligjin - ka hedhur betonin e dynjasë për të ndërtuar “fshatin e tij turistik” pa asnjë leje, një krim i shumëfishtë për të cilën një prokurore e quajtur ELSA GJELI, ka refuzuar të hapë çështjen duke hedhur në kosh denoncimin e Policisë së Shtetit. Tani çfarë borxhi i kanë zonjës GJELI, Republika e Shqipërisë, Parku Kombëtar i Thethit, banorët e mrekullueshëm e punëtorë të Thethit, vizitorët e turistët e shumtë dhe gjithë këto forca që kanë zbarkuar sot në Theth, bashkë me taksapaguesit shqiptarë që do të paguajnë tërë këto shpenzime për paga e për karburant, për pastrimin e kësaj katrahure dhe kthimin e qendrës së qytezës magjike në gjendjen e mëparshme?!

POSTIMI I DYTË I RAMËS:

Natyrisht që të gjitha kabinat e “fshatit turistik” të kriminelit që plagosi Thethin do i marrë shteti dhe skuadra e Bashkisë Shkodër nuk do të largohet nga Thethi pa e shëruar zemrën e qytezës magjike, ndërkohë që Ministria e Drejtësisë po përgatit denoncimin e skandalit “Gjeli” në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. POR NA DOLI PROKURORIA E SHKODRËS me deklaratë duke mbajtur anën e Gjelit, me teorinë që ato ngrehina qenkeshin pa themele e ai liqen betoni në livadh qenkej i pafajshëm, kështu që Policia e Shtetit e paska pasur gabim që ka kërkuar ndjekje penale për autorin e asaj masakre. Deklarata e Prokurorisë Shkodër meriton një vëmendje të veçantë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, sepse e zgjeron skandalin “Gjeli” duke hedhur hije mbi aftësinë e asaj prokurorie për të arsyetuar logjikisht, e jo më pastaj për të vepruar ligjërisht.

Pronari i vërtetë i këtyre kabinave është Prekë Kodra, i cili është shpallur në kërkim nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar./ZËRI

14 ORE ME PARE

Snajperisti i Metamorfozës'! Kush është Prekë Kodra, SPAK-u e kërkonte, ai ngriti kabina në Theth (PROFIL)

'Snajperisti i Metamorfozës' përplas Ramën me
Prekë Kodra

SHKODËR- Prekë Kodra është personi që ka nisur një përplasje sot mes kryeministrit Edi Rama dhe Prokurorisë së Shkodrës. E gjitha për shkak se i shpallur në kërkim ka ndërtuar disa kabina pushimi për turistët në Theth të Shkodrës. Sot, në kuadër të aksionit që ka ndërmarrë për lirimin e hapësirave publike, Rama ndau pamjet e "viletave", duke kontestuar vendimin e marrë nga Prokuroria për mos fillim të hetimeve.

ZËRI zbuloi sot pasdite se personi që ka në pronësi këto kabina është Prekë Kodra, i njëjti person që në vitin 2021 në një dokument të Njësisë Kundër Terrorizmit të Kosovës, raportohej se kishte planifikuar për të vrarë me snajper kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe 2 politikanë të tjerë të njohur të Kosovës. Por kjo nuk do të ishte "dalja" e fundit për të! Ai akuzohet edhe për dy ngjarje të tjera kriminale në vendin tonë, madje është i shpallur në kërkim nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të dosjes "Metamorfoza".

48-vjeçari nga Malësia e Madhe, disa vite më parë dyshohej se ishte pjesë e një plani për vrasjen e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, deputetit Xhavit Haliti dhe një komandanti të UÇK-së me emrin Ismet Haxha. Sipas dokumentit të Njësisë Kundër Terrorizmit, roli i Prekë Kodrës në serinë e atentateve që kishin për qëllim destabilizimin politik të Kosovës, ishte ai i atentatorit/vrasësit. Ai përshkruhej si person që dinte se si të përdorte edhe armën e zjarrit të llojit "snajper". Asokohe, pas publikimit të lajmit, në media foli vetë Kodra, i cili mohoi akuzat e ngritura ndaj tij.

