“S’ka më ‘tokë e xanun, hiqni trarët’”, Rama: Kush do përfitime në dëm të komunitetit, të mbledhë plaçkat!

TIRANË-Pas takimeve dy ditore, si ajo në Vlorë dhe me strukturat e PS në Tiranë, kryeministri Edi Rama, njoftoi përmes një videoje në rrjetet sociale, se deputetët do të mobilizohen në të gjitha zonat me problematika në vend.
Rama paralajmëroi sot të gjitha bizneset e bar-kafeneve, apo edhe biznese të tjera, që të lirojnë hapësirat publike që kanë zaptuar me të pa drejtë. Ai iu drejtua edhe atyre që kanë vendosur edhe tra në truallin publik. Rama paralajmëroi edhe inspektorët e Bashkive dhe të IKMT-së që të mos mbyllin sytë përpara këtyre paligjshmërive, përndryshe do përballen me situata të papëlqyeshme.
Rama ka paralajmëruar të gjithë ata punonjës që kanë punuar duke fituar në dëm të shtetit dhe komunitetit, të bëjnë gati "plaçkat" dhe të largohen menjëherë nga puna.
Edi Rama: Takimet lidhur me muajin që kemi para dhe domosdoshmërinë që deputetët të rikthehen në territor për të mbledhur përfundimisht shqetësimet e qytetarëve, por në këto qytete me një fokus të veçantë tek hapësira publike. Është kthyer në një hapësirë ku ka shumë abuzim, zgjerim të paarsyeshëm të aktiviteteve të ndryshme, ka gjithfarëlloj trarësh dhe pengesa të krijuara nga koha, qe pengojnë frymëmarrjen e qytetarëve të lirë dhe komuniteteve në blloqet e banimit. Është bërë e papranueshme për shumë njerëz e lagje në qytetet e mëdha, ushtrimi i forcës, vullnetit abuziv dhe symbyllja e strukturave përkatëse, siç është krejtësisht evidente dhe e pajustifikueshme në Vlorë. Dua të sqaroj dhe një element tjetër, do i bëj thirrje atyre që kanë keqkuptuar prej vitesh, por kjo është çështje e pushtetit vendor, sensin e pronës së përbashkët dhe të asaj private dhe këtu kam parasysh zhvilluesit e pallateve, që pasi kanë ndërtuar pallatet dhe bashkë me ta edhe ata që kanë lokalet, kanë vazhduar ta trajtojnë pronën përreth si pronë private, dhe s’mund të jetë pronë private. Ju bëj thirrje atyre që zotërojnë të tilla asete, që nga trarët që vendosin për tu marrë lekë për parkim banorëve në mënyrën me abuzive duke pretenduar se është prona e tyre private.
Duhet të kemi inventarët e të gjitha këtyre kleçkave që ia kanë nxirë jetën banorëve në këto qytete që u kanë nxjerrë komuniteteve të moshuarve, prindërve, fëmijëve dhe që i kanë kthyer territore të tëra në ‘’tokë e xanun’’ në mënyrën më të padrejtë, që të bëhemi gati dhe në dy javëshin e dytë të korrikut, do të vazhdojmë pastaj, për të mos u ndalur më me të gjitha forcat e ligjit, me të gjitha inspektoratet, me të gjitha forcat e policive bashkiake dhe policisë shtetit për ta ngritur një herë mirë në hava këtë ‘’shtëpinë’’ tonë të përbashkët, njësoj siç amvisat ngrenë në hava shtëpinë, ku bëjnë atë pastrimin gjeneral të muajit dhe nga ana tjetër u bëj thirrje edhe një here, e përsëris, të gjithë atyre që janë të keqkuptuar, por që fatkeqësisht ia kanë dalë për një kohë jo të vogël që të bëjnë para’ dhe të bëjnë fitime në dëm të komuniteteve, që të fillojnë të mbledhin plaçkat. Fillojnë të mbledhim plaçkat, sepse boll është boll, boll është boll.
Kështu që duke shpresuar që edhe këta inspektorët e bashkive të IMT-ve, do të vrapojnë shumë këto dy javë që pastaj mos ballafaqohen dhe ata me faktet e syve të tyre të mbyllur, gjë që do t'i çojë në situata të papëlqyshme, edhe ligjore, po të jetë nevoja si dhe duke i kërkuar policisë shtetit, të vazhdojë të këmbëngulë në rritjen e vigjilencës për çdo ndërhyrje pa leje, i uroj të gjithëve një ditë mbarë dhe faleminderit gjithë atyre që më kanë çuar urime sot po kur vjen ajo, kur vjen prefiksi i gjashtë, mua më duket se s'është më nevoja për të bërë festa ditëlindjesh. Me të mirat e tërëve edhe të jeni të bindur që më e mira është e gjitha përpara.
Mbyllet takimi në selinë rozë! Rama angazhon edhe ministrat, jep porositë

