LIVE UPDATES

Vijon me debate seanca e fundit! Flakët në Elbasan 'ndezin' edhe Kuvendin, pritet miratimi i raportit për integrimin

➤Sot po mbahet seanca e fundit plenare për këtë legjislaturë me një axhendë të ngjeshur. ➤Aktualisht po shqyrtohet raporti vjetor i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2024. ➤Debatet dhe tensionet nuk kanë munguar, ku shkak janë bërë zjarri në Elbasan dhe vendimi i kryeministrit, Edi Rama për AKU-në. ➤Opozita kërkoi debat parlamentar për këtë çështje, duke thënë se është një katastrofë mjedisore, po Spiropali tha se kërkesën për debat ta bëjnë sipas rregullores dhe mos ta përdorin çështjen për propagandën e ditës. ➤Krahas rendit të ditës, diskutime pritet të ketë edhe për zgjedhjet e 11 majit, të cilat opozita i ka cilësuar si farsë elektorale. ➤Projektligjet e tjera që janë parashikuar janë ai për investimet e huaja, për rezervat materiale të shtetit, për markat tregtare, për patentat dhe certifikatat e mbrojtjes shtesë, për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa, si dhe ai për pushtetet dhe autoritetet e komandimit të Forcave të Armatosura. ➤Në 10 shtator do të mblidhet parlamenti i ri e 140 deputetët e dalë nga zgjedhjet e 11 majit do të nisin mandatin për 4 vitet e ardhshme.

4 artikuj për këtë temë.
7 ORE ME PARE

Sot seanca e fundit/ Deputetët që nuk siguruan mandat i japin lamtumirën Kuvendit, çfarë i pret

Vijon me debate seanca e fundit! Flakët në Elbasan 'ndezin'
deputetët

TIRANË-Ditën e sotme parlamenti do të zhvillojë mbledhjen e fundit, duke mbyllur kështu legjislaturën e 10-të, teksa në shtator pritet të mblidhet me 140 deputetët e dalë nga zgjedhjet e 11 majit. Emra të rinj do të jenë pjesë e parlamentit të ardhshëm, por ka edhe figura të njohura të politikës, të cilët nuk mundën të siguronin një mandat deputeti. Për ta kjo është seanca e fundit, pasi nuk do të rikthehen më në Kuvend. Në një prenoncim për mediat jashtë ambjenteve të Kuvendit deputetët kanë treguar se ku do i shohim në shtator. 

Ermonela Felaj e PS, e cila ishte kanditate më 11 maj por nuk siguroi dot një mandat, tha për gazetarët se do të vazhdojë të jetë aktive me ligjin, nga i cili thotë se nuk është ndarë që pas studimeve. 

Ermonela Felaj: Besoj se puna ime e lidhur me ligjin dhe drejtësinë më ka shoqëruar që pas studimeve. Peng nuk kam. Do të ishte pritje për gjithsecilin për të parë se çfarë do të jetë angazhimi. Nuk jam shkëputur nga puna me organet e drejtësisë dhe akademizmin. Kjo do të vijojë. Nëse ka hapësirë, nuk do të ketë hezitim që të jenë aktive në politikë. Do të duhet t’ju kthej mbrapsht respektin të atyre njerëzve që më kanë mbështetur në këto 16 vite. Kur jam bërë pjesë e PS, ka pasur ndryshim të fortë. Kam qenë pjesë e këtij ndryshimi kështu që nuk kam asnjë lloj paragjykimi për pjesën e re që hyn në parlament. Iu uroj suksese.

Tonin Gogu tha se ndihet i privilegjuar që ishte pjesë e një legjislature, që e çoi përpara procesin e integrimit të vendit. Ai u shpreh se në shtator do të jetë aty ku ka nevojë. 

Toni Gogu: Ndihem i privilegjuar, një përvojë e mrekullueshme në jetën time profesionale. Dhe gjithashtu i privilegjuar që të kem qenë pjesëtar i një legjislature që ka çuar integrimin evropian edhe një cm më tutje. Besoj se do më mungojë jeta parlamentare. Në shtator do të jem atje ku do të ketë nevojë. Nuk kam pritshmëri për funksion. Nuk kam ardhur për funksione, kam ardhur për të shërbyer. Kam qenë qytetar aktiv në politike dhe do të vazhdoj të mbetem.

Deputetja e PD, Dhurata Çupi tha se ndihet krenare për punët që ka bërë dhe se do ta marrë malli për kauzat që ka ngritur në parlament.

Dhurata Çupi: Ndihem krenare për punën që kam bërë në parlament. Falënderuese PD që e kam përfaqësuar, edhe ju mediave, jeni një grup gazetarësh të jashtëzakonshëm. Unë kam punuar 20 vjet në administratë publike, që nga 2016 jam deputete. Fillon të kthehet në profesion politika, do më mungojë por...në shtator jam eksperte modestisht e mirë e ligjit kështu që besoj në profesionin tim. Më shumë malli do të më marrë malli për kauzat që kam ngritur.