“Ç'ka me shpjegu, se është diçka që vetëm kanë shpik sikur kanë shpik persona të paidentifikum për mu,. Albin Kurtin e njoh vetëm përmes televizionit, unë nuk e njof dhe nuk kam asnjë lidhje në Kosovë për asnjë lloj qëllimi të keq. Më vjen keq, më keni akuzu, po më merrni në qaf mu edhe familjen teme. Për herë të parë e kam marrë paradite rreth orës 11:00, kam qenë në Shkoder në kafe dhe më ttherret dikush nga Gjermania dhe më thotë a je duke i shiku lajmet, dhe kur e pash atë gjë që unë se kisha imagjinu kurrë në jetën teme,"- tha Kodra asokohe.

Emri i tij doli edhe në përgjimet "SkyECC" ku u zbuluan lidhjet e grupit "Bajri' me biznesmenin Pëllumb Gjoka, tashmë ish-shefin e operacionales Oltion Bistri e ish-prokurorin Xhevahir Lita. Nga dosja u zbulua se ky personazh që kishte marrë porosi dhe kishte siguruar kushtet dhe mjetet për të kryer disa vrasje. Emri i tij ka dalë tek dosja e vrasjes së Kastriot Reçit, ngjarje kjo e ndodhur në Rrëshen në datën 7 janar 2020. Sipas burimeve nga Policia dhe Prokuroria e Lezhës, Prek Kodra, nga viti 2020 ka qënë person i dyshuar si autor i mundshëm i ngjarjes. Por për shkak se nuk gjendej në Shqipëri, marja e një analize AND-je nga policia ka qënë e pamundur. Në korrik të vitit 2022, kur Kodra erdhi në Shqipëri, u shoqërua nga Policia dhe nga testimi i profilit të ADN-së së Kodrës me profilin e ADN-së të sekuestruar në banesën nga u qëllua me snajper Kastriot Reçi, nuk u gjenden të dhëna përputhshmërie.

Në Elbasan, Prek Kodra është edhe autor i dyshuar për atentatin ndaj Ardjan Çapjas. Në nëntor të vitit të shkuar, nga bisedat në aplikacionin e enkriptuar u zbulua se Prekë Kodra do të kryente një vrasje për llogari të fisit Bajri, ose të paktën kështu kishte në plan! Por ndërhyrja e Suel Çelës e bëri që të ndryshonte mendim. Më pas, do të ishte Suel Çela që po e kontraktonte për atentatin ndaj Ardjan Çapjas. Përgjatë gjithë komunikimeve të dosjes, Prekë Kodra ndyrshohet me pseudonimet "gjahtari", "gjuetari", dhe "mjeshtri". Në dosjen e Prokurorisë së Posaçme dëshmohej i gjithë plani për vrasjen, madje edhe vendi. Gjuajtja u bë nga kodra përballë shtëpisë dhe po në dosje, rivalët shkruanin se "xhindi" u kishte shpëtuar për 1 mm, pasi aq larg e kishte pasur plumbin nga zemra. Për këtë ngjarje dhe të tjera, Kodra është shpallur në kërkim, por deri më tani nuk ka asnjë gjurmë të tij. E vetmja gjurmë ishin kabinat e tij në mal, që sot u sheshuan nga Bashkia Shkodër./ZËRI

15 ORE ME PARE

Përplasja Rama-Prokurori për kabinat në Theth! Pronari është Prekë Kodra, planifikoi të vriste Albin Kurtin me snajper

'Snajperisti i Metamorfozës' përplas Ramën me
Prekë Kodra

SHKODËR- Kabinat pa leje në Theth, të cilat "përplasën" kryeministrin Edi Rama me Prokurorinë e qarkut të Shkodrës, janë në pronësi të Prekë Kodrës. Bëhet fjalë për një person të shpallur në kërkim në kuadër të dosjes "Metamorfoza", e cila është e hetuar nga Stuktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Sipas burimeve të "ZËRI", pronari i këtyre kabinave në mal, që solli përplasjen e kryeministrit Edi Rama dhe Prokurorisë së Shkodrës është një person që ka probleme me drejtësinë, madje akuzohet për disa atentate.

