Trump: Khamenein e shpëtova nga vdekja, s'më tha as faleminderit
SHBA-Presidenti Donald Trump ka komentuar deklaratën e udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, i cili u shpreh se fitoi ndaj Izraelit dhe sipas tij SHBA-të "nuk kanë arritur asgjë" nga sulmet ndaj objekteve bërthamore. Trump me anë të një postimi në rrjetin Truth shprehet se Khamenei gënjen dhe deklaron se tre centralet e Iranit u shkatërruan. Sipas presidentit amerikan, ishte ai që ndërhyri që mos eliminohej lideri suprem iranian dhe e shpëtoi nga vdekja, Khamenein.
“Pse i ashtuquajturi Udhëheqës Suprem, Ajatollah Ali Khamenei i Iranit të shkatërruar nga lufta, do të pretendonte kaq paturpësisht dhe pa kuptim se e fitoi luftën me Izraelin, kur e di që pretendimi i tij është një gënjeshtër, dhe në fakt, nuk është? Si njeri me besim të madh, ai nuk duhet të gënjejë. Vendi i tij u shkatërrua, tre centralet e tij të liga bërthamore u shkatërruan, dhe unë e dija saktësisht se ku ndodhej, dhe nuk e lejova Izraelin, apo ushtrinë amerikane, deri tani më të madhen dhe më të fuqishmen në botë, t’i jepnin fund jetës. E shpëtova nga një vdekje vërtet e shëmtuar dhe e turpshme, dhe ai duhet të thotë ‘faleminderit, President Trump!'”. Irani duhet të kthehet në rrjedhën kryesore të rendit botëror, përndryshe gjërat do të përkeqësohen për të,'- shkroi Donald Trump në Truth.
Ku ndodhet uraniumi i pasuruar i Iranit?

IRAN-Pluhuri është larguar nga ndërtesa në zonën malore të quajtur Fordo dhe në dy lokacione të tjera iraniane që Shtetet e Bashkuara thanë se “shkatërruan” gjatë fundjavës së kaluar, në një përshkallëzim dramatik të përpjekjeve për të dobësuar programin bërthamor të Iranit.
Ky program, deri më tani, ka prodhuar pak më shumë se 400 kilogramë uranium të pasuruar në nivel të lartë, që konsiderohet “afër” shkallës së pasurimit që kërkohet për ndërtimin e një bombe bërthamore.
E, ku gjendet uraniumi i pasuruar në nivel të lartë i Iranit?
“Mendoj se mënyra më e sigurt për ta përshkruar është kjo: Irani e di ku është, Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore dhe publiku nuk e dinë, dhe nëse [amerikanët apo izraelitët] e dinë, nuk po tregojnë”, tha Richard Nephew, i cili ka shërbyer si drejtor për çështjet e Iranit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare gjatë presidencës së Barack Obamës.
“Ekziston mundësia që në ditët e para të luftës ta kenë zhvendosur, të kenë çuar një pjesë në ndonjë vend tjetër”, tha Oren Setter, një gjeneral në pension i ushtrisë izraelite.
Setter, që është një nga ekspertët kryesorë për Iranin, shtoi se “por, mes SHBA-së, Izraelit dhe komuniteteve të tjera të inteligjencës, ka gjasa të mëdha që do të ishte zbuluar”.
Iranianët “me gjasë kanë menduar se ishte i sigurt në tunele”, tha ai.
Pas bombardimeve të 22 qershorit – dhe nëntë ditë të sulmeve izraelite që u paraprinë atyre – analistët e inteligjencës, inspektorët ndërkombëtarë dhe ekspertët bërthamorë po punojnë për të kuptuar se sa shumë janë dëmtuar ambiciet bërthamore të Iranit.
Presidenti amerikan, Donald Trump, përsëriti qëndrimin e tij të mëparshëm se bombat amerikane kishin shkaktuar dëme të mëdha, veçanërisht në objektin në Fordo.
“Kjo ndërtesë është shkatërruar plotësisht dhe ne mendojmë se gjithçka bërthamore që ishte aty poshtë, ata nuk e larguan që aty”, tha ai më 25 qershor.
“E goditëm Iranin aq fort dhe aq shpejt, saqë nuk patën kohë ta zhvendosnin materialin e pasuruar. Është shumë vështirë që materiali të lëvizet, është shumë i rëndë. Ne besojmë se tani ndodhet nën shtresa graniti, betoni dhe çeliku”.