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka përfunduar takimin e radhës me deputetët dhe përfaqësues të Bashkisë së kryeqytetit. una në bashkinë Tiranë do të ndahet në blloqe, me përfaqësues të këtij institucioni, deputetë dhe ministra. Në fokus të diskutimeve ishin hapësirat publike, problemet me trafikun, financat, burimet e bashkisë. Puna do të ndahet në blloqe, me përfaqësues të këtij institucioni, deputetë dhe ministra.
Aktulisht pjesëmarrja do të fokusohet në krijimin e disa grupeve të punës në terren, ku Ogerta Manastirliu së bashku me kryetaren e komanduar Anuela Ristani do të organizojnë grupet e punës për hapësirat publike me deputetët dhe drejtuesit e njësive administrative.
Për problematikat me trafikun, do të angazhohet ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja dhe Ervin Hoxha, ministri i Brendshëm.
Ministri për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku dhe Ristani, fokus të shtuar te burimet e bashkisë ndërsa me pjesën e financave do merren ministri Petrit Malaj dhe Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj.
Mësohet po ashtu se kreu i qeverisë u ka kërkuar të pranishmëve në mbledhje që të angazhohen në terren duke takuar qytetarët. Takimin e radhës e ka caktuar 2 javë më vonë./ZËRI
Në bashkinë e Tiranës mund të ketë zgjedhje të parakohshme? Rama: Si dihet...

TIRANË-Kryeministri Edi Rama po zhvillon në selinë rozë një mbledhje me deputetët e zgjedhur të qarkut të Tiranës dhe përfaqësues të bashkisë së kryeqytetit. Sipas gazetarit Muhamed Veliu, Rama ka kërkuar angazhim të deputetëve aktual të Tiranës në mbledhjen e problemeve në çdo njësi të kryeqytetit.
Raportohet po ashtu se kreu i qeverisë ka lënë të hapur edhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme në bashkinë Tiranë.
“Nuk i dihet si do të shkojë kjo punë” citohet të ketë thënë Rama.
Ditëlindja e gjen në detyrë- Rama mbledh sërish deputetët e Tiranës, pritet me lule në seli

TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sërish sot deputetët aktualë të Tiranës dhe ata të zgjedhur më 11 maj. Kreu i qeverisë shihet teksa hyn me një bllok në dorë brenda selisë rozë. Ndërkohë, sot kryeministri feston edhe 61-vjetorin e lindjes, teksa është pritur me lule dhe duartrokitje në hyrje të selisë.
Edhe ditën e djeshme Rama mblodhi në takim deputetët si dhe përfaqësues të Bashkisë së kryeqytetit, ku u kërkoi që të jenë më shumë të pranishëm në terren për evidentimin e problematikave.
Takimi 'blic' i Ramës në Vlorë! Japin dorëheqjen të gjithë drejtorët e Bashkisë (EMRAT)