Megjithatë, përtej botës së krimit, duket se ka vendosur që të investohet edhe në botën e pasurive të paluajtshme dhe të turizmit, duke përfituar nga boom-i i vizitorëve që vijnë për të kaluar pushimet e tyre në Shqipëri. Kështu, rishtazi ka ndërtuar "Eagle Villas Theth", pra në shqip: Vilat e Shqiponjave në Theth, 10 kabina të ndërtuara mbi struktura betoni në një zonë që është e mbrojtur nga shteti.

PAMJE NGA KABINAT: 

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by ZËRI (@zeri.albania)

Këto vila janë reklamuar kudo, në të gjitha rrjetet ku turistët mund të prenontojnë për të kaluar një natë në malet e Shkodrës. E gjitha për një kosto prej gati 80 mijë lekësh të vjetra!

'Snajperisti i Metamorfozës' përplas Ramën me

Por infrastruktura e ngritur nga Kodra është shembur sot nga mjetet e Inspektoriatit të Territorit, duke nxitur një debat të ashpër mes Ramës dhe organit të akuzës në Shkodër./ZËRI 

16 ORE ME PARE

“Zonja Gjeli legalizoi krimin në Theth”/ Prokuroria e Shkodrës reagon pas deklaratës së Ramës: Vendimi i prokurores, në përputhje me ligjin!

'Snajperisti i Metamorfozës' përplas Ramën me
Prokuroria e Shkodrës

SHKODËR- Prokuroria e Shkodrës ka reaguar pas komenteve të kryeministrit Edi Rama, i cili lexoi një vendim të një prokuroreje, që sipas tij ishte skandaloz. Lidhur me vendimin e marrë nga prokurorja Elsa Gjeli, Prokuroria e Shkodrës thekson se vendimi i datës 30 maj 2025 është marrë në përputhje të plotë me nenin 290 të Kodit të Procedurës Penale. Sipas organit të akuzës në Shkodër, nga vlerësimi i fakteve dhe dokumentacionit proceduror rezulton se ndërtimi i konstatuar nuk përbën vepër penale, por ka natyrë administrative. Po në të njëjtën deklaratë, Prokuroia bën me dije se nga faktet që i ka referuar Policia e Shtetit, është bërë me dije se në terren ishin ngritur kontenjerë të përkohshëm pa themele betoni, të vendosur mbi pllaka guri, ndërtime që nuk kërkojnë leje ndërtimi, por vetëm deklaratë paraprake. Në fund të deklaratës së tyre, kërkuan nga kreu i qeverisë edhe respektimin e ndarjes së pushteteve. 

"Çdo shqetësim institucional duhet të adresohet përmes rrugëve të përcaktuara ligjore, dhe jo përmes mesazheve politike publike që synojnë t’i imponohen sistemit të drejtësisë. Shteti i së drejtës nuk mund të funksionojë nëse prokurori frikësohet për çdo vendimmarrje të ligjshme që mund të mos përkojë me interesat e pushteteve të tjera,"-shkruhet ndër të tjera në vendimin e Prokurorisë.

REAGIMI I PROKURORISË SHKODËR:

Nisur nga deklaratat publike të bëra nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, ku është komentuar vendimi i një Prokurori të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, sqarojmë opinionin publik, si më poshtë vijon: Vendimi i datës 30.05.2025 i Prokurores zj.Elsa Gjeli është marrë në përputhje të plotë me nenin 290, pika ç të Kodit të Procedurës Penale, ku parashikohet se: “Procedimi penal nuk mund të fillojë kur fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale ose kur del qartë që fakti nuk ekziston”.

Në rastin konkret, nga vlerësimi i plotë i fakteve dhe akteve procedurale, u konstatua se faktet e referuar nga policia e shtetit nuk përbëjnë ndërtim të paligjshëm në kuptim të nenit 199/a të Kodit Penal, për arsyen se:

Strukturat e konstatuara dhe që janë referuar nga policia kanë qënë kontenjerë të përkohshëm pa themele, të vendosura mbi pllaka guri, dhe si të tilla nuk përmbushin kriteret për të konsideruar objekt ndërtimi sipas standardeve të përcaktuara në ligjin nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar. Vetë Policia, në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes është shprehur se, kontenjerët nuk janë vendosur mbi bazamente betoni, por kanë qënë të vendosura mbi rrasa guri të prera. Sipas nenit 7, pika 3, gërma “i” e VKM nr. 408, datë 13.05.2015, e ndryshuar, strukturat që instalohen për nevoja të çastit dhe/ose të përkohshme, pa themele dhe me materiale të çmontueshme, nuk kërkojnë pajisje me leje ndërtimi, por vetëm deklaratë paraprake. Vetë IMT, Bashkia Shkodër në shkresën e saj drejtuar Policisë Gjyqësore e ka klasifikuar faktin si kundërvajtje administrative, jo si vepër penale dhe në këto kushte duhet të kishin vepruar institucionet kanë në përgjegjësi menaxhimin e territorit. Në këto kushte, mungesa e elementit objektiv dhe pasojës penale, sipas analizës së zbatuar të ligjit, e bën të pamundur ngritjen e ndjekjes penale dhe Prokurori, si organ kushtetues i pavarur, ka detyrimin ligjor që të vlerësojë faktet në përputhje me ligjin. Në një shtet të së drejtës, pavarësia funksionale e prokurorit garantohet nga Kushtetuta dhe nga ligji nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”. Prokuroria është një institucion kushtetues i pavarur që vepron në përputhje me ligjin, ku çdo vendimarrje procedurale merret mbi bazën e fakteve dhe provave të administruara, dhe jashtë çdo ndikimi të jashtëm politik. Çdo përpjekje për të ndikuar në mënyrë direkte ose indirekte në vendimmarrjen e një prokurori cënon parimin e ndarjes së pushteteve të sanksionuar në nenin 7 të Kushtetutës.

Respektimi i ndarjes së pushteteteve është themel i funksionimit të shtetit demokrati dhe se ndërhyrjet e pushtetit ekzekutiv në proceset vendimmarrëse të insitucioneve të drejtësisë, qofshin ato edhe përmes komenteve publike, mund të përceptohen si presion mbi institucionet e drejtësisë dhe dëmtojnë besimin e qytetarëve në këto institucione. Vendimi për mosfillimin e procedimit penal nuk është një akt vullneti personal, por një akt ligjor, që mbështetet mbi rregullat themelore të të drejtës penale materiale dhe procedurale. Çdo shqetësim institucional duhet të adresohet përmes rrugëve të përcaktuara ligjore, dhe jo përmes mesazheve politike publike që synojnë t’i imponohen sistemit të drejtësisë. Shteti i së drejtës nuk mund të funksionojë nëse prokurori frikësohet për çdo vendimmarrje të ligjshme që mund të mos përkojë me interesat e pushteteve të tjera.

Nga ana tjetër Rama, për vendimin e prokurores Elsa Gjeli për mosfillimin e një procedimi penal lidhur me një rast ndërtimi në zonën e mbrojtur të Thethit, ka kërkuar ndërhyrjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë./ZËRI

18 ORE ME PARE

“Prokurorja Gjeli legalizoi krimin në zemër të Thethit”/ Rama: Dosja e saj do t’i përcillet Këshillit të Lartë të Prokurorisë

'Snajperisti i Metamorfozës' përplas Ramën me
Edi Rama

TIRANË- Teksa ishte duke u kthyer nga Vlora, aty ku edhe ndoqi nga afër aksionin për lirimin e hapësirave publike, kryeministri Edi Rama denoncoi një vendim të një prokuroreje për një ndërtim në Theth. Duke lexuar një pjesë të vendimit të marrë nga ajo për pushimin e hetimeve për një ndërtim në zonën e Thethit, kryeministri Rama lajmëroi se për rastin e hetuar nga prokurorja e Prokurorisë së Shkodrës, Elsa Gjeli ka kërkuar angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë. Madje shtoi se këtë çështje do ta përcjellë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

PJESË NGA FJALA E RAMËS:

Ky është Thethi pas një masakre të mirëfilltë nga një individ që rezulton i paarritshëm nga krahu i ligjit. Thethi që është kartolinë dhe është katandisur mu në zemër të tij, në një territor toke të zanun. Si ka mundësi? Si është e mundur që pasi Inspektoriati përkatës, e konstatojnë një ndërhyrje të tillë dhe e përcjellin rastin në prokurori, Prokuroria nuk shpall në kërkim të menjëherëshëm personin, por shpall mosfillimin e çështjes. Duke qenë se kërkova të kuptoj më shumë, u ndeshëm me një vendim të një prokuroreje. Zonja Gjeli. Më la pa fjalë. E ndava vendimin me disa të tjerë, por edhe reagimi i të tjerëve ishte pa fjalë. Po iu lexoj si arsyeton zonja Gjeli: Në lidhje me subjektin aktiv të veprës penale vlerësohet se në rastin konkret plotësohet ky element, ku Kodi Penal parashikon se ka përgjegjësi penale personi që në kohën e kryerjes së një krimi ka mbushur 14 vjeç. Absurdi, sapo ka filluar dhe unë po shkëpus vetëm një pjesë se janë një sërë çarçafësh. Sa i përket anës subjektive të kësaj figure krimi, ky element lidhet me qëndrimin psikik që mban personi kundrejt veprës së kryer prej tyre. Ana subjektive karakterizohet nga faji, që na e shpjegon dhe latinisht, në dy format e tij, dashjen dhe pakujdesinë. Si dhe nga motivet e qëllimet. Është e pabesueshme, deri në kufijtë e të llahtarshmes, që një prokurore që para trajtimit të një krimi mjedisor, ndaj pronës publike, të një krimi ndaj një zone ligjërisht të mbrojtur, të jetë në një jerm si ai që lexova që është pjesëz e një përroi psikik të pashtershëm në formë vendimi për mosfillim të çështjes penale. Një prokurore, para trajtimit të një krimi mjedisor, të një krimi ndaj një zonë ligjërisht të mbrojtur nga ligji specifik të përsiatet në një jerm si ai që ju lexova dhe është vetëm një pjesës e një përroi psikik të mosfillimit të çështjes penale. Ndërkohë që i gjithë ai komunitet njerëzish ndjehet i përdhunuar nga një indicid që mu në mes të Thethit ka ngritur fshatin e tij turistik, pa leje! Ndërkohë që për zonjën Gjeli kjo nuk përbën asnjë vepër penale. Nga ana tjetër duke qenë se kthehem nga Vlora, ku vazhdojmë punën që na obligon një mbështetje historike që kemi marrë. Po ju jap një tjetër fakt sesi na është bërë e pamundur që të zhvillojmë projektin "Vlora Sport" tek pylli i Sotës sepse një prokuror ka vënë në sekuestro, dhe mirë ka bërë, për falsifikim prone. Pronat shtetërore, por sekuestroja zgjat prej vitesh dhe të tilla ka plot. Unë i kam kërkuar Ministrisë së Drejtësisë që të veprojë menjëherë ndaj zonjës Gjeli, e cila ka lënë në baltë shtetin, qytetarët dhe të gjitha ato struktura që përpiqen që të ruajnë kufinjtë e ligjit dhe është e padenjë për të qenë e paguar si prokurore. Kam kërkuar që çështja e saj ti përcillet Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Të gjykojë pastaj nëse zonja Gjeli është apo jo e denjë për t'u paguar nga taksat e shqiptarëve dhe ky është vetëm rasti i parë sa herë do të ndeshemi me prokurorë territoresh që paguhen më shumë sesa mjekët dhe mësuesit, dhe nga ana tjetër tradhëtojnë me paditurinë e tyre apo me qëllim, interesat e Republikës së Shqipërisë.

Ndërkohë, kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci ka ndarë foto nga ndërtimi pa leje, ku IKMT ka nisur prishjen.

"“Boll ma, tokë e xanun”, aksioni kombëtar i IKMT, Policisë së Shtetit dhe strukturave shtetërore i mbështetur edhe nga Policia Bashkiake mbërrin në Theth. T’i japim fund paligjshmërisë,"-shkruan Beci.

'Snajperisti i Metamorfozës' përplas Ramën me'Snajperisti i Metamorfozës' përplas Ramën me'Snajperisti i Metamorfozës' përplas Ramën me'Snajperisti i Metamorfozës' përplas Ramën me

Po ashtu sot, kryeministri zhvilloi takim me drejtuesit e bashkisë Vlorë, ndërsa inspektoi lirimin e hapësirave publike në qytet. Ai kërkoi që prioritet të jenë qytetarët që ecin në këmbë. Deri tani aksioni ka nisur në Vlorë dhe Tiranë, por duket se po shtrihet në të gjithë vendin./ZËRI

Poll

MOS HUMB