Ndërkaq, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha të enjten - kur u pyet se si mund të jetë i sigurt presidenti Trump që asnjë sasi e uraniumit të pasuruar nuk është larguar nga Fordo, siç ka pretenduar ai - se “Shtetet e Bashkuara, agjencitë tona të inteligjencës, drejtori [i inteligjencës amerikane, John] Ratcliffe, dhe ekipi i sigurisë kombëtare kanë monitoruar nga afër këto objekte gjatë javëve dhe ditëve para sulmit... Nuk kemi pasur asnjë tregues që ndonjë sasi uraniumi të pasuruar të jetë zhvendosur nga ndonjë prej këtyre objekteve.
Por, deri më tani gjithçka mbetet e paqartë.
Në debatin më të gjerë lidhur me sa vendimtare ishte goditja ajrore e SHBA-së, pyetja më e rëndësishme është: ku ndodhet uraniumi i pasuruar i Iranit?
Irani, i cili këmbëngul se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore dhe civile, vlerësohet të ketë rreth 8.400 kilogramë uranium të pasuruar, sipas të dhënave të muajit maj.
Pjesa më e madhe e këtij uraniumi është pasuruar në nivele të ulëta, të përshtatshme për përdorim në termocentrale bërthamore. Kjo lejohet sipas të drejtës ndërkombëtare.
Por, sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA), Irani gjithashtu ka 408 kilogramë uranium të pasuruar në shkallë të lartë – deri në rreth 60 për qind.
Mendohet se pjesa më e madhe e këtij uraniumi ishte ruajtur në Qendrën për Teknologji dhe Kërkime Bërthamore në Isfahan, rreth 450 kilometra në jug të Teheranit. Isfahani u godit nga raketat lundruese Tomahawk, të lëshuara nga një nëndetëse amerikane. Ndërkaq, bombarduesit strategjikë B-2 fluturuan përreth globit për të hedhur bombat për shkatërrimin e bunkerëve në objektet në Natanz dhe Fordo, qendrat e mëdha për pasurimin e uraniumit, të ndërtuara thellë në brendësi të maleve.
Sipas një vlerësimi fillestar të dëmeve, të kryer nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes të SHBA-së (DIA), u tha se një sasi e panjohur e uraniumit të pasuruar në shkallë të lartë, mund të jetë zhvendosur nga Fordo përpara bombardimit. Sipas gjetjeve të Pentagonit, ai material mund të jetë transferuar në një objekt të tretë, për të cilin iranianët thuhet se e kishin informuar paraprakisht IAEA-n.
Megjithatë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, theksoi se vlerësimi i DIA-s ishte vetëm paraprak dhe jo përfundimtar, dhe se rezultatet ishin arritur me një shkallë “të ulët besueshmërie”. Ndërkohë, drejtori i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), John Ratcliffe, tha se vlerësimi i agjencisë së tij bie ndesh me atë të DIA-s, duke shtuar se programet e Iranit janë “dëmtuar rëndë”.
Ekspertët e pavarur kanë dhënë vlerësime më të kujdesshme.
“Me rezerva të mbetura të uraniumit të pasuruar në 60 për qind dhe centrifuga të fshehura, Irani ruan ende aftësinë për një të pasuruar uranium në nivel të lartë dhe për të prodhuar uranium të nivelit që kërkohet për armë bërthamore”, tha më 24 qershor Instituti për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare, një institut me seli në Uashington, i themeluar nga ish-inspektori i armëve të IAEA-s, David Albright.
Niveli i pasurimit të uraniumit, që kërkohet për armë bërthamore, është 90 për qind e më shumë.
Centrifugat – mijëra prej tyre – janë thelbësore për përpunimin e uraniumit. Ato e rrotullojnë një version të gazifikuar të uraniumit me shpejtësi jashtëzakonisht të madhe, duke e pasuruar atë për përdorim në shufra karburanti, për termocentrale bërthamore – apo për ndërtimin e një koke bërthamore.
Irani kishte rreth 20.000 centrifuga të instaluara në dy qendrat kryesore të pasurimit të uraniumit në vend: Fordo dhe Natanz. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Fordo ishte vendndodhja kryesore për prodhimin e uraniumit të pasuruar në nivel të lartë.