Socialisti Nasip Naço, i cili u tërhoq nga kandidimi më 11 maj, tha se është ‘dielli që ka perënduar’ në politikë. Ai u shpreh se pas politikës do të vijojë punën si avokat.

Nasip Naço: Unë jam dielli që po perëndon në politikë. Shikoni diellin e mëngjesit. Besoj se çdo palë zgjedhje, elementë më të mirë vijnë. Nuk është ironi. Zgjedhja ime që të dal nga politika. Në shtator si gjithë qytetarët e tjerë. Kam një licencë avokati.

Blerina Gjylameti, e cila mbeti jashtë Kuvendit pasi u mund me një diferencë të pakët votash nga kolegia tjetër socialte Olta Xhaçka, tha se ndihet mirë sikurse edhe ditën e parë kur nisi legjislatura që tashmë po përfundon.

“Ndihem po aq mirë sa ditën e parë se ka rëndësi më tepër se çfarë përfaqëson dhe qëndrimi dinjitoz që ke patur. Nuk mendoj që është fundi, është vazhdimësi e asaj që kam patur gjithmonë, e angazhuar në politikë që nga fillimi e po aq e angazhuar në shoqëri. Nuk mendoj se ka një punë që s’do të mungojë sidomos kur e bën me qejf dhe pasion. Në shtator do të jemi këtu bashkë.”, u shpreh ajo.

Monika Kryemadhi: Nuk më vjen keq fare se fusha tjetër me të cilën po merrem është më e bukur, më me emocion, me ritëm...

8 ORE ME PARE

Kuvend- Opozita kërkon debat parlamentar për zjarrin në Elbasan, diskutime dhe për 'Dezinfomimin'

Vijon me debate seanca e fundit! Flakët në Elbasan 'ndezin'

TIRANË-Senaca e fundit e Kuvendit është përfshirë në debate mes opozitës dhe mazhorancës. Përplasjet fillun prej nisjes së seancës, kur deputetja demokrate Zheni Gjergji mori fjalën për të folur për zjarrin në fushën e mbetjeve në Elbasan. Por nuk kryetarja e Kuvendit nuk e lejoi me argumentin se nuk ishte çështje për procedurë. Deputetja demokrati mbajti për pak minuta të bllokuar foltoren dhe u përfshi në debate me Spiropalin.

Më pas opozita kërkoi debat parlamentar në Kuvend. Deputetja Jorida Tabaku tha se Kuvendi duhet të mbajë përgjegjësi për tre kontratat korruptive të inceneratorëve.

Tabaku: Sot asnjë nga inceneratorët nuk punon, Kuvendi duhet të marrë përgjigje për tre kontrata korruptive. Ky skandal mjedisor vazhdon dhe agravohet. Nëse kuvendi nuk diskuton për këtë për çfarë do diskutojë. I bashkohemi kërkesë së Gjergjit për të pasur debat parlamentar për këtë çështja.

Spiropali: Bëjeni kërkesën siç ua kërkon rregulloja, jo duke u ngritur për propagandë të ditës.

Landfilli i mbetjeve në inceneratorin jofunksional të Elbasanit vijon të digjet prej ditës së martë (1 korrik).Tymi toksik i shkaktuar nga djegia e plehrave në landfill ka shkaktuar ndotjen të madhe ne Elbasan duke helmuar banorët dhe duke vënë në rrezik jetën e tyre. Shkaqet e zjarrit janë ende të paqarta, ndërsa Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimin mbi rrethanat e ngjarjes.

Debatet vijuan edhe pasi në Kuvend u lexua raporti njëvjeçare i Komisionit të Posaçëm të Dezinformimit, ku kryetar është deputeti socialist, Erion Braçe. Ky i fundit foli edhe për Strategjinë Kombëtare, projektligj që pritet të miratohet në Kuvend për të parandaluar dhe goditur këto fenomeve, por u kundërshtua nga deputetja Ina Zhupa. 

Deputetja demokrate, kritikoi punën e Komisionit të Posaçëm për Dezinfomimin, duke e cilësuar një klishe të programeve qeverisëse, ku u përjashtua edhe Komisioni i Medias që drejtohet nga opozita. Ligjvënësja opozitare tha se qëllimi i Komisionit dhe Strategjisë që pritet të kalojë si projektligj në parlament, është kontrolli i medias.

