
FIER- Në zyrat e Bankers Petroleum dhe në fushën e Patos-Marinzës aktiviteti vijon normalisht edhe pse një ditë më parë, zyrat u bastisën nga Prokuroria. Vetë Prokuroria e Fierit ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me të arrestuarit dhe akuzat që rëndojnë mbi ta.
Në pranga është vënë numri 1 i kompanisë, Hongping Xiao, i cili drejton prej disa vitesh, aktivitetin e Bankers Petroleum dhe Leonidha Çobo, ish-drejtori i kësaj kompanie, i cili në fakt e ka lënë postin para vitit 2016.
Në arrest shtëpie është lënë Ardit Kero, ish-drejtori financiar i Bankers Petroleum Albania, i cili është edhe ish-bashkëshorti i moderators Arbana Osmani.
Sipas Prokurorisë, nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd”, nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2024 ka dalë me humbje, çka ka bërë që shteti shqiptar të mos përfitojë asnjë të ardhur prej 20 vitesh nga ky aktivitet, pavarësisht se janë nxjerrë e tregtuar sasi të konsiderueshme karburanti në zonat e njohura me rezerva nafte, Patos-Marinëz-Fier. Është vërejtur se, shoqëria ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532,433,614,112 lekë. Po ashtu, rezulton se shoqëria ka deklaruar shpenzime tatimore në vlera që tejkalojnë të ardhurat nga eksportet dhe shitjet, duke dalë në çdo vit ushtrimor me humbje, ku vlera totale për të gjitha periudhat është në shumën 11,691,799,688 lekë.
Gjithashtu prokuroria bën me dije se gjatë gjithë periudhës që ka ushtruar aktivitetin e saj, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd” ka rritur në mënyrë fiktive shpezimet e saj, me qëllim që në bilancin vjetor të rezultojë me humbje, e më pas nuk ka paguar asnjë tatim mbi fitimin, por ka përfituar nga rimbursimi i TVSH-së nëpërmejt skemave mashtruese, e ndihmuar dhe nga individë e shoqëri të tjera kontraktuese të saj, me objekte dhe veprimtari të ndryshme. Për arritjen e këtij qëllimi, nga shoqëria e punonjësit e saj dyshohet se janë falsifikuar dokumente të ndryshme dhe kryhen operacione financiare të natyrave të ndryshme me operatorë dhe individë të ndryshëm si brenda dhe jashtë Shqipërisë.