Zyrtarë amerikanë dhe izraelitë kanë sugjeruar se një pjesë e madhe e kapacitetit të centrifugave është dëmtuar rëndë, diçka me të cilën pajtohen në masë të madhe edhe ekspertët e pavarur.
“Sulmet kanë shkatërruar programin e pasurimit të uraniumit me centrifuga të Iranit”, tha instituti. “Do të duhet shumë kohë para se Irani të afrohet sërish me kapacitetin që kishte para sulmit”.
Centrifugat, të instaluara në dhoma masive, të ngulitura në dysheme dhe të rregulluara me saktësi për të rrotulluar me shpejtësi të jashtëzakonshme uraniumin, janë të vështira për t’u lëvizur.
Megjithatë, uraniumi më lehtë mund të zhvendoset.
Para sulmit të 22 qershorit, imazhet satelitore treguan dhjetëra kamionë të rreshtuar në rrugët që çojnë drejt tunelit në kompleksin malor të Fordos. Disa ekspertë thanë se kamionët mund të kenë sjellë dhe, për të mbushur hyrjet e tuneleve, me qëllim që t’i mbrojnë nga sulmet ajrore apo edhe nga sulme të tjera.
“Para se të mbusheshin tunelet, është e mundur që iranianët të kenë tentuar të zhvendosin uraniumin e pasuruar që ndodhej në atë objekt”, tha Instituti për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare.
Por, sipas Jeffery Lewis, hulumtues i kontrollit të armëve në Qendrën James Martin për Studime të Mospërhapjes në Monterei, Kaliforni, pjesa më e madhe e uraniumit të pasuruar në nivel të lartë ka qenë me gjasë e ruajtur në Isfahan, i cili ka qenë objektiv i sulmeve amerikane dhe izraelite.
Megjithatë, tunelet në Isfahan nuk janë goditur nga këto sulme, tha ai në një postim në X.
“Askush nuk e di se ku ndodhet tani uraniumi i pasuruar në nivel të lartë”, tha Jeffery Lewis.
“Katërqind kilogramë i uraniumit të pasuruar në nivel të lartë është një çështje shumë serioze, nuk dua ta minimizoj problemin”, tha Decker Eveleth, ekspert për çështje bërthamore dhe parandalim në Qendrën për Analiza Detare në Uashingtoni. “Është një problem madhor. Do të jetë jashtëzakonisht e vështirë për iranianët të vendosin se çfarë të bëjnë dhe ta bëjnë atë në një mënyrë që të mos zbulohen”.
Dy zyrtarë izraelitë, të cilët folën në kushte anonimiteti, pretenduan se rezervat e uraniumit të pasuruar në 60 për qind dhe në 20 për qind janë varrosur në Isfahan dhe Fordo dhe do të jetë e vështirë të rikuperohen, raportoi faqja e lajmeve Axios, me seli në Uashington.
“Nuk do ta dijë askush me siguri për disa ditë nëse uraniumi i pasuruar në nivel të lartë është zhvendosur”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, për CBS News.
“Dyshoj që e kanë zhvendosur, sepse në këtë moment nuk mund të lëvizësh asgjë. Që në momentin që një kamion niset, izraelitët e shohin, dhe e godasin menjëherë”.
Besohet se Irani ka një numër të panjohur centrifugash rezervë të ruajtur diku.
Përveç pyetjes se ku ndodhet uraniumi i pasuruar në nivel të lartë, pyetja tjetër është sa centrifuga rezervë ka dhe sa shpejt ato mund të bëhen funksionale nëse Teherani dëshiron të ndërmarrë hapin përfundimtar që ta përdorë për armë uraniumin e tij.
“Uraniumi i pasuruar në nivel të lartë është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse ... ata kanë përfunduar 99 për qind të punës për të arritur në uranium të pasuruar në nivel të lartë, që është pjesa prej 450 kilogramësh”, tha Setter. “Kjo është shumë e rëndësishme”.
“Por, atyre ende u mungon ai 1 për qind i punës së pasurimit [për të arritur nivelin e kërkuar për armë bërthamore]”, tha ai. “Dhe që kjo të arrihet, atyre u duhen centrifuga funksionale. Pyetja është sa centrifuga rezervë kanë ende, sa shpejt mund t’i vënë në punë, dhe nëse guxojnë ta bëjnë këtë”./REL
Operacioni Narnia: Plani izraelit që eliminoi udhëheqjen ushtarake dhe "mendjet" bërthamore të Iranit brenda një nate

TEL AVIV- Vendimi i qeverisë së Benjamin Netanyahut për të njoftuar publikisht se ai do të merrte pjesë në një aktivitet familjar disaditor doli të ishte një devijim "kyç" në suksesin e ofensivës së Izraelit kundër Iranit. Operacioni, sipas The Wall Street Journal, ishte sekreti më i rreptë ndonjëherë. Ofensiva nisi natën e 13 qershorit dhe rezultoi në eliminimin e komandantëve kryesorë ushtarakë iranianë më shumë se 1,600 kilometra larg Tel Avivit, në një veprim të koordinuar që ishte i habitshëm në saktësinë e tij si dhe në fshehtësinë me të cilën u krye.
Operacioni kishte një tjetër komponent po aq të rëndësishëm: sulmin e njëkohshëm kundër 9 shkencëtarëve bërthamorë iranianë në Teheran, në një operacion të koduar “Narnia”. Ky sulm, i konsideruar jorealist nga vetë projektuesit e tij, u frymëzua nga puna arriti të sinkronizonte vdekjet e specialistëve në shtëpitë e tyre, duke eliminuar mundësinë e fshehjes së tyre para ofensivës kryesore. Zhvillimi dhe ekzekutimi i të dy operacioneve përfshinte një strategji komplekse mashtrimi.
Sipas kësaj agjencie, Izraeli përdori qëllimisht rrjedhje informacionesh në shtyp në lidhje me mosmarrëveshjet e supozuara me Donald Trump dhe përhapi idenë se çdo sulm ndaj Iranit do të kërkonte koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara. Ndërsa zyrtarët izraelitë bënin sikur prisnin rezultatin e një raundi të ri negociatash midis Uashingtonit dhe Teheranit, përgatitjet logjistike dhe operacionale për ofensivën ishin në fazat e tyre të fundit. Një zyrtar izraelit i sigurisë, i cituar nga "The Wall Street Journal", tregoi se ky keqkuptim midis udhëheqjes iraniane lejoi që trupat dhe avionët të vendoseshin brenda rrezes së objektivave pa humbur avantazhin e surprizës.
Sfondi i operacionit daton që nga mesi i viteve 1990, kur inteligjenca izraelite filloi të dokumentonte zhvillimin e një programi bërthamor ushtarak iranian. Që atëherë, Izraeli ka ndërtuar një rrjet agjentësh në Iran përgjegjës për sabotim dhe vrasje të synuara në objektet kryesore bërthamore. Megjithatë, autoritetet arritën në përfundimin se kjo qasje do të ishte e pamjaftueshme dhe se, kur të vinte koha, ata do të duhej të shkatërronin jo vetëm infrastrukturën, por edhe vetë trurin e programit atomik iranian.
Dhe ai moment erdhi pas vitesh përgatitjesh.
Distanca midis Izraelit dhe Iranit, mbi 1.600 kilometra, paraqiste sfida të konsiderueshme teknike dhe logjistike. Pilotët izraelitë duhej të stërviteshin për të udhëtuar distanca të gjata në formacion të ngushtë, duke u furnizuar me karburant disa herë dhe duke ekzekutuar sulme të koordinuara brenda një afati kohor minimal. Konteksti rajonal ka ndryshuar gjithashtu ndjeshëm që nga sulmi terrorist i kryer nga Hamasi më 7 tetor 2023. Izraeli, gjatë gati dy viteve, dobësoi Hamasin dhe Hezbollahun dhe korridori ajror mbi Sirinë u pastrua pas rënies së regjimit aleat të Iranit, duke lehtësuar kalimin e avionëve në lindje.
Përveç kësaj, Izraeli ka testuar aftësitë e tij të sulmeve me rreze të gjatë veprimi me operacionet e mëparshme kundër Huthëve në Jemen dhe ka shkatërruar sistemet e përparuara ruse kundërajrore S-300 në Teheran gjatë sulmeve të regjistruara në prill dhe tetor 2024. Përpara nisjes së ofensivës, inteligjenca izraelite zbatoi masa të fshehta për të dobësuar mbrojtjen e Iranit nga brenda. Wall Street Journal shpjegoi se ekipet e Mossadit kontrabanduan pjesë dhe municione për qindra dronë sulmi, të fshehur në valixhe dhe kontejnerë.
Shumë nga këto sisteme pa pilot ishin në gjendje të demonstronin aftësitë e tyre me rreze të gjatë veprimi në prag të sulmit. Në të njëjtën kohë, informacioni nga mijëra burime u kryqëzua për të hartëzuar rrjetin iranian të mbrojtjes ajrore dhe për të siguruar supremacinë ajrore që nga fillimi i sulmit. Edhe ditën e ofensivës, si Presidenti i atëhershëm Trump ashtu edhe udhëheqësit izraelitë i përsëritën shtypit nevojën për të shterur kanalet diplomatike, kur në realitet përgatitjet operacionale po finalizoheshin.
Sulmi ishte strukturuar për të dhënë një goditje të njëkohshme kundër udhëheqjes ushtarake të Iranit. Për dymbëdhjetë ditët në vijim, forcat ajrore izraelite vazhduan presionin mbi instalimet e raketave balistike dhe impiantet e prodhimit bërthamor, shkalla e vërtetë e të cilave mbetet një çështje debati.
Analistët dhe zyrtarët paralajmërojnë se, larg përfundimit të aspiratave bërthamore të Iranit, sulmi mund të nxisë një përpjekje të rinovuar nga Teherani për të rindërtuar dhe avancuar programin e tij bërthamor./ZËRI
Për 15 vite nuk ia treguan as familjes/ Si e zbuluan dhe shkatërruan programin bërthamor të Teheranit

SHBA- Centrifugat në uzinën e pasurimit të uraniumit në Fordow në Iran "nuk janë më funksionale" pasi Shtetet e Bashkuara sulmuan uzinën me bomba që shkatërrojnë bunkerët. Trump dhe Pentagoni po festojnë, duke sulmuar këdo, veçanërisht median amerikane, që guxon të thotë të kundërtën. Dhe kjo nuk është e gjitha. Fakti është se fuqia e bombave të hedhura në Fordow, e gjitha e dokumentuar në një video.
Fordow ka një element thelbësor të programit sekret të armëve bërthamore të Iranit. Amerikanët studiuan me detaje gjeologjinë e tij. Ata i panë iranianët duke gërmuar. Ata ndoqën ndërtimin, kushtet e motit, gjeologjinë, materialet e ndërtimit, nga vinin ato, boshtin e ventilimit, boshtin e shkarkimit, sistemet elektrike, sistemet e kontrollit mjedisor, çdo cep, çdo krater, çdo pajisje që hynte dhe çdo pajisje që dilte.

Amerikanët e ëndërronin për këtë objektiv gjatë natës. Ishte një obsesion. Nuk ndërtohet një kompleks bunkerësh nëntokësorë me shumë nivele me centrifuga dhe pajisje të tjera në mal për qëllime paqësore. Anëtarët e ekipit të Pentagonit dhe Inteligjencës Amerikane që studiuan këtë vend, zbulimin nuk mund t'ua tregonin familjeve të tyre për vite me radhë. Megjithatë, kryenin qindra teste sekrete me një qëllim: të shkatërronin këtë objektiv. Dhe pastaj, një ditë në qershor 2025, më shumë se 15 vjet pasi filluan punën e jetës, presidenti u dha "dritën jeshile" që avionët "B-2" të godisnin dhe shkatërronin këtë objektiv./ZËRI
Para, lehtësimi i sanksioneve dhe një program i ri bërthamor/ CNN zbulon propozimet sekrete të SHBA ndaj Iranit

SHBA- Administrata Trump ka diskutuar planin që Irani të ketë në dispozicion deri në 30 miliardë dollarë për një program bërthamor civil, heqjen e disa sanksioneve që e kanë penguar atë dhe “lirimin” e fondeve të ngrira iraniane. Këto janë "ofertat" që Shtetet e Bashkuara të Amerikës si pjesë e një përpjekjeje në rritje për ta rikthyer Teheranin në tryezën e negociatave. Sipas 4 burimeve të njohura me çështjen i kanë raportuar "CNN", zyrtarë “kyç” të SHBA-së dhe Lindjes së Mesme kanë zhvilluar bisedime në prapaskenë me zyrtarë iranianë.
Zyrtarët e administratës Trump thonë se janë vënë në tryezë disa propozime. Këto janë ide paraprake dhe në zhvillim e sipër, por një kusht mbetet i panegociueshëm: zero pasurim të uraniumit nga Irani, edhe pse Teherani këmbëngul se është i nevojshëm. Pavarësisht këmbënguljes së SHBA-së për këtë kusht, drafti paraprak i propozimeve i përshkruar CNN-së nga dy burime përfshin propozime mjaft joshëse për Iranin.
Disa detaje u vendosën në një takim të fshehtë dhe të gjatë midis të dërguarit special të SHBA-së, Steve Witkoff, dhe partnerëve nga Irani në Shtëpinë e Bardhë, një ditë para sulmeve ushtarake të SHBA-së ndaj Iranit. Ndër kushtet që po diskutohen – dhe që zbulohen për herë të parë – është një investim prej 20 deri në 30 miliardë dollarësh në një program të ri bërthamor iranian pa pasurim të uraniumit, që do të përdoret për përdorim civil të energjisë. Një zyrtar i administratës Trump i tha CNN se në një skenar të tillë, paratë nuk do të vinin direkt nga Shtetet e Bashkuara.
Investimi në infrastrukturën e energjisë bërthamore të Iranit është diskutuar edhe në raundet e mëparshme të negociatave në muajt e fundit.
"Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të udhëheqin këto bisedime me Iranin. Dikush duhet të paguajë për ndërtimin e programit bërthamor, por ne nuk do të jemi të angazhuar financiarisht,"-tha zyrtari për CNN.
Stimuj të tjerë përfshijnë heqjen e disa sanksioneve kundër Iranit, por edhe heqjen e kufizimeve mbi 6 miliardë dollarë fonde të ngrira të mbajtura në llogari bankare të huaja që Teherani nuk mund t'i përdorë. Një ide tjetër e diskutuar javën e kaluar dhe aktualisht në shqyrtim është që aleatët e SHBA-së në Gjirin Persik të financojnë një zëvendësim për objektin bërthamor Fordow - i cili u godit nga bombat amerikane fundjavën e kaluar - si pjesë e programit të ri të mos-pasurimit.
"Shumë ide po hidhen nga njerëz të ndryshëm, dhe shumë po përpiqen të tregojnë se janë krijues", tha për CNN një nga burimet e tij me njohuri për diskutimet.
Witkoff i tha CNBC të mërkurën se SHBA-të po kërkojnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse paqeje, ndërsa një zyrtar i administratës Trump theksoi se të gjitha propozimet synojnë të parandalojnë Iranin nga pajisja me një armë bërthamore. SHBA-të kanë thënë se Irani mund të ketë një program bërthamor paqësor, por nuk mund të pasurojë uranium për atë program. Në vend të kësaj, SHBA-të propozojnë që Irani të importojë uranium të pasuruar. Witkoff e krahasoi këtë version të një programi bërthamor me atë të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Donald Trump tha të mërkurën se SHBA-të dhe Irani do të ulen në tryezë javën e ardhshme - megjithëse zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, tha se nuk kishte dijeni. Por sërish sipas CNN, për negociatat nuk është caktuar asnjë datë./ZËRI
REL: SHBA-ja dhe Irani s’kanë caktuar bisedime bërthamore, por janë në kontakt

SHBA- Shtetet e Bashkuara dhe Irani janë duke mbajtur kontakte të vazhdueshme për rifillimin e bisedimeve mbi programin bërthamor të Teheranit, por ende nuk kanë caktuar bisedime formale, thanë zyrtarë nga të dyja vendet të enjten vonë. Uashingtoni është "në komunikim të afërt" me Iranin dhe ndërmjetësit e tij, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, në një konferencë për shtyp, ndërsa ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, i tha transmetuesit shtetëror IRIB se diplomacia po vazhdon dhe kontaktet po zhvillohen përmes kanaleve të ndryshme. Araqchi shtoi se nuk është bërë asnjë “marrëveshje, aranzhim apo bisedë për t’i nisur bisedimet e reja bërthamore”. Ai theksoi se Irani tani po vlerëson se çfarë është më e mira për interesat kombëtare, duke shtuar se "thashethemet" se Teherani do të rikthehet në tryezën e bisedimeve "nuk duhet të merren seriozisht".
Presidenti amerikan, Donald Trump, duke folur në samitin e NATO-s në Hagë më 25 qershor, tha se Uashingtoni do të zhvillojë bisedime me Teheranin javën e ardhshme. Raundi i gjashtë i bisedimeve SHBA-Iran në Oman, i caktuar për 15 qershor, u anulua pasi forcat izraelite kryen sulme mbi caqet iraniane më 13 qershor. Duke folur për IRIB, Araqchi konfirmoi se sulmet e fundjavës së kaluar nga forcat amerikane shkaktuan dëme "të konsiderueshme" në infrastrukturën bërthamore të Iranit. Komentet e Araqchi vijnë pak orë pasi mbikëqyrësi kushtetues i Iranit, Këshilli i Gardës, e miratoi vendimin e Parlamentit për të pezulluar bashkëpunimin e Teheranit me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA). Për këtë ligj, i cili u miratua një ditë më parë nga ligjvënësit me 221 vota pro dhe asnjë kundër, do të vendosë përfundimisht Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare (SNSC).
SNSC teknikisht drejtohet nga presidenti, por ashtu si të gjitha institucionet kyçe të shtetit, i përgjigjet udhëheqësit suprem, ajatollah Ali Khamenei.
“Plani për ta detyruar Qeverinë ta pezullojë bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore nuk ishte në kundërshtim me ligjin islamik dhe Kushtetutën pas shqyrtimit nga anëtarët e Këshillit të Gardës”, tha zëdhënësi i këshillit, Hadi Tahan Nazif, në një postim në X.
Izraeli kreu sulme të papara ndaj objekteve kyçe bërthamore dhe ushtarake të Iranit, si dhe zonave të banuara, më 13 qershor, në një luftë që mori jetën e shumë civilëve nga të dyja palët para se të përfundonte me një armëpushim të brishtë të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara më 24 qershor. Pezullimi i bashkëpunimit me IAEA do të thotë se Irani do t’i ndalojë inspektimet, raportimet dhe veprimtarinë mbikëqyrëse sipas Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT). Para votimit, kryetari i Parlamentit, Mohammad Baqer Qalibaf, e kritikoi IAEA-n, duke thënë se ajo dështoi “qoftë edhe të shtirej sikur e dënonte sulmin ndaj objekteve bërthamore të Iranit” dhe e akuzoi për “shitjen e besueshmërisë së vet ndërkombëtare”.
Teherani ka akuzuar prej kohësh IAEA-n për anshmëri dhe bashkëpunim me fuqitë perëndimore dhe Izraelin kundër Iranit. Projektligji parashikon që pezullimi i bashkëpunimit të hiqet vetëm nëse garantohet që objektet dhe shkencëtarët bërthamorë iranianë janë të mbrojtur dhe që e drejta e Iranit për të pasuruar uranium brenda vendit është e garantuar. Drejtori i Përgjithshëm i IAEA-s, Rafael Grossi, ka shprehur prej vitesh shqetësimin për mungesën e bashkëpunimit nga Irani në hetimet për objekte të vjetra, por të padeklaruara, bërthamore.
“Organizata për Energjinë Atomike e Iranit do të pezullojë bashkëpunimin me agjencinë deri sa të garantohet siguria e objekteve bërthamore, dhe programi bërthamor paqësor i Iranit do të ecë përpara me një ritëm më të shpejtë”, tha Qalibaf në komentet që u pasuan nga thirrjet e ligjvënësve “vdekje Amerikës dhe Izraelit”.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se "skenari më i keq" do të ishte nëse Teherani tani do të largohej nga Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore. Macron u tha gazetarëve në Bruksel, pas një samiti të BE-së, se në përpjekje për të ruajtur traktatin, ai do të fliste në ditët në vijim me pesë anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Këto bisedime tashmë kanë filluar me një telefonatë në Shtëpinë e Bardhë më 26 qershor, në të cilën ai informoi presidentin Donald Trump për kontaktet që Parisi ka pasur me Teheranin “në ditët dhe orët e fundit”.
“Shpresa jonë është që të ketë një konvergjencë të vërtetë të pikëpamjeve”, tha Macron, duke shtuar se synimi është “që të mos ketë rifillim” të ndërtimit bërthamor nga Irani.
Irani e ratifikoi traktatin për mospërhapjen e armëve bërthamore (NPT) në vitin 1970, duke u angazhuar të deklarojë materialin e tij bërthamor para Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike./REL