“Mund të na e kishit kursyer minutazhin e falenderimeve zoti Braçe, është ditë tjetër ajo e falenderimeve. Ky komision nisi dhe bitisi në një mënyrë të njëanshme dhe material strategji që e kam lexuar me vëmendje për çfarë do prodhonte, ishin klishe dhe i ngjanin programit të qeverisë, nga ekonomia te media, me qëllim të caktuar për të fshehur, por me qëllim për të kontrolluar informacionin në media e për të ndërhyrë në atë që është pushtet i pavarur, pushtetin mediatik. Nuk pati vullnet për strategji, ëhstë injoruar gjatë gjithë kohës së procesit Komisioni i medias, që nuk kontrollohet nga ju dhe nuk plotëson oreksin tuaj”, tha deputetja.

10 ORE ME PARE

"Dil përjashta, sikur ke ardhur nga mali”, Spiropali përplaset me Nokën: S' janë gurë varri këta që ti t’i fyesh

Vijon me debate seanca e fundit! Flakët në Elbasan 'ndezin'
Elisa Spiropali dhe Flamur Noka

TIRANË- Tensionet nuk kanë munguar edhe gjatë seancës së fundit plenare, ku kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali është përplasur me deputetin Flamur Noka. 

Noka akuzoi qeverinë për shtypjen e opozitës dhe cënimin e lirisë së fjalës në këtë legjislaturë. Ai i tha Spiropalit në një moment “Mamicë”. Spiropali iu përgjigj duke i kërkuar Nokës të tregojë respekt dhe paralajmëroi heqjen e së drejtës së fjalës.

Pjesë nga debati:

Flamur Noka: Në parlament vlon histeria moniste kundër opozitës. Sulltan Surreli ka pasur strategji që të emërojë opozitën që ai ka dëshiruar. Opozita trajtohet si armike. Po mbyllet legjislatura më e zezë në 35 vite pluralizëm. Sulltani mendon, ai shkel. Turp dhe faqja e zezë për këtë parlament, sepse kurrë nuk mund të imagjinohej që parlamenti të kthehej në një vend, ku liria e fjalës tentohet që të asgjësohet. Asgjësimin e fjalës së lirë e ka bërë Lindita, edhe Mamica e parlamentit…

Elisa Spiropali: Kujdes me fjalët, po turpëroni parlamentin. Fol siç është për të folur, sepse do iu heq të drejtën e fjalës.

Flamur Noka: Ky parlament ka noterizuar çdo gjë të qeverisë dhe të Sulltanit të Surrelit. Vota e lirë është asgjësuar.

Elisa Spiropali: Nuk ke fjalë zoti Noka, nuk ishte për procedurë. Folët mjaftueshëm sot. Të përgatitet zoti Gjekmarkaj. Mos t’ju përjashtoj nga seanca për fjalorin. Nuk ke procedurë. E ke marrë disa herë për procedurë, kishe dhe fjalën. Kanë të drejtën të përgjigjen edhe ata se nuk janë gurë varri, që sa herë ti fyeni ju ata të rrinë në vend. Uluni në vend mos të përjashtoj nga seanca. Mos guxo, dil përjashta dhe mos u sill këtu sikur ke ardhur nga mali sot. Dil përjashta nga seanca. Ulu në vend. Ska fjalë për procedurë.

12 ORE ME PARE

Seanca e fundit e parlamentit, Kuvendi i ri mblidhet në 10 shtator

Vijon me debate seanca e fundit! Flakët në Elbasan 'ndezin'
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Sot Parlamenti po zhvillon seancën e fundit plenare të legjislaturës së 10-të. Në rend janë 10 çështje për t’u diskutuar mes të cilave raporti vjetor i Këshillit Kombëtar të Integrimit, ndryshimet në buxhet si dhe disa ligje që lidhen me forcat e armatosura apo edhe miratimin e strategjisë kombëtare kundër ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit.

Në rend dite janë një sërë projektligjesh, mes tyre Strategjia Kombëtare kundër Ndërhyrjeve të Huaja, e cila mori “Ok” pak ditë më parë në Komisionin për Dezinformimin, si dhe akti normativ për ndryshimet në buxhetin e vitit 2025. Po ashtu, në rend dite është edhe raporti vjetor i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian (KKIE) për vitin 2024.

Krahas rendit të ditës, diskutime pritet të ketë edhe për zgjedhjet e 11 majit, të cilat opozita i ka cilësuar si farsë elektorale.

Projektligjet e tjera që janë parashikuar janë ai për investimet e huaja, për rezervat materiale të shtetit, për markat tregtare, për patentat dhe certifikatat e mbrojtjes shtesë, për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa, si dhe ai për pushtetet dhe autoritetet e komandimit të Forcave të Armatosura.

Në 10 shtator do të mblidhet parlamenti i ri e 140 deputetët e dalë nga zgjedhjet e 11 majit do të nisin mandatin për 4 vitet e ardhshme./ZËRI

Poll

MOS HUMB