Shitësit e tregut në Durrës: Zjarri përfshiu gjithçka, kisha 10 mln lekë mall, nuk shpëtuam dot asgjë

DURRES- Një zjarr i madh përfshiu pasditen e sotme tregun industrial në zonën e plazhit të Durrësit, ku ndodhen mbi 20 dyqane që operojnë kryesisht gjatë sezonit veror. Zjarri nisi rreth orës 16:30, dhe sipas burimeve paraprake, flakët u përhapën me shpejtësi për shkak të erës së fortë, duke përfshirë pothuajse të gjithë tregun brenda pak minutash.
Dëshmitarët dhe pronarët e dyqaneve tregojnë për dëme të konsiderueshme materiale. Një qytetar që u gjend aty tha:
“Zjarri u përhap në të gjithë tregun për gati 5 minuta, për shkak të erës së fortë. I ndihmova njerëzit që ishin aty, qoftë ata që i njihja, qoftë ata që nuk i njihja. Gjatë zjarrit dëgjuam edhe disa shpërthime të lehta në dyqanet e tregut. Në fillim erdhi vetëm një zjarrfikëse, unë telefonova që të sillnin edhe të tjera. Mendoj se ndërhyrja nuk u menaxhua si duhet, sepse zjarri vinte nga sipër, ndërsa ata punonin nga poshtë dhe nuk e parandaluan përhapjen,” tha ai.
“Kisha mall me vlerë 10 milionë lekë këtu dhe nuk arrita të shpëtoj asgjë. Ishte një fatkeqësi e madhe, humbjet janë të mëdha.”-deklaroi një tjetër.
Deri më tani, nuk ka raportime për të lënduar, por dëmet materiale janë të konsiderueshme. Autoritetet vijojnë punën për të kontrolluar situatën dhe për të vlerësuar shkallën e dëmeve. Flakët u vunë nën kontroll nga shërbimi zjarrfikës./ZËRI
Zjarr në ullishte në Patos/ Flakët përhapen nga era, rrezikohen banesat dhe depozitat e naftës

FIER- Një vatër zjarri është aktivizuar mesditën e sotme në kodrat me ullishte të fshatit Rërëz, në territorin e bashkisë Patos. Për shkak të kushteve të erës, flakët janë përhapur me shpejtësi, duke djegur një sipërfaqe të konsiderueshme me ullinj dhe shkurre.
Në vendngjarje ndodhen forcat zjarrfikëse të Patosit, Roskovecit, Lushnjes dhe Albpetrolit, të cilët po punojnë me mjete të vogla zjarrfikëse. Terreni i vështirë, i pjerrët dhe i mbuluar me bimësi të dendur, e ka bërë të pamundur ndërhyrjen e mjeteve më të mëdha zjarrfikëse.
Flakët kanë arritur të afrohen rrezikshëm pranë banesave të zonës, një kabine elektrike dhe depozitave të vjetra të naftës, duke krijuar një rrezik të shtuar për sigurinë e banorëve dhe infrastrukturës.
Operacioni për shuarjen e zjarrit vazhdon prej disa orësh dhe autoritetet paralajmërojnë se situata mbetet e vështirë për t’u vënë nën kontroll, për shkak të intensitetit të flakëve dhe kushteve natyrore./ZËRI
"Ndoshta nga një qiri", Ermal Dredha: Zjarri në Hoshtimë nisi nga varrezat

VLORË- Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha thotë se zjarri në Hoshtimë mund të ketë nisur për shkak të një qiriu të lënë ndezur tek varrezat. Ai theksoi se flakët kanë qenë të fuqishme dhe përhapja ishte e shpejtë, por falë reagimit të shpejtë të strukturave zjarrfikëse dhe të mbështetjes nga shërbimet lokale, situata është futur pjesërisht në kontroll.
"Zjarri ka nisur në Hoshtimë, tek varrezat, ndoshta gabim njerëzor, një qiri, por kjo mbetet për tu parë. Ka qenë një zjarr masiv dhe përgjigja ka qenë masive. Një pjesë e mirë është vënë në menaxhim, kemi evituar banesat dhe njerëzit. Jemi në terren, kemi një indicie për një zjarr edhe në Nartë. Kemi situatën nën kontroll"-tha Ermal Dredha.
Dredha kërkoi që institucionet shtetërore të angazhohen seriozisht për të identifikuar shkaktarët e zjarrit dhe për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore ata që, me pakujdesinë ose veprimet e tyre të qëllimshme, rrezikojnë mjedisin dhe komunitetin.
"Strukturat shtetërore duhet të marrin masat për të gjetur fajtorin"-tha Dredha.
Ndërsa, prefekti i Qarkut Vlorë, Plator Nesturi, deklaroi se shumica dërrmuese e zjarreve që kanë përfshirë zonën, rreth 90%, janë të qëllimshme. Ai nënvizoi se reagimi i menjëhershëm dhe i koordinuar nga të gjitha strukturat shtetërore, përfshirë edhe bashkitë e zonave përreth, ka qenë thelbësor për të parandaluar përhapjen e flakëve dhe dëmtimin e mëtejshëm të banesave në Hoshtimë, Kerkovë dhe Bestrovë.
“Në këto situata, koordinimi i autoriteteve ka qenë maksimal dhe falë kësaj kemi mundur të evitojmë pasoja më të rënda për komunitetin,” tha Nesturi./ZËRI
Prefekti i Durrësit: Tregu pa kushte sigurie, zjarri ende aktiv

