LIVE UPDATES

'Partizani'/ Shtyhet seanca e parë, Berisha nuk paraqitet: Mashtrim! Gjyqtarja kërkon dorëheqjen

➤Në Gjykatën e Posaçme AntiKorrupsion nisi procesi gjyqësor ndaj kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, për aferën “Partizani”. ➤Por senca e parë u shty, ndërsa do të zhvillohet në 21 korrik ora 10:30. ➤Kreu i PD, Sali Berisha dhe biznesmeni Fatmir Bektashi, munguan në seancën e parë gjyqësore për dosjen Partizani në GJKKO, ndërsa ishin të pranishëm Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja. ➤Përfaqësuesi i SPAK, Arben Kraja kërkoi shtyrjen e seancës duke thënë se Berisha nuk është njoftuar sipas ligjit. ➤Malltezi i cili mbante fletëthirrjen nga OPGJ u shpreh se nuk e ka njoftuar Berishën për gjyqin. ➤Po ashtu gjyqtarja kryesuese Elsa Ulliri ka paraqitur kërkesën për dorëheqje. ➤Gjyqtarja deklaron se është kushërirë me deputeten demokrate Andia Ulliri. ➤Nuk dihet nëse është pranuar apo jo kërkesa.

4 artikuj për këtë temë.
3 DITE ME PARE

Gjyqi ndaj tij për aferën 'Partizani', Berisha: Fund e krye një piramidë mashtrimi

'Partizani'/ Shtyhet seanca e parë, Berisha nuk paraqitet:
Sali Berisha

TIRANË-Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar në rrjetet sociale pas seancës së parë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar për dosjen “Partizani”, e cila u shty. Berisha thotë se procesi gjyqësor është “politik” dhe “fund e krye një piramidë mashtrimi”.

Kryedemokrati ashtu si dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, thotë se prokuroria është bazuar në një kallëzim të rremë në vitin 2020 të ish-kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Sipas tij, nuk ka asnjë fakt penal për këtë dosje dhe se dhëndrit të tij nuk i është dhënë asnjë metër katrorë toke publike. Sipas Berishës, ajo tokë i përket familjarëve të Malltezit. 

REAGIMI:

Kapja dhe përdorimi i drejtësisë si armë politike është tipar kryesor i rregjimeve autokratike të korruptuara. Sot fillon procesi gjyqsor politik në GJKKO për dosjen “Partizani”, fund e krye një piramidë mashtrimi. Fill pas urdhërit publik të Edi Ramës në Kongresin e PS në Prill 2022 drejtuar SPAK për të proceduar penalisht Sali Berishën, prokurorët e nënshtruar dërguan 16 kërkesa brenda muajit duke nisur hetim 30 vjeçar shtrirë në 3 breza ndaj Sali Berishës deri tek mbesat e palindura të tij.

Prokurorët politikë u bazuan në kallzimin e rremë të ish-kryetarit të Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla kryer në 2020, sipas të cilit kryeministri Sali Berisha i ka kthyer dhëndrit të tij tokë të shpronësuar nga autoritetet italiane gjatë Luftës së Dytë Botërore, pra kinse tokë publike nga territori i klubit “Partizani”. Ndërkohë Fletoret Zyrtare të atyre viteve provonin se toka në fjalë kishte mbetur gjithnjë tokë private dhe se nuk ishte shpronësuar kurrë. Megjithatë, pasi ata hetuan deri në arkivat e para 100 viteve duke injoruar Fletoret Zyrtare që janë online, pasi hetuan veprimtarinë 20 vjeçare të PD nga 2005 deri tek kandidatja e PD për kryetare të Bashkisë së Korçës në 2023 nese kishte marrë sponsorizim për kapelet e fushatës, pasi mbajtën në arrest politik të kundraligjshëm kryetarin e Partisë Demokratike të Shqiperise për 333 ditë, rezulton se:

1. Për akuzën e tyre per dosjen “Partizani” nuk ka asnjë fakt penal. Jamarbër Malltezit nuk iu është dhënë asnjë m2 tokë publike.
2. Toka ishte gjithnjë e 5 familjeve private të Tiranës – një prej të cilave familja e gjyshërve të Jamarbër Malltezit – dhe se Taulant Balla kreu kallzim të rremë.
3. Nuk ka asnjë qindarkë dëm ne para publike. Shteti veç ka përfituar nga zbatimi i ligjit.
4. Në këtë proces nuk ka asnjë zyrtar të çfarëdo niveli që dyshohet për asnjë veprim të paligjshëm pasi ata kanë zbatuar strikt ligjet e vendit
5. Nuk ka asnjë provë, asnjë dëshmi, asnjë dokument që të tregojë se Berisha ka bërë ndërhyrjen më të vogël ndaj kujtdo.
6. Ndonëse pretenduan se kishte ndonjë ligj apo VKM nominative, po vetë shërbëtorët e Edi Ramës kanë pohuar tashmë se nuk ka asnjë akt zyrtar, asnjë ligj apo VKM nominative (krejt ndryshe nga Edi Rama që ka nxjerrë Ligjin Fusha, 4 VKM nominative për të grabitur truallin e gjimnazit e ia fali Bolinos, Ligjin klientelist të Portit të Durrësit, VKM për të grabitur bazat detare ushtarake apo VKM për të lumturuar vëllain e vet me 37,000 m2 tokë dhe ndërtesa në tokë private).
7. Asnjë nga privatet që kanë zhvilluar pronën nuk ka pasur asnjë kontratë publike dhe nuk kanë përfituar asnjë cent nga qeverisja e Sali Berishës.
8. I vetmi dëm në financat publike ka ardhur nga shpërdorimi i detyrës nga Edi Rama që solli dëm mbi 340,000 euro në financat e Bashkisë (vertetuar me vendim gjykate të formës së prerë) por SPAK nuk guxon as ta thërrasë si dëshmitarë e jo më ta mbajë përgjegjës Edi Ramën për demin.

Pas 5 vitesh hetimi të vetingut 30 vjeçar, kanë gjetur se Sali Berisha bashkë me të shoqen disponon gjithsej 100,000 euro kursime të 54 vite pune, dhe një apartament 40 m2 më të madh sesa ai që kanë pasur gjatë diktatures. Dhe se ai dhe femijët e tij kanë zbatuar vetëm ligjin.

Prokuroria politike pas këtij vetingu akuzon Sali Berishën për korrupsion pasiv, duke shpallur të tillë solidaritetin familjar dhe aktet e bamirësisë për fëmijët në nevojë. Konkretisht ata kanë shpallur si korrupsion pasiv:

1. Pagesën që e bija, Argita Malltezi Berisha, ka kryer për një javë pushime familjare dhe 2 fatura spitali
2. Bamirësinë e vajzës dhe dhendrit për të përballuar prej 10 vitesh shpenzimet për 3 familje autike qe janë trajtuar në Qendrën Rajonale të Autizmit që është ngritur dhe drejtohet prej 20 vitesh nga Dr. Liri Berisha pa asnjë pagë e asnjë shpërblim.
3. Pagesat e procese gjyqsore në të cilat Argita është palë dhe që janë hua familjare.
4. Donacionin e kompanisë “Homeplan” prej 4,600 eurosh që iu bë Ministrisë së Kulturës për të mbuluar shpenzimet e këngetarëve Ricardo Cocciante dhe Elhaida Dani që erdhën për dekorim nga Presidenti i Republikës.

Prokurorët gënjyen dhe i shpallën si aktivitet elektoral kur ata nuk kanë marrë pjesë në asnjë aktivitet politik të kohës.
Por drejtesia politike nuk do mund të shpëtojë kurrë Edi Ramën nga fundi që e pret atë dhe pushtetin e tij, të ngritur mbi krimin, drogën dhe mjerimin e shqiptarëve.

Kreu i PD, Sali Berisha dhe biznesmeni Fatmir Bektashi, munguan në seancën e parë gjyqësore për dosjen Partizani në GJKKO, ndërsa ishin të pranishëm Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja. Përfaqësuesi i SPAK, Arben Kraja kërkoi shtyrjen e seancës duke thënë se Berisha nuk është njoftuar sipas ligjit. Seanca e radhës do të zhvillohet më 21 korrik në orën 10:30. /ZËRI

3 DITE ME PARE

Gjyqi për 'Partizanin'/ Berisha mungon, Malltezi: Nuk i thashë! Prokurori: S'është bërë njoftimi sipas ligjit

'Partizani'/ Shtyhet seanca e parë, Berisha nuk paraqitet:
Jamarbër Malltezi

TIRANË-Sot do të mbahej seanca e parë ndaj kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, për aferën “Partizani”, pasi u morën të pandehur. 

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit dhe u përfaqësua nga avokatët Genc Gjokutaj dhe Klodiana Gjyzari. Gjyzari u shpreh se njoftimi për seancën gjyqësore i është dërguar Berishës vetëm ditën e premte dhe është firmosur nga Jamarbër Malltezi. Ndërkohë edhe ky i fundit ka deklaruar në seancë se nuk e ka njoftuar Berishën për gjyqin.

Prokurori Arben Kraja kërkoi shtyrjen e seancës pasi nuk është bërë njoftimi sipas ligjit për Berishën. Në senacë mungonin edhe të pandehurit Andia Pustina dhe Fatmir Bektashi. Dosja kaloi për gjykim më 19 maj. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi. Seanca e radhës do të zhvillohet më 21 korrik./ZËRI

4 DITE ME PARE

'Partizani'! Gjyqtarja kërkon dorëheqjen: Jam kushërirë me Andia Ulliri, Gjokutaj: Muhabete korridoresh

'Partizani'/ Shtyhet seanca e parë, Berisha nuk paraqitet:
Sali Berisha dhe Elsa Ulliri

TIRANË-Gjyqtarja Elsa Ulliri ka paraqitur kërkesën për dorëheqje nga gjykimi i dosjes “Partizani”. Mësohet se dorëheqja është paraqitur tek drejtuesi i GJKKO, Erion Bani prej 10 ditësh. Në argumentet e saj thotë se është kushërirë me deputeten demokrate Andia Ulliri. Elsa Ulliri ishte caktuar gjyqtare relatore ndërsa anëtarë janë Bib Ndreca dhe Rudina Palloj. 

Në lidhje em kërkesën e Ullririt, avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj u shpreh se ajo sot ka drejtuar seancën dhe shton se këto janë muhabete korridoresh.

"Ajo ishte në seancë. Për sa kohë që një gjyqtare bën muhabete në korridore dhe vjen drejton seancën janë historira të tejkaluara. Unë se di këtë fakt, ajo sot ka drejtuar seancën gjyqësore. 10 ditë përpara që është bërë kjo kërkesë, nuk duhej lënë të vinte dita e gjykimit dhe do ishte marrë një vendim. Duhet të ishte marrë.”, tha ai.

Lidhur me kërkesën e Elsa Ullirit, gjyqtares kryesuese për t'u tërhequr nga gjykimi i dosjes Partizani, GJKKO do të informojë në seancën që do të zhvillohet më 21 korrik./ZËRI

4 DITE ME PARE

'Partizani'/ Sot seanca e parë për Berishën dhe Malltezin, dhëndri i kreut të PD: SPAK ka mashtruar

'Partizani'/ Shtyhet seanca e parë, Berisha nuk paraqitet:
Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi

TIRANË- Sot në GJKKO zhvillohet seanca e parë e procesit në themel ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi dhe tre të pandehurve të tjerë. Malltezi teksa ka mbëritur në ambjentet e Gjykatës, në një deklaratë për mediat e cilësoi procesin si të pabazë dhe politik.

Jamarbër Malltezi: Në thelb është një gjueti shtrigash, një çështje poolitike, qesharake tashëm sepsë gënjyen dhe dolën gënjestarë. Gënjyen se thanë toka ishte shpronësuar dhe doli që toka ishte e pronarëve. Dhe nuk ka asnjë copë letër se si u bë shteti pronar. Sot e kësaj dite prokuroria nuk ka se si është shteti pronar ndërkohë që ëhstë dok që prej 100 vitesh është tokë e këtyre 5 familjeve. Sa i përket tokës, vlerave dhe antivlerave. Vlerat janë te pronarët privatë. Antivlerat janë te strategjikët e Edi Ramës, ai që vjedh tokat publike dhe priovate dhe ia jep miqve të vet. Nga zhvillimi i pronës kemi paguar taksa, kurse Rama për miqtë dhe hajdutët e vet jep pa taksa.

Nga zhvillimi i pronës kemi sistemuar mbi 42 familje, ndërsa Edi Rama i përzë me dhunë dhe me polici si në Astir apo te bregu i Lanës, nga zhvillimi i pronës kemi bërë kopsht dhe çerdhe për banorët dhe kemi lënë për shkollën dhe gjimnazit. Asnjë nga këta nuk bën Rama, i fal tokën mëe zero lekë ose një euro miqve, i lë pa taksa për vitë dhe vjedh tokat publike dhe private. Të shikoni te materiali që menjëherë pas urdhërit të Edi Ramës në kongresin e PS në prill 2022, prokurorët politikë të nënshtruar kanë bërë 16 kërkesa brenda muajit. Edi Rama i dha komandën SKAP-it dhe menjëherë vepruan.

Do të përballemi me këtë çështje, por në thelb është çështje pa fakt penal se u nis me kallëzimin e rremë të Taulant Ballës sikur toka ishte e shpronësuar ndërkohë që toka del me familje pronari, vijoi me pretendimin e rremë të prokurorëve sikur kishte ndonjë lidh apo VKM normative, por në fakt nuk kishte asnjë. Asnjë nuk është nominative, krejt ndryshe nga ligjet dhe VKM që bën Rama. SPAK nuk guxon ta thërrasë as për dëshmitar Edi Ramën, e kemi kërkuar gjatë fazës së hetimeve dhe gjatë seancës paraprake. SPAK ka shkuar deri në mashtrim dhe e ka bërë mashtrimin pjesë të dokumentacionin zyrtar Rama ka 8 firma në këtë procedurë, ndërsa Berisha nuk ka asnjë.“, tha Malltezi.

Gjyqtarja Elsa Ulliri ka paraqitur kërkesën për dorëheqje nga gjykimi i dosjes “Partizani”. Mësohet se dorëheqja është paraqitur tek drejtuesi i GJKKO, Erion Bani prej 10 ditësh. Në argumentet e saj thotë se është kushërirë me deputeten demokrate Andia Ulliri. 

Kjo është përballja e parë në bankën e të akuzuarve si pjesë e çështjes “Dosja Partizani”. Dosja do të gjykohet nga një treshe gjyqtarësh të caktuar me short Elsa Ulliri kryesuese, Bib Ndreca dhe Rudina Palloi anëtarë të trupit gjykues. Konkretisht në këtë çështje janë të pandehur ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, ortaku i tij Xhimi Begeja, biznesmeni Fatmir Bektashi dhe financierja Andia Pustina të cilët do të përballen me drejtësinë në lidhje me akuzat për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”. 

Të pandehurit e dosjes “Partizani” dhe akuzat:

-Sali Berisha, ish kryeministër – akuzohet për “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.
-Jamarbër Malltezi – dhëndri i ish-kryeministrit – akuzohet për “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim dhe për “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
-Fatmir Bektashi – Ndërtuesi akuzohet “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë” dhe “Pastrim parash”
-Xhimi Begeja – Trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i “Homeplan” akuzohet për “Pastrim Parash”
-Andia Pustina – Financierja që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të “Homeplan sh.p.k” – akuzohet për “Pastrim Parash”.

Hetimet për dosjen Partizani nisën në vitin 2020, dhe në aktakuzën e SPAK, dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai e akuzojnë ish-kryeministrin Berisha për veprën penale të "korrupsionit pasiv" të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Sipas SPAK, Berisha ka ndryshuar ligje, dhe ka ushtruar presion mbi vartësit e tij, në mënyrë që ish-kompleksi Partizani t'iu kthehej pronarëve, në mesin e të cilëve do të përfitonte dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.

Aktualisht Berisha është në liri, por me masën "detyrim paraqitje", 2 herë në muaj. Ndryshe nga Sali Berisha, dhëndri i tij ndodhet nën masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’./ZËRI

Poll

MOS HUMB