
TIRANË-Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka reaguar pas lirimit të ish-deputetit Ervin Salianjit. Berisha në një konferencë më gazetarët ka komentuar edhe rolin që pritet të ketë në Partinë Demokratike, Salianji. Kreu i PD deklaroi se Salianji është një drejtues aktiv i PD dhe do të japë kontributin e tij.
Sali Berisha: Para se të ndalemi në farsën e turpshme elektorale, 11 maj 2025, dua të dënoj edhe njëherë me forcën më të madhe, dënimin politik ndaj deputetit Ervin Salianji nga Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj, krerë kryesorë të organizatës kriminale të narkoshtetit. Ervin Salianji vuajti jashtë çdo lloj ligji, Kushtetute dhe rregulli. 9 muaj në burg vetëm e vetëm pse denoncoi Geron Xhafën si trafikant kryesor në qarkun e Vlorës, i cili kërkohej në Milano. Burgosja e Ervin Salianjit kishte si synim kryesor burgosjen e të vërtetës se Edi Rama, Fatmir Xhafaj dhe Geron Xhafaj udhëhiqnin dhe përfitonin nga trafiqet nga Vlora drejt Italisë. Ervin Salianji është një drejtues aktiv i PD dhe do jap kontributin e tij. Ju garantoj se ai do të damkosë në të gjitha shkallët ndërkombëtare të gjyqësorit, sepse qëllimi i Edi Ramës ishte t’i këpuste karrierën politike që ai të mos kandidonte më për në Parlament sepse e kishte tmerr. Edi Rama dhe Fatmir Xhafa, dy bos kryesorë të organizatës kriminale të narkoshtetit u plagosën rëndë nga denoncimet e Salianjit.
Gjykata e Fierit pas dakortësisë së prokurorit të çështjes vendosi lirinë me kusht për ish-deputetin demokrat, Ervin Salianji, i cili ka ezauruar 2/3 e dënimit. Gjithashtu, shërbimi i provës dhe IEVP Fier kanë paraqitur raport pozitiv në Gjykatën e Fierit për Ervin Salianjin. Salianji ndodhej i izoluar në burgun e Fierit prej muajit tetor të vitit të kaluar. Më 26 shtator 2024, Gjykata e Apelit mori vendimin për dënimin me një vit burg të ish-deputetit demokrat për “kallëzim të rremë” për denoncimin që bëri ndaj Geron Xhafës, vëllait të ish-ministrit Fatmir Xhafa./ZËRI