
TIRANË-Ka vijuar sot në GJKKO gjykimi për dosjen “Plumbi i Artë”, por edhe seanca e sotme është shënuar me tensione të forta. Shkak janë bërë debatet dhe mosvënia në dispozicion e dëshmisë së plotë të Erjon Alibejt, të penduarit të drejtësisë. Seancën e kaluar GJKKO pranoi kërkesën që avokatët të njiheshin me rrëfimin e bashkëpunëtorit në SPAK, të dhëna dy vjet më parë.
Prokurorët e SPAK-ut vendosën në dispozicion të tyre vetëm një procesverbal, të cilit i ishin hequr disa faqe ku sipas tyre, i penduari i drejtësisë Erjon Alibej, nuk fliste për çështje që janë objekt i gjykimit. Vetë Alibej në dëshminë e tij, i ka kërkuar trupës gjykuese që deklaratat e tij të mos vihen në dispozicion të avokatëve, pasi pretendon se i duan vetëm për kundërshtarë e tij jashtë. I penduari i drejtësisë arsyeton se ka familjarë që u rrezikohet edhe jeta, nga emrat që ai ka përmendur në Prokurori.
Erion Alibej: Unë kam bërë një deklarim shumë të gjerë dhe në gjykimin tim i takon vetëm 25% të këtyre të akuzarve këtu. Kush e mbron Plarent Dervishajn nga ju? Suel Çelën? Apo njerëz të trafikut të drogës? Për persona që nuk janë pjesë e këtij procesi, unë do isha i pari që do i kërkoja gjykatës të viheshin fashikujt në dispozicion. Nëse për shumë emra të tjerë kam folur, nuk ka pse të sillen në këtë proces. Unë kam familjarë që ju rrezikohet edhe jeta, nga emrat që unë kam përmendur në prokurori, pasi janë ende nën hetim ata. Unë për çdo emër që ka dalë nga goja ime unë jam i gatshëm të përballem me të. Kam dhënë një deklarim shumë të madh, kam përmendur shumë njerëz. Sa herë që do kërkohet nga çdokush, unë mezi pres të ballafaqohem me këdo. Do ju lutesha që deklarimet e mia të mëparshme të mos i viheshin në dispozicion avokatëve. Unë i di shumë mirë lojërat e këtyre. Avokatëve nuk u intereson çfarë kam thënë unë, por kanë interes për kundërshtarët tonë që janë jashtë.
Pas dëshmisë të pandehurit janë përplasur me Policët e burgjeve dhe kërkuan largimin nga salla. Avokatët e të pandehurve janë përfshirë në debate me efektivët dhe kanë kërkuar t’i lejojnë të largohen.
Nga ana tjetër, prokurori Behar Dibra ngriti shqetësimin se materialet kanë informacione që nuk duhet të dalin përtej institucionit deri në momentin e përshtatshëm të procesit, sepse nuk u përkasin palës mbrojtëse apo të pandehurve.
“Ai procesverbal është me formë të shkruar, është dokumentim i marrjes në pyetje i Erjon Alibej, në datat 15-20 qershor 2022. Procesverval transkriptimi, aty ka të dhëna dhe për fakte të tjera. Dhe për aktivitet trafikimi narkotikësh, nuk është objekt i ketij gjykimi. Nuk ka vlerë juridike. Ja vumë në dispozicion gjykatës për të treguar se nuk kemi gjë për të fshehur, apo për ta mbajtur sekret. Por nuk ka vlerë juridike. Dua të mos ketë më diskutime në këtë pikë, por të vazhdojë gjykimi”, tha ai.