DURRES- Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu këtë pasdite tregun industrial pranë zonës së plazhit në Durrës, duke shkaktuar dëme të shumta materiale. Në një prononcim për mediat, prefekti i Qarkut Durrës, Emiljano Jani, dha informacion mbi ndërhyrjen e shpejtë të strukturave të emergjencës dhe ecurinë e operacionit për shuarjen e flakëve.
Ai vlerësoi kontributin e forcave zjarrfikëse nga disa qytete, përfshirë Durrësin, Shijakun, Kavajën dhe Kamzën, të cilët ndërhynë në kohë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit në tregun me mbi 20 njësi tregtare sezonale.
Sipas Janit, tregu nuk përmbush kriteret bazë të sigurisë teknike, duke qenë i ndërtuar me struktura të përkohshme dhe me instalime elektrike të pasigurta.
“Zjarri i rënë në tregun industrial është masiv, janë angazhuar të gjitha forcat zjarrfikëset e Durrësit, Autoritetit Portual, bashkive Shijak dhe Kavajë, si edhe na janë bashkuar edhe nga zjarrfikësit e Kamzës. Furnizime me bote uji kanë qenë nga të gjitha institucionet Durrësit. Dëme të konsiderueshme materiale. Ende nuk kemi një vlerësim të saktë, siç edhe nuk dimë shkakun e zjarrit.
Mendohet të jetë edhe si shkak i një shkëndije elektrike, është një treg që nuk përmbush asnjë kriter dhe kusht të sigurimit teknik. Ndaj zjarri ishte kaq masiv. Është një treg që menaxhohet nga privati.
Dëmet ishin të shumta materiale por jemi të lumtur që nuk kishte viktima dhe pasoja në njerëz.
Puna për vënien nën kontroll të flakëve vijon ende”, tha ai./ZËRI
FOTO+VD/ Zjarri në fshatin Hoshtimë del jashtë kontrollit, ndërhyn helikopteri i FA-ve

VLORE- Situata në fshatin Hoshtimë të Vlorës vijon të përkeqësohet, pasi flakët janë përhapur më tej drejt zonave pyjore, të favorizuara nga era e fortë dhe temperaturat e larta.
Ndërhyrja nga toka është pothuajse e pamundur për shkak të terrenit të vështirë malor, çka ka detyruar autoritetet të nisin ndërhyrjen nga ajri me helikopterë të Forcave të Armatosura, për të frenuar avancimin e zjarrit.
Deri tani nuk raportohet për banesa të prekura apo persona të lënduar, por situata mbetet e rëndë dhe nën vëzhgim të vazhdueshëm nga shërbimet zjarrfikëse dhe emergjencat civile.
Forcat në terren vijojnë përpjekjet për të parandaluar që flakët të përfshijnë zona të banuara./ZËRI
Zjarr në një pus nafte në Kuçovë, flakët përfshijnë zonën përreth

KUCOVE- Një zjarr ka rënë pasditen e sotme në një pus nafte në fshatin Kozare, në qytetin e Kuçovës. Flakët janë përhapur me shpejtësi në zonën përreth, të favorizuara nga era dhe temperaturat e larta.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse nga Berati, të cilat kanë ndërhyrë në kohë dhe kanë arritur të lokalizojnë dhe të shuajnë zjarrin, duke parandaluar përhapjen më të gjerë të tij.
Sipas burimeve zyrtare, shkaku paraprak i zjarrit dyshohet të jetë temperatura e lartë, që ka ndikuar në ndezjen e zonës përreth pusit të naftës./ZËRI
VIDEO/ Zjarr në tregun ambulant të Durrësit

DURRES- Një zjarr ka përfshirë pasditen e sotme tregun ambulant në zonën e plazhit në Durrës, duke shkaktuar panik mes tregtarëve sezonalë dhe qytetarëve të pranishëm në zonë.
Sipas informacioneve paraprake, nga flakët janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar në njerëz.
Mjetet zjarrfikëse kanë ndërhyrë menjëherë dhe po punojnë për izolimin dhe shuarjen e plotë të flakëve, ndërkohë që shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur verifikimet për zbardhjen e rrethanave të incidentit./ZËRI
Vlorë/ Zjarr masiv në fshatin Hoshtimë, era favorizon përhapjen e flakëve
VLORE- Një zjarr i përmasave të mëdha ka shpërthyer pasditen e sotme në fshatin Hoshtimë, në qarkun e Vlorës. Sipas informacioneve paraprake, flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të erës së fortë, e cila po e bën të vështirë ndërhyrjen për shuarjen e tyre.
Në vendngjarje janë nisur mjetet zjarrfikëse dhe forcat e emergjencës, të cilat po përpiqen të vendosin situatën nën kontroll. Nuk raportohet ende për rrezik për banesat apo persona të lënduar, por përmasat e zjarrit mbeten shqetësuese./ZËRI