VLORË-Të gjithë drejtuesit e drejtorive të varësisë lokale në Bashkinë e Vlorës kanë paraqitur dorëheqjen pranë Kryebashkiakut Ermal Dredha. Lëvizja vjen pas ultimatumit të qartë të dhënë nga Kryeministri Edi Rama një ditë më parë. Kryeministri ka ngritur dy grupe pune për të çuar përpara procesin e reformimit dhe analizës së thelluar në nivel vendor:
-Grupi i parë, i përbërë nga Bledi Çuçi, Vullnet Sinaj dhe Pirro Vengu, do të ketë në fokus analizimin dhe vlerësimin e performancës së drejtuesve rajonalë. Sipas Ramës, çdo drejtues që nuk ka kryer detyrën ashtu siç duhet, duhet të japë dorëheqjen, ndërsa zëvendësuesit e tyre do të kalojnë në një periudhë prove tre-mujore për të vërtetuar aftësitë e tyre.
-Grupi i dytë, ku bëjnë pjesë Brisilda Çakerri, Zamira Sinaj dhe Evis Alushi, do të analizojë emrat e mundshëm për drejtuesit e rinj të Bashkisë së Vlorës.
Rama ka kërkuar që deri më 15 korrik të përfundojë analiza për të gjithë drejtuesit, si dhe të jenë gati emrat konkretë për zëvendësimet, duke u bazuar edhe në propozimet që do të vijnë nga strukturat e Partisë Socialiste në Vlorë.
Drejtorët që dhanë dorëheqjen janë:
1-Zambak Selmanaj, drejtor i Infrastrukturës dhe Urbanistikes;
2-Olsi Durrolli, drejtor i Përgjithshëm i Ekonomisë;
3- Dorjan Demiri, drejtor Përgjithshëm Juridik;
4- Kozma Mali, drejtor i Financave;
5- Jovan Jaupaj, drejtor i Aseteve;
6-Arlinda Tepelena, drejtore e Turizmit;
7-Dorjan Xhelili, drejtor i NSHP;
8-Francesko Tozaj, drejtor i Pastrimit;
9-Endri Rrokaj, drejtor i Gjelbërimit;
10-Anila Hitaj, drejtore e Shtëpisë së Foshnjës;
11-Irena Stasa, drejtore e Shërbimeve Sociale;
12-Elida Grabova, drejtore e Shtëpisë për Personat me Probleme Mendore;
13-Lorela Ballaj, drejtore e Shtëpisë se Fëmijëve me Aftësi të Veçanta;
14-Sokol Kananaj, drejtor i Tatimeve;
15-Ardian Vreshtazi, drejtor i Emergjencave Civile;
16-Sokol Toto, drejtor i Teatri;
17-Genci Demiraj, drejtor i Pallatit të Kulturës;
18-Laura Brinja, drejtore e Burimeve Njerëzore;
19-Igli Zahaj, drejtor i IMT;
20-Emiljano Ismalili, drejtor i Policisë Bashkiake;
21- Elona Merkaj, drejtore e Pallatit të Sportit.
Takimi i zhvilluar një ditë më parë zgjati rreth 90 minuta dhe u karakterizua nga tone të ashpra dhe kërkesa të drejtpërdrejta nga ana e Kryeministrit. Kreu i qeverisë kritikoi zyrtarët sa i përket problematikave të qytetit si; mungesa e ujit të pijshëm dhe problematikat e turizmit apo ato të mbartura në vite.
Përveç shkarkimeve të të gjithë drejtorëve në Bashkisë Vlorës, Rama konfirmoi ndryshime edhe në strukturat e PS. Kandidati për deputet, i cili nuk hyri në listat fituese, Klevis Kaso, u emërua kryetar i PS në Vlorë, ndërsa deputetja Eriona Ismaili tashmë do të jetë bashkëkryetare e kësaj force politike./ZËRI