LIVE UPDATES

140 mijë njerëz mbushën sheshin/ 77 në pranga për protesta masive në Serbi, Vuçiç: S'ka falje për ta!

➤ Më shumë se 70 persona janë vendosur në pranga pasi mbrëmë protestuan dhe u përleshën me forcat e Policisë. ➤ Gjatë demonstratave në sheshin "Slavija", protestuesit shprehën dy kërkesa: zgjedhje të parakohshme dhe çmontimin e një kampi pro-qeveritar në qendër të Beogradit. ➤ Ministria e Brendshme Serbe pretendoi se numri i pjesëmarrësve ishte 36,000, por Arkivi i Tubimeve Publike, një OJQ që numëron njerëzit në protesta, vlerësoi se rreth 140,000 njerëz ishin grumbulluar dje përreth Sheshit Slavija. ➤ Sot, në një konferencë për mediat, presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se nuk do të kishte "falje" për të arrestuarit. ➤ Protestat nga studentët, opozita, mësuesit, punëtorët dhe fermerët filluan dhjetorin e kaluar pasi 16 persona vdiqën më 1 nëntor pas shembjes së çatisë së stacionit hekurudhor të Novi Sadit.

4 artikuj për këtë temë.
6 ORE ME PARE

77 persona të ndaluar në protestë, Vuçiç paralajmëron arrestime të reja

140 mijë njerëz mbushën sheshin/ 77 në pranga për
Foto ilustruese

BEOGRAD- Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç i ka akuzuar të dielën studentët protestues se kanë bërë “thirrje të drejtpërdrejtë për konflikt civil dhe sulme ndaj policisë”, si referencë për zhvillimet në fund të një proteste të mbajtur në sheshin Sllavija të Beogradit më 28 qershor. Në një konferencë të përbashkët me ministrin e Brendshëm serb, Ivica Daçiç, ai ka kërkuar nga zyrat kompetente të prokurorisë që “të bëjnë punën e tyre” dhe “të mos sillen si të paaftë dhe naivë”.

Ai e ka përgëzuar policinë për “sjelljen profesionale dhe për dëshirën që t’i mposhtin sulmuesit me përdorim minimal të forcës”.

“Natyrisht se do të ketë më shumë arrestime për sulmet ndaj policisë. Ky nuk është fundi. Janë duke u identifikuar edhe individë tjerë. Agjencia për Siguri dhe Informacion është duke punuar në këtë drejtim”, ka thënë Vuçiç.

Përgjatë intervenimit të policisë, pas një proteste të mbajtur në sheshin Sllavija, janë ndaluar 77 persona dhe 48 zyrtarë policorë janë plagosur, ka bërë të ditur të dielën ministri Daçiç. Ai ka thënë se përleshjet e para në mes të disa protestuesve dhe policisë kanë nisur në orën 21:42.

“Gjatë intervenimit policor janë plagosur 48 zyrtarë policorë – 38 pjesëtarë të xhandarmërisë, dy pjesëtarë të brigadës, shtatë zyrtarë policorë të Njësitit Policor për Intervenime dhe një zyrtar i angazhuar për siguri operacionale”, ka thënë ai.

Sipas Daçiçit, një zyrtar policor ka lëndime të rënda në kokë. Sipas të dhënave zyrtare, 22 persona janë shtruar në qendra spitalore, dy prej tyre me lëndime serioze. Disa protestues dhe policia janë përleshur në qendër të Beogradit pas përfundimit të protestës së studentëve në sheshin Sllavija. Sipas të dhënave preliminare të Arkivit të Tubimeve Publike, 140.000 persona janë mbledhur në protestën “Shihemi për Vidovan”, derisa Ministria e Brendshme serbe ka thënë se në protestë kanë marrë pjesë 36.000 persona.

Studentët janë duke kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe heqjen e një kampi në qendër të qytetit, i cili është vendosur nga studentët tjerë, që e kundërshtojnë bllokimin e fakulteteve dhe mbështesin presidentin Vuçiç. Studentët i kanë bllokuar universitetet prej nëntorit të vitit 2024, duke kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 16 personave në Novi Sad, si pasojë e shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të këtij qyteti. Krahas protestës së studentëve, të shtunën është mbajtur edhe një protestë e mbështetësve të Vuçiçit, të cilët kanë organizuar “mbrëmje letrare”./REL

8 ORE ME PARE

Post-protesta/ Vuçiç: Ata nuk janë Zoti! Do ketë shumë arrestime, nuk ka më falje!

140 mijë njerëz mbushën sheshin/ 77 në pranga për
Aleksandër Vuçiç

BEOGRAD- Presidenti serb Aleksandër Vuçiç iu drejtua publikut pas protestave të mbrëmshme. Në një konferencë për mediat, Vuçiç tha nuk do të nënshkruajë falje ndaj protestuesëve, duke u shprehur se të gjithë ata janë “paralajmëruar 500 herë" që të mos tubojnë me dhunë. Në fjalimin e tij drejtuar publikut, Vuçiç tha se do të ketë shumë arrestime të tjera për shkak të sulmeve që sipas tij janë bërë gjatë forcave të rendit nga studentët që bllokuan fakultetet. 

" Ata u sollën si emisarë të Zotit që mund të bëjnë çfarë të duan. Ajo që ndodhi dje është një thirrje e drejtpërdrejtë për konflikt civil. Zoti e di sa njerëz mund të kishin vdekur mbrëmë. Jo vetëm të rinjtë krenarë dhe arrogantë morën pjesë në atë politikë të papërgjegjshme, por edhe të moshuarit që u rebeluan kundër tyre për shkak të interesave të tyre personale. Kërkoj nga prokuroritë të bëjnë punën e tyre, të mos sillen si të paaftë dhe naivë. Po vjen koha e përgjegjësisë. Nuk do të nënshkruaj falje. Nuk e di se çfarë mendojnë. A mendojnë vërtetë se janë më të fortë se shteti? Nuk ka askush më të fortë se shteti. E përgëzoj policinë për sjelljen e tyre profesionale, për qasjen dhe qetësinë e tyre patriotike, dhe për përdorimin e forcës minimale. Një profesionalizëm i tillë, me një nivel kaq të ulët ndërhyrjeje, nuk është parë askund në Evropë. Ky nuk është fundi, njerëzit po identifikohen, kjo është ajo mbi të cilën po punon BIA (Inteligjenca Serbe),"- tha Vuçiç.

Në fund, ai shtoi se është i lumtur që protesta e djeshme përfundoi pa viktima, ndërsa theksoi se ishte një mrekulli që nuk kishte asnjë të vdekur.

8 ORE ME PARE

Përshkallëzohen tensionet në Beograd, çfarë ndodhi gjatë natës në Serbi?

140 mijë njerëz mbushën sheshin/ 77 në pranga për
Foto ilustruese

PRISHTINË- Policia ka hedhur gaz lotsjellës drejt protestuesve që janë mbledhur përpara një kordoni policor afër Presidencës së Serbisë në mbrëmjen e së shtunës, në përfundim të një proteste të organizuar nga studentët. Më herët gjatë ditës janë organizuar dy protesta: njëra nga studentët që i kanë bllokuar universitetet në nivel shtetëror prej fundit të vitit 2024 dhe kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, dhe tjetra nga ata që deklarojnë se e mbështesin presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Pasi protesta e studentëve, e mbajtur në sheshin Sllavija është shpallur zyrtarisht e përfunduar, një grup i burrave të maskuar është përleshur me policinë në kryeqytetin serb.

Ata janë parë duke hedhur shishe dhe gjësende tjera drejt zyrtarëve policorë.

Të pranishëm në zonën e protestave ka shumë zyrtarë policorë, përfshirë njësitet e xhandarmërisë.

Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç, i ka dënuar ashpër “sulmet e pjesëmarrësve në marshin në sheshin Sllavija ndaj pjesëtarëve të Ministrisë së Brendshme”.

Ai ka thënë se do t’i ndërmarrë të gjitha masat për të rikthyer rendin publik dhe që të gjithë ata që e kanë sulmuar policinë do të ndiqen penalisht. Vetë Vuçiç e ka publikuar një video - para se të shpërthente dhuna - nga Parku i Pionierëve, ku janë mbledhur studentët pro tij, duke thënë se “bllokuesit humbën”.

“Studentët fituan, bllokuesit humbën. Krenar me këta të rinj”, ka shkruar presidenti serb në Instagram. Sipas tij, në protestën e së shtunës ka pasur tre herë më pak njerëz sesa më 15 mars, kur është mbajtur një protestë masive. Sipas Vuçiçit, studentët do të kthehen në universitete dhe i ka falënderuar ata që i kundërshtojnë bllokadat.

Studentët i bëjnë përgjegjëse institucionet për shembjen e një strehe në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në nëntorin e vitit të kaluar, që ka rezultuar me vdekjen e 16 personave, prandaj po kërkojnë nga Qeveria që t’i dërgojë presidentit Vuçiç një propozim për shpërndarje të parlamentit dhe shpallje të zgjedhjeve të reja.

Kërkesa e dytë është ndërprerja e tubimit të mbështetësve të Qeverisë, të cilët deklarojnë se duan të mësojnë. Ata u kanë thënë ultimatum autoriteteve deri në orën 21:00 të së shtunës që t’ua plotësojnë kërkesat.

Mirëpo, Vuçiç ka thënë më 27 qershor se “ultimatumi nuk është pranuar”. Disa ditë më parë, autoritetet i kanë arrestuar gjashtë persona për përgatitje të “përmbysjes së dhunshme të rendit kushtetutës”. Autoritetet i akuzojnë organizatorët e protestës se janë “duke u përgatitur për dhunë”.

Studentët, në anën tjetër, kanë deklaruar se me veprimet e tyre deri tani kanë treguar se janë kundër çdo forme të dhunës./REL

12 ORE ME PARE

Protesta masive në Serbi me kërkesë për zgjedhje të parakohshme

140 mijë njerëz mbushën sheshin/ 77 në pranga për
Foto ilustruese

BEOGRAD- Qindra mijëra serbë dolën në rrugë të shtunën në mbrëmje duke kërkuar zgjedhje të reja. Të paktën 140,000 protestues, demonstruan në Beograd për të ushtruar presion të ri mbi qeverinë që të shpallë zgjedhje të parakohshme. 

Ndryshe nga sa pretendojnë organizatat e pavarura, Policia serbe, pretendon se 36,000 protestues morën pjesë në tubim.

"Duam zgjedhje!,"- bërtiti turma që mbushi sheshin më të madh të Beogradit dhe rrugët përreth tij, duke valëvitur flamuj serbë dhe duke mbajtur banderola e pankarta me emrat e qyteteve dhe fshatrave serbe. Pas protestës, shpërthyen përleshje midis grupeve të të rinjve, disa prej të cilëve hodhën bomba tymi, dhe Policisë, e cila përdori gaz lotsjellës dhe granata zhurmuese për të shpërndarë turmat. 

"Do të protestojmë përsëri dhe ata nuk do të na ndalojnë. Do t’i vazhdojmë protestat për aq kohë sa të duhet derisa të plotësohen kërkesat tona,"-tha Stefan Ivakovic, një student i drejtësisë. 

Kjo lëvizje lindi për shkak të tragjedisë së 1 nëntorit 2024, kur një barrierë betoni u shemb në një stacion hekurudhor në Novi Sad, duke vrarë 16 persona, përfshirë dy fëmijë. Qytetarët, të indinjuar nga mosveprimi i qeverisë së Presidentit Aleksandër Vuçiç pas aksidentit, kanë dalë në rrugë për 7 muaj me një sërë kërkesash, në veçanti për kryerjen e një hetimi të pavarur dhe, duke filluar nga maji, për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. I përballur me lëvizjen masive, presidenti serb largoi disa nga ministrat e tij nga qeveria në janar, por kjo nuk e kënaqi turmën. Tashmë presidenti ka nisur akuzat se protestuesit se po përpiqeshin të nxisnin një "grusht shteti", por shtoi edhe se ishin paguar dhe të nxitur nga vende të huaja. Madje, Vuçiç shkoi deri aty, sa pretendoi se kishte plane edhe për ekzekutimin e tij./ZËRI

Poll

MOS HUMB