Skandali i '“Bankers Petroleum”/Arrest shtëpie për ish-bashkëshortin e moderatores Arbana Osmani

FIER- Policia e Fierit ka vënë në pranga Ardit Keron, ish-drejtorin financiar të kompanisë Bankers Petroleum Albania dhe njëkohësisht ish-bashkëshortin e moderatores së njohur Arbana Osmani. Për Keron është lëshuar 'arrest shtëpiak'. Ai akuzohet si arkitekti kryesor i një skeme të përmasave të mëdha për evazion fiskal dhe pastrim parash, e cila ka funksionuar për më shumë se dy dekada në zemër të industrisë së naftës shqiptare.
Burime pranë organit të akuzës i thanë ZËRI, se hetimet kanë identifikuar Keron si figurën kyçe që ka hartuar dhe zbatuar manovrat financiare për të shmangur detyrimet tatimore, përmes fryrjes së shpenzimeve, përdorimit të faturave të rreme dhe skemave të tjera mashtruese.
Sipas Prokurorisë së Fierit, kompania Bankers, që prej fillimit të aktivitetit të saj në zonën e Patos-Marinzës, ka gjeneruar të ardhura që llogariten në rreth 4 miliardë euro. Megjithatë, pjesa që ka përfunduar realisht në buxhetin e shtetit është minimale. Hetuesit dyshojnë se një pjesë e mirë e fitimeve janë zhvendosur përmes rrugëve të jashtëligjshme, për t’u shndërruar më pas në pasuri luksoze e investime të tjera të paligjshme.
Kero, i cili për vite ka qenë i besuari i drejtuesve të huaj të kompanisë, fillimisht kanadezë, më pas kineze, bashkëpunuar ngushtë me të gjithë kupolën drejtuese të Bankers Petroleum. Në listën e personave të përfshirë në këtë hetim figurojnë edhe drejtuesi aktual i kompanisë, Hongping Xiao, i cili dyshohet se i ka akorduar vetes një pagë vjetore prej 1 milion euro, si dhe disa ish-administratorë me kombësi të ndryshme./ZËRI
Aksioni te 'Bankers Petroleum', 14 urdhër-arreste, 10 ekzekutohen, 4 në kërkim!

FIER- Detaje të reja janë zbardhur lidhur me aksionin e zhvilluar mesditën e sotme në zyrat qëndrore të kompanisë “Bankers Petroleum” në Fier, e cila operon në fushën naftënxjerrëse.
Gjykata ka caktuar gjithsej 14 masa sigurie, nga të cilat 6 janë me arrest në burg. Deri tani janë ekzekutuar vetëm dy prej tyre, ndërsa katër persona rezultojnë jashtë territorit të Shqipërisë. Është arrestuar ish-drejtori i kompanisë, Leonidha Çobo, si dhe drejtori aktual i përgjithshëm, Hongping Xiao. Në listën e të hetuarve përfshihen gjithashtu tre shtetas kinezë dhe një shtetas kanadez, të gjithë të lidhur me strukturën drejtuese të kompanisë gjatë viteve të fundit.
Vendimi i Gjykatës për caktimin e masave sigurie përmban një dosje voluminoze prej 200 faqesh, ku dokumentohen prova të shumta për transaksione të dyshimta, shmangie taksash dhe skema të mundshme mashtrimi financiar.Hetimet vijojnë në bashkëpunim edhe me autoritetet e huaja, në përpjekje për të lokalizuar dhe ekstraduar personat që ndodhen jashtë vendit./ZËRI
Dyshohet borxh ndaj shtetit, 2 drejtuesit u arrestuan! SKEMA- “Bankers Petroleum” ka paguar zero taksa

FIER-Një aksion i papritur u zhvillua në zyrat e “Bankers Petroleum” në Fier, me praninë e policisë dhe Tatimeve, ku mësohet se janë arrestuar dy drejtues të kompanisë. Në pranga u vendos ish-drejtori i kompanisë, Leonidha Çobo, si dhe drejtori aktual i përgjithshëm, Hongping Xiao. Kompani dyshohet se i ka një borxh shtetit shqiptar, konkretisht në lidhje me detyrime fiskale të papaguara. Por si i 'shpëtonte' taksave kompania e nxjerrjes së naftës në fushën e Marinzës, Fier?
Sipas raportimeve mediatike, të dhënat zyrtare tregojnë se nga viti 2006 e deri në fund të vitit 2023, kompania “Bankers Petroleum ka realizuar 4 miliardë euro të ardhura neto, pa përfshirë rentën minierare, nga shitja e naftës në Patos Marinzë.
Për të njëjtën periudhë, Boldnews shkruan se kompania që tani zotërohet nga kinezët, ka deklaruar rreth 800 milionë euro fitime neto. Por pavarësisht këtyre shifrave, kompania që la pas vitin e 20-të të shfrytëzimit të vendburimit të Patos-Marinzës, nuk ka paguar asnjë lek tatim mbi fitimin për buxhetin e shtetit.

Bankers Petroleum vijon të deklarojë se ende nuk ka rekuperuar plotësisht kostot për shfrytëzimin e vendburimit, edhe pse kompania ka arkëtuar lumenj parash nga shitja e naftës.
Ndërkohë më 1 Maj të këtij viti pati edhe një protestë të punonjësve, të organizuar nga Sindikata e Sektorit Hidrokarbur, para zyrave qëndrore të Bankers Petroleum.
Ata i bënë një thirrje të drejtpërdrejtë shoqërisë Bankers dhe drejtuesit të saj Hong Ping, që të ndalojnë së injoruari zërin e punonjësve duke u ndalur në disa kërkesa kryesore si: ndalimin e intimidimit dhe presionit psikologjik ndaj punonjësve, ndalimin e diskriminimit dhe pabarazisë në trajtim dhe përfitime, ndalimin e nepotizmit dhe emërimeve klienteliste, aplikimin e statusit të naftëtarit, të dietës ushqimore etj.
Policia mësyn në zyrat e 'Bankers Petroleum", arrestohet ish-drejtori dhe CEO i kompanisë

FIER- Policia e Shtetit në bashkëpunim me hetimin tatimor ka kryer një kontroll në zyrat e Bankers Petroleum në Marinëz të Fierit. Gjatë këtij aksioni janë arrestuar ish-drejtori i kompanisë, Leonidha Çobo, si dhe drejtori aktual i përgjithshëm, Hongping Xiao.
Brenda murit rrethues të abjenteve të kompanisë u panë forca të shumat Policise si dhe një fugon i Drejtorisë së Përgjithshme të tatim – taksave. Burime bëjnë me dije se aksioni dyshohet të ketë lidhje me një borxh që kompania i ka shtetit,konkretisht në lidhje me detyrime fiskale të papaguara, si edhe pastrim parash.
Bankers Petroleum është akuzuar në të kaluarën nga Drejtoria e Tatimeve se nuk ka likujduar detyrimet fiskale ndaj shtetit. Kompania operon në sektorin e nxjerrjes së naftës në fushën e Marinzës, Fier. Për momentin nuk ka ende një reagim zyrtar nga kompania apo institucionet shtetërore, ndërsa detaje të tjera pritet të zbulohen në vijim./